Presidenti Aleksandar Vuçiq, derisa po qëndron në Moskë për paradën e Ditës së Fitores, ka folur rreth udhëtimit të tij në SHBA që u detyrua ta ndërpresë për shkak se u “sëmurë” befasisht. Vuçiq tha se s’dëshiron foto me Trumpin, por diskutime, derisa ka premtuar se do t’i nxjerrë disa gjëra më vonë.
“Do të shihni disa gjëra për të cilat as që dua të flas tani”, ka thënë Vuçiq.
Ai ka përmendur një takim që ka pasur me Trump gjatë mandatit të parë.
“Kam pasur biseda me të në Zyrën Ovale. Nuk më interesojnë fotot, më interesojnë se çfarë mund të bëj për njerëzit tanë. Unë e respektoj presidentin amerikan, besoj se ai po bën shumë gjëra të mira për botën”.
Për Vuçiqin, siç tha ai, “ishte më e vështirë” të mos takohej me të dërguarin e Trump, Richard Grenell, si dhe me Richard Bensent.
“Bensent vendos për tarifat tona dhe gjithçka tjetër”, tha ai.
Pas raportimeve se Vuçiq s’u lejua të marrë pjesë në një darkë dhe se një zyrtare e Trump ia mbylli derën, portali Pavlovic Today raportoi një citat të zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, që thuhet se kishte mohuar këto raportime.
Lëvizja “Kreni-promeni” akuzoi portalin Pavlovic Today për “spin klasik mediatik, i krijuar për tregun e brendshëm politik”.
Lëvizja thotë se qëllimi i lajmit është që të “lajë skandalin” e presidentit serb në SHBA.
Siç thuhet nga kjo lëvizje, Vuçiq ka tentuar të hyjë në darkën e donatorëve të Partisë Republikane në pronën e Trumpit në Mar-a-Lago në Florida, por i është refuzuar hyrja, gjë që ka shkaktuar një incident diplomatik.
“Kur presidenti i një vendi përpiqet të depërtojë fshehurazi nga dera e pasme drejt një ngjarjeje vendimtare për mbledhjen e ndikimit politik, nuk është vetëm një turp personal, por një gërryerje serioze e reputacionit të Republikës së Serbisë”, thotë Kreni-Promeni.
Nga ana tjetër, ata thonë se “përpjekja për të riparuar dëmin përmes mediave si Pavlovic Today është një shembull klasik i larjes së fakteve”./Express/