Organizata militante në Liban e Hezbollahut ka filluar një rishikim të madh strategjik pas luftës së tij shkatërruese me Izraelin, duke përfshirë shqyrtimin e zvogëlimit të rolit të tij si një lëvizje e armatosur pa u çarmatosur plotësisht, thonë tre burime të njohura me diskutimet për Reuters.
Diskutimet e brendshme, të cilat ende nuk janë finalizuar dhe nuk janë raportuar më parë, pasqyrojnë presionet e mëdha që grupi militant libanez i mbështetur nga Irani është përballur që nga arritja e një armëpushimi në fund të nëntorit. Forcat izraelite vazhdojnë të sulmojnë zonat ku grupi ka ndikim, duke akuzuar Hezbollahun për shkelje të armëpushimit, të cilat ai i mohon.
Ai gjithashtu po përballet me vështirësi të mëdha financiare, kërkesa të SHBA-së për çarmatimin e tij dhe ndikim të zvogëluar politik që kur një kabinet i ri mori detyrën në shkurt me mbështetjen e SHBA-së. Një zyrtar tjetër i lartë, i cili është i njohur me diskutimet e brendshme të Hezbollahut, tha se grupi kishte zhvilluar diskutime klandestine mbi hapat e tij të mëtejshëm.
Komitete të vogla janë takuar personalisht ose nga distanca për të diskutuar çështje, duke përfshirë strukturën e tij udhëheqëse, rolin politik, punën sociale dhe të zhvillimit, si dhe armët, tha zyrtari në kushte anonimiteti.
Sakaëq, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë me dije se ndoshta do të dihet brenda 24 orësh nëse grupi militant palestinez Hamas ka rënë dakord të pranojë atë që ai e ka quajtur një “propozim përfundimtar” për një armëpushim Izrael-Hamas në Gaza.
Presidenti tha gjithashtu se kishte folur me Arabinë Saudite për zgjerimin e Marrëveshjeve të Abrahamit, marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve që administrata e tij negocioi midis Izraelit dhe disa vendeve të Gjirit gjatë mandatit të tij të parë.
Ai u pyet të premten nëse Hamasi kishte rënë dakord me kuadrin e fundit të marrëveshjes së armëpushimit dhe tha: “Do të shohim se çfarë ndodh, do ta mësojmë gjatë 24 orëve të ardhshme.”