Pjesëmarrja për një periudhë më të gjatë në terapi të të folurit dhe gjuhës mund t’i ndihmojë shumicën e fëmijëve me autizëm të thonë fjalët e para, sugjeron një studim i ri shkencor.
Çrregullimi i spektrit të autizmit, i cili prek rreth një në 31 fëmijë në SHBA, shoqërohet shpesh me vështirësi në të folur. Si pasojë, shumë fëmijë mbeten joverbalë ose fillojnë të flasin shumë më vonë se bashkëmoshatarët e tyre neurotipikë.
Prej vitesh dihet se fëmijët autikë me probleme në të folur përfitojnë nga terapitë intensive, ushtrimet verbale dhe pajisjet ndihmëse, sidomos në vitet e para të shkollimit. Tani, një studim i ri sugjeron se këto terapi jo vetëm që funksionojnë, por rreth dy në tre fëmijë autikë kanë gjasa të zhvillojnë të folurin falë tyre.
Studiuesit nga Universiteti Drexel në Filadelfia analizuan të dhënat e mbi 700 fëmijëve parashkollorë me autizëm, të cilët kishin ndjekur terapi të të folurit për periudha që varionin nga gjashtë muaj deri në dy vjet. Mesatarisht, fëmijët kalonin rreth 10 orë në javë në terapi.
Rezultatet treguan se dy të tretat e fëmijëve zhvilluan gjuhë të folur, ndërsa një e treta mbetën joverbalë ose nuk shfaqën përparim domethënës.
Sipas ekspertëve, përmirësimi i të folurit lidhet me terapi të tilla si modeli Early Start Denver Model (ESDM), i cili fokusohet te loja dhe ndërtimi i marrëdhënieve pozitive për të nxitur zhvillimin e gjuhës. U përdorën gjithashtu metoda si TEACCH (Treatment and Education of Autistic and Related Communication Handicapped Children), që mbështetet në sinjale vizuale, hapësira të organizuara dhe rutina të qarta për të përmirësuar komunikimin.
Një gjetje kyçe e studimit ishte se kohëzgjatja e terapisë kishte më shumë rëndësi sesa intensiteti. Kjo do të thotë se ndjekja e terapisë për muaj apo vite me rreth 10 orë në javë mund të jetë më efektive sesa programe shumë intensive (20–40 orë në javë) për një periudhë më të shkurtër.
Dr. Giacomo Vivanti, autor i studimit dhe profesor i asociuar në Institutin e Autizmit AJ Drexel, theksoi se përgjigjja për prindërit mbetet pozitive: terapitë duhen ndjekur. Megjithatë, ai nënvizoi se edhe praktikat e bazuara në prova nuk funksionojnë njësoj për çdo fëmijë, ndaj është e rëndësishme të monitorohet përparimi individual dhe, kur është e nevojshme, terapia të përshtatet.
Studimi, i botuar në vitin 2025 në Journal of Clinical Child & Adolescent Psychology, përfshiu 707 fëmijë të moshës 15 muaj deri në pesë vjeç, me një moshë mesatare tre vjeç. Në fillim të studimit, 66 për qind e tyre konsideroheshin “minimally speaking”, pra nuk ishin në gjendje të bashkonin fjalë për të formuar fjali të shkurtra.
Në përfundim, 66 për qind e fëmijëve që nuk flisnin fare në fillim arritën të mësonin fjalë të vetme ose të përmirësonin aftësitë gjuhësore. Gjysma e atyre që flisnin minimalisht arritën të formonin fraza me disa fjalë. Megjithatë, rreth një e treta e fëmijëve joverbalë dhe gjysma e grupit “minimally speaking” nuk shfaqën përparim të dukshëm.
Fëmijët që nuk përparuan kishin më shpesh terapi për periudha të shkurtra, zakonisht nën gjashtë muaj, por me shumë orë në ditë. Në të kundërt, ata që ndoqën terapi për gjashtë muaj deri në dy vjet kishin më shumë gjasa të zhvillonin gjuhën.
Një tjetër faktor i rëndësishëm ishte aftësia fillestare për të imituar tinguj dhe veprime: fëmijët që e kishin këtë aftësi më të zhvilluar kishin më shumë gjasa të përparonin në të folur. Sipas Vivantit, këto forma të hershme komunikimi krijojnë “infrastrukturën” për gjuhën e folur.
Megjithëse studimi ka kufizime, si ndjekja e fëmijëve vetëm deri në dy vjet, autorët besojnë se ai hap rrugën për kërkime më të thelluara dhe bashkëpunim më të madh mes studiuesve, me synimin për të ndihmuar sa më shumë fëmijë me autizëm të zhvillojnë komunikimin verbal. /GazetaExpress/