Njohësi i teologjisë islame, Tarek Elgawhary ka deklaruar se festimi i Vitit të Ri nuk ka asgjë joilsame pasi sipas tij, përfundon një vit dhe nis tjetri.
Në një intervistë në Kallxo Përnime ai u shpreh se gjithë bota përdor kalendarin gregorian dhe kjo është festë civile.
“Ne kemi, natyrisht, festa fetare — dhe pastaj kemi festa civile. Festa civile, siç sapo mësova, është 17 Shkurti — Dita e Pavarësisë së Kosovës. Kjo është festa më e rëndësishme civile për qytetarët e Kosovës”- tha ai.
Sa i përket festimit të vitit të ri |i gjithë kalendari ynë është sipas kalendarit gregorian”- shtoi ai.
“Shumë fe dhe grupe etnike përdorin kalendarë të ndryshëm. Gjithë bota funksionon sipas kalendarit gregorian — biznesi, arsimi, ekonomia — fillon më 1 janar dhe mbaron më 31 dhjetor. Pra, festimi i Vitit të Ri është festim i një feste civile — është fundi i një viti dhe fillimi i një tjetri”- tha ai.
Teksa, për ata që përdorin edhe bredhin si simbol, ai shtoi se nuk ka asgjë joislame.
“Nuk do të ishte e drejtë nga ana ime të kritikoj festimin e Vitit të Ri me pemë. Por nuk ka asgjë joislame në këtë, sepse nuk ka asgjë fetare në atë veprim”- shtoi ai.
Në Kosovë disa qytetarë konsiderojnë se festimi i Vitit të Ri paraqet mëkat. Madje në vitin 2023, të rinj në Kaçanik kishin djegur një bredh në oborrin e komunës.
Po atë muaj, Gjykata e Ferizajt kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit K.B., i dyshuar për veprën penale – nxitja, përçarja dhe mosdurimi.
Sipas njoftimit nga Gjykata, i dyshuari fillimisht më 28 dhjetor gjatë natës në Han të Elezit me dashje dhe publikisht ka përhapur urrejtje, përçarje dhe mosdurim mes grupeve kombëtare, racore, fetare ose etnike, duke printuar disa afishe me përmbajtje fetare rreth festës së Vitit të Ri.
‘’Fillimisht siguron materialin adekuat pastaj në shtëpinë e tij përgaditë, dizajnon dhe printon afishet të formatit A4 me përmbajtje: “Viti i Ri nuk është festë e jona mos festo festa e jo muslimanëve”. Në mes është bredh i gjelbërt i stolisur me drita dhe një X ngjyrë e kuqe, poshtë afishes: “Nuk është prej nesh ai që u përngjanë të tjerëve përveç neve, mos u përngjani çifutëve dhe krishterëve”, (Hadith)’’ – e ka përshkruar Gjykata veprën e të pandehurit.