Kapiteni Marc-André ter Stegen aktualisht gjendet në një “martesë nga nevoja” me klubin e Barcelonës, pas transferimit të Joan Garcia këtë verë.
jigantët katalanas janë shumë të interesuar ta largojnë ter Stegen këtë verë, ndërsa gjermani ka qenë i vendosur të qëndrojë në klub – ai është i irrituar nga sjellja e Barcelonës gjatë kësaj vere.
33-vjeçari kaloi pjesën më të madhe të sezonit të kaluar i dëmtuar, gjë që detyroi Barcelonën të rikthente Ëojciech Szczesny-n nga pensionimi. Ai pritej të rikthehej si numri një sezonin e ardhshëm, por pas aktivizimit të klauzolës së lirimit prej 25 milionë euro të Joan Garcias, kjo ide u vu në pikëpyetje. Sipas raportimeve, trajneri Hansi Flick i ka bërë të qartë se ai do të jetë zgjedhja e tretë për portën sezonin e ardhshëm.
Ter Stegen u kthye në stërvitje që në fillim të javës së kaluar, por që kur Hansi Flick është kthyer në punë, ai po stërvitet veçmas në palestër, për shkak të një tendosjeje të lehtë në shpinë, sipas “Sport”. Megjithatë, zërat për largimin e tij vazhdojnë të qarkullojnë.
I njëjti burim përmend edhe raportimet nga Turqia, sipas të cilave Galatasaray i ka ofruar të paguajë më shumë se paga e tij aktuale prej rreth 8 milionë euro në vit, nëse ai largohet nga Barcelona si lojtar i lirë – diçka që klubi katalanas është i hapur ta shqyrtojë.
Interi dhe Manchester United po monitorojnë situatën e tij, por Galatasaray dhe AS Monaco janë klubet që po kërkojnë aktivisht një portier. Megjithatë, Monaco duket se i ka vënë sytë te Ugurkan Cakir i Trabzonsporit, i cili mund t’u kushtojë rreth 10 milionë euro.
Ter Stegen, i cili mendon se Barcelona qëllimisht ka tentuar të njollosë reputacionin e tij, mbetet i vendosur të respektojë kontratën e tij trevjeçare me klubin. Megjithatë, agjentët e tij po mbajnë kontakt me çdo interes që lind për klientin e tyre, në rast se ai ndryshon mendje para mbylljes së merkatos. Motivimi kryesor për të do të ishte aktivizimi i rregullt, pasi ai dëshiron të mbetet portieri numër një i Gjermanisë për Kupën e Botës vitin tjetër. Është raportuar se ai mund të shqyrtojë një transferim në janar, nëse vendi i tij në kombëtare vihet në rrezik – por jo gjatë kësaj vere./GazetaExpress/