Teori konspirative (COVID-19) dhe fushata dezinformuese e Kinës dhe Rusisë në Ballkan (1) - Gazeta Express

OP/ED

Gazeta Express

04/05/2020 12:04

Teori konspirative (COVID-19) dhe fushata dezinformuese e Kinës dhe Rusisë në Ballkan (1)

OP/ED

Gazeta Express

04/05/2020 12:04

Kina dhe Rusia, që prej shfaqjes së pandemisë e paraqitën një agjendë të qartë në përpjekje për ta përdor atë dhe rrit ndikimin global kudo, përfshirë edhe Ballkanin. Nëse është bërë mënyrë e të jetuarit, se mund ta parandalojmë COVID-19 përmes distancës fizike, a mund të bëjmë distancë informative ndaj një fushate dezinformuese që po vazhdon në rajon? Pekini përhap, për muaj me radhë, lajme të rrejshme në media dhe rrjete sociale gjoja se COVID-19 u krijua në një laborator ushtarak amerikan.   

Shkruan: Enver Hoxhaj

Fjala “krizë”, në gjuhën kineze ka kuptim të dyfishtë, duke dhënë barazvlershëm “rrezikun” dhe “mundësinë”. Kështu mendojnë perëndimorët, por vet kinezët e vën në dyshim këtë interpretim. Si do që jete në semantikë, në politikë shpesh herë rreziqet ofrojnë mundësi dhe alternativa të reja. Ato të cilat deri para pak kohe, ishin larg çdo imagjinate. Duket se kjo vlen për krizën shëndetësore të COVID-19. Liderë e qeveri nacionale krahas masave për parandalimin e saj, e politizuan atë për përfitime politike apo për të rritur besueshmërinë. Kjo vlente për situatat e brendshme, dhe më pak me pritjen e tyre për një prestigj ndërkombëtar, edhe pse pati një efekt të tillë.

Mirëpo, Kina dhe Rusia, që prej shfaqjes së pandemisë e paraqitën një agjendë të qarte për ta përdor atë dhe për ta rritur ndikimin kudo, natyrisht edhe në Ballkan. Dhe këtu s’është fjala për rikthimin e tyre në rajon, sepse asnjëherë nuk janë tërhequr prej tij. Të tjerët flasin për një rend të mundshëm të ri ndërkombëtar si pasojë e pandemisë. Mirëpo, kinezët dhe rusët janë duke krijuar disa fakte të reja, disi më ndryshe, në shërbim dhe në pritje të një rendi të tillë. Natyrisht, nëse zinxhiri i ngjarjeve globale rrjedhë sipas parashikimeve të tyre.

Debati aktual – çfarë thonë e bëjnë shtetet relevante dhe institucionet ndërkombëtare – është i përqendruar rreth bashkëpunimit multilateral kundër COVID-19. Por, bashkësia ndërkombëtare ndërmori pak veprime të koordinuara dhe globalisht kundër tij. Globale ishte vetëm gjeografia dhe shpejtësia e përhapjes, por jo parandalimi i tij. Çdo shtet, i madh dhe i vogël, u shqetësua për të mbrojtur qytetarët e tij. Meqë Italia, Spanja, Franca, Britania e Madhe dhe SHBA befas u bën qendra të pandemisë, Perëndimi i kushtoi pak vëmendje, se çfarë po ndodhte në pjesë tjera të botës. Numri i lartë i viktimave në rritje çdo ditë dhe të të infektuarve – se bashku me pritjen pa një afat rreth gjetjes së vaksinës – i dhanë botës një kuptim të ri: kohës, hapësirës dhe jetës kudo.

Një bashkëpunim i mirë ndërkombëtar dhe cila do të ishte qasja, u la nga rasti në rast. Ndihma iu dha shumë vendeve, veçanërisht aty ku pandemia nga drama po behej tragjedi. SHBA dhe BE ishin të vendosura për t’iu dal në krah shumë vendeve, duke përfshirë ndihmë për Ballkanin e Kosovën. Mirëpo, vet BE brenda natës u transformua në një bashkësi, e cila nuk ishte më e njëjtë me atë të janarit 2020. Me shpërthimin e pandemisë në BE, sovraniteti shtetëror, kufijtë e mbyllur dhe ruajtja e pajisjeve mjekësore nacionale do t’i shërbente më shumë egoizmit të brendshëm kombëtar.

Ndodhi një rikthim i sovranitetit shtetëror sikurse ishte shpikur në Evropë në fund të luftës 300 vjeçare fetare. Solidariteti panevropian pësoi metamorfozë marramendëse duke rrudhur jetën politike në dimension nacional. Ishin shtetet-kombe që ballafaqoheshin me COVID-19. Kurse nga institucionet multilaterale si BE dhe OKB pritej të ndihmonin nga anash. Edhe sot, përderisa po luhet ende drama e pandemisë,  BE mbetet e tillë.

Kjo situatë ishte në Ballkan në fund të shkurtit kur arriti COVID-19, disa javë pas shpërthimit në Itali. Në Kosovë tek në mars do të shfaqen rastet e para. Ballkani, i fragmentarizuar në shtete të dobëta dhe pak bashkëpunuese me njëra-tjetrën, ka edhe me sisteme shëndetësore fragjile. Pandemisë iu përgjigjë në fillim me panik. Mandej u morën kudo masa rigoroze nacionale për ta parandaluar atë. Ndaj frikës që sistemet shëndetësore do kollapsonin në rast të numrit të madh të të infektuarave, qeveritë u ngutën me vendime politike të shpejta. Në disa vende, u ndërmorën masa për skenarë edhe më të këqinjë.         

Se bashku me ankthin që solli pandemia, u rishfaqen me pamje dhe me tone të reja, kundërshtarët e Perëndimit në Ballkan – Kina dhe Rusia. Njëkohësisht me përhapjen e COVID-19, e interpretuan atë në mënyrë të rrejshme, me qëllime të matshme dhe pritje të qarta. BE dhe SHBA, por edhe shtetet e tjera sikurse Norvegjia, Turqia janë aktive në rajon në mbështetje të vendeve të ndryshme. Por, rusët dhe kinezët, ndërmorrën çdo gjë për ta vënë në dyshim besueshmërinë dhe prestigjin perëndimor kudo. Natyrisht, aty ku mund të bëhej kjo.  

Strategjia mbetet kjo – nëse luftimi kundër COVID-19 do të jetë shqetësim gjatë tërë vitit – çka përbën sot skenarin më real – në Ballkan do të shpërfaqen në të ardhmen, sikurse deri më tani, metoda të sofistikuara të propagandës ruse dhe kineze. Nëse është bërë mënyrë jete, se mund ta parandalojmë COVID-19 përmes distancës fizike, a mund të bëjmë distancë informative ndaj një fushate dezinformuese që po vazhdon në rajon?    

Thelbi i saj kuptohet nëse shohim diskursin rreth prejardhjes se COVID-19. Ai u shfaq në Wuhan të Kinës dhe ekspertët mjekësor kinez e të huaj, shpjeguan në detaje sesi është krijuar dhe është bartur. Kina, ende është në qendër të kritikës sepse nuk ka ndarë me kohë informata me organizata dhe shtete relevante se çfarë rreziku përben ai. Nëse kjo do të bëhej me kohë, bota sot do ishte më pak e prekur prej tij. Masat paraprake do kishin efekte më të mëdha në parandalimin e humbjeve në njerëz. 

Në vend të kësaj, , Ministria e Jashtme e Kinës u kujdes të përhap për muaj me radhë, lajme të rreme në rrjetet sociale se gjoja COVID-19 u krijua në një laborator ushtarak amerikan. Një lajm i tillë që pastaj të bëhet kryelajmi i mediave shtetërore. Përsëri janë diplomatët kinez, që e shpërndan atë në gjeografi të ndryshme, në vende të mëdha por edhe të vogla e periferike. Pasojnë më tutje platformat online të afërta me Kremlinin, të cilat një lajm të rremë e rishkruajnë duke e vendosur në një kontekst tjetër dhe përhapur në anglisht, arabisht, spanjisht e me radhë. 

Kjo fushatë dezinformuese u paraqit më vonë në Ballkan. Por, kishte një dallim interesant se kush do të bëhej zëdhënësi më i lartë i saj. Para disa ditësh, ministri Jashtëm serb, Ivica Daçiq e shtroi në publik pyetjen se a u krijua COVID-19 në natyrë apo laborator? Mandej tha që “Fuqitë e Mëdha na kanë borxh një përgjigje të plotë rreth prejardhjes së virusit”. Ka teori të ndryshme, mendonte zëshëm Daçiq dhe kërkoi që “Këshilli i Sigurimit të OKB-së ta shpjegoj se a është pandemia lufta biologjike e ardhshme?” Fakt është se Daçiq shquhet për marrëzinë e deklaratave për tema të shumëllojshme. Por, kësaj here, duket se ishte me mandat nga vëllai kinez apo nëna Rusi?

Cilësime të tilla, nuk kanë të bëjnë me situata historike se kur ballkanasit – në këtë rast serbët- e shihnin veten te të përkëdhelurit e një fuqie të madhe. Ato rrjedhin në fakt, nga orientimet e politikës së jashtme serbe, e projektuar në katër shtylla: BE, SHBA, Rusia dhe Kina. BE është partner strategjik meqë Serbia është në negociata për anëtarësim dhe gjeografikisht është në Evropë, ndërsa SHBA-të janë miq interesi sepse janë fuqi globale. Lidhjet historike e fetare pansllave me Rusinë bëjnë që të jetë nënë; dhe në fund Kina si vëlla. Natyrisht, që aleancat e fundit kanë të bëjnë edhe me Kosovën, për shkak të vetos së tyre në KS të OKB-së. Sidoqoftë, qëndrimi i Daçiqit është goditje ndaj SHBA – në koordinim me Moskën dhe Pekinin.  

Pikëpamja tij mbi origjinën e COVID-19 u bë lajm lokal në Serbi. Ishte agjencia ruse Sputnik që e shndërroi deklaratën e tij në lajm ndërkombëtar, si pjesë e fushatës dezinformuese globale ruse dhe kineze kundër SHBA-ve. Në kohë paniku, por edhe për shkaqe historike e kulturore, Ballkani është tokë e plleshme për teori konspirative, të cilat synojnë të përhapin frikë dhe ngrenë dyshime mbi misionin e SHBA-ve në botë, rreth të cilës është ndërtuar rendi i sotshëm liberal botëror. Gjatë kohës si ministër i Jashëm i Kosovës, kam dëgjuar lloj-lloj teorish konspiracioni për origjinën e AIDS, ku struktura e rrëfimit mbetej e njëjtë por vetëm nuancat ndryshonin në Afrike nga Amerika Latine.