TenTen me Besa Luzhën: piano, perde plishi & aktivizëm pa pauzë - Gazeta Express
string(59) "tenten-me-besa-luzhen-piano-perde-plishi-aktivizem-pa-pauze"

Arte

Gazeta Express

22/06/2025 18:20

TenTen me Besa Luzhën: piano, perde plishi & aktivizëm pa pauzë

Arte

Gazeta Express

22/06/2025 18:20

Nga dhoma e fminisë me perde plishi, në skenat ndërkombëtare: pianistja dhe aktivist Besa Luzha flet për muzikën, herojt e saj dhe lumturinë e të bamit gjyshe.

Nëse mendoni se muzika klasike osht veç për ngjarje serioze me njerëz serioz, Besa Luzha e ka një rrëfim të fminisë që e dëshmon të kundërtën. Me një magnetofon të vjetër të babës, perde plishi të kuqe në dhomën e ndejës, dhe një kukull të parë, dhuratë nga daja, ka gjetë inspirim që sot e kësaj dite shpërthen në skena të muzikës, banka shkollore e qytetari të angazhume.

Besa osht pianiste e përkushtume, edukatore me diplomë doktorature në xhep, aktiviste që i bie fort jo vetëm pianos po edhe sustave të fjalës së lirë. Besa ka qenë në skenë (dhe prapa saj) që nga vitet ’90, kur nuk kishte as YouTube, e as fonde për kulturë. Sot osht krenare me Chopin Fest, që e ka bashkë-themelu e që osht shndërru në njo prej festivaleve kryesore dedikum pianos në krejt Ballkanin.

Në këtë TenTen të ri, flasim për nostalgjinë e inçizimeve familjare, Chopinin si partner imagjinar dueti, fmininë me pak lodra por shumë art e dashni, dhe për çka e nervozon më shumë: mediokritetin me glitter. Besa rrëfen me sinqeritet, humor dhe një dashni të madhe për muzikën, edukimin, dhe veçanërisht – për Bunën dhe Lumin, mbesën dhe nipin.

Për një jetë që e ndan midis skenës së festivalit dhe mbrojtjes së vlerave demokratike, kjo bisedë është një partiturë e plotë me nota të narta e të ulëta, por gjithmonë me dashni për art dhe progres n’shoqni.

Qe edhe një TenTen freskus në këtë vapën verore.

Tung Besa, cili është kujtimi jot më i hershëm i fëmijërisë që e mban në mend qartë?

Kujtimet nga fëmijëria janë të shumta, që nga loja në oborrin e shtëpisë me kukullën e parë, të blerë nga daja im, të cilën e çmoja shumë si lodër, e deri te shfaqjet që bënim në shtëpinë tonë. Në dhomën e ndejës kishim një ndarje me perde plishi të kuq, dhe disi e përdornim atë si skenë teatri ku recitonim, këndonim, aktronim, çdo mbrëmje me babin dhe mamin, që ishin publiku ynë. Babi kishte një magnetofon dhe na incizonte recitimet ose ritregimet e përrallave që i bënim çdo mbrëmje. Sot, kur e kujtoj, them sa me fat kam qenë për një qasje të tillë. Nuk kam pasur shumë lodra si fëmijë, por shumë dashuri dhe art. Në moshën 5-vjeçare e kam fituar një dhuratë – një piano të vogël ngjyrë portokalli – dhe më duket se aty kam marrë vendimin e parë: unë do të bëhem pianiste.

Cili libër, film apo vepër muzikore që e ke përjetuar, ta ka ndërruar opinionin krejt për diçka?

Libri Kukulla i Ismail Kadaresë dhe filmi The Schindler’s List më kanë bërë të reflektoj shumë për vlerën e jetës. Koncerti nr. 3 i Prokofjevit për piano dhe orkestër ka shërbyer si një “boost emocional” sa herë kam qenë pak më e mërzitur.

Kush janë heronjtë e tu?

Prindërit e mi janë heronjtë e mi, për gjithçka kanë bërë për ne, për të na rritur, edukuar dhe bërë njerëz të mirë. Babi na e ka mbjellë dashurinë për arsimin, artin, letërsinë dhe përkushtimin e ambicien. Mami na ka mbjellë dashurinë për mirësinë, guximin me e thënë gjithmonë të vërtetën pa frikë, aktivizmin, gatishmërinë me luftu për atë që duam me arritë, pa dorëzim. Ne jemi 5 fëmijë. Është një heroizëm të vërtetë mënyrën se si i kanë rritur 5 fëmijë duke mos lënë anash as jetën e tyre profesionale. Babi, në moshën 85-vjeçare, momentalisht është duke punuar në librin kushtuar intelektualit Latif Berisha, viktimë e luftës në Kosovë, i vrarë mizorisht nga serbët në Mitrovicë.
Mami, në moshën 80-vjeçare, është duke hartuar një monografi për heroizmin e mësimdhënësve në sistemin paralel të arsimit në Kosovë, nga perspektiva e saj si kryetare e atëhershme e Sindikatës së Arsimit të Mesëm në Kosovë.

Çka po të pengon apo të irriton apo të bën nervoze në këto kohë të sotme?

Mediokriteti dhe mungesa e kritikës së mirëfilltë artistike më irriton, sepse gjithçka “shitet” si art, dhe nuk ka një vlerësim të mirëfilltë për të rangar disi vlerat e vërteta. Gjithçka është e mrekullueshme, e shkëlqyeshme. Kështu nuk zhvillohemi. Duhet të ketë kritikë konstruktive për shfaqjet, koncertet, botimet, filmat, nëse duam të rrisim standardet.
Më pengon po ashtu mosmirënjohja e njerëzve për kontributin e personaliteteve të shquara në kohët e kaluara: shkrimtarë, muzikantë, aktorë, që disi janë harruar, sepse ndonjëherë mediat fokusin e kanë te personalitetet ad-hoc, tiktokiane apo facebookiane, duke mos vlerësuar kontributet e mirëfillta të personaliteteve të shquara që sot mund të jenë në pension apo që nuk jetojnë më.

Je themeluese e Chopin Fest-it. Cili është dallimi më i madh ndërmjet edicionit të parë dhe këtij të fundit?

Si bashkëthemeluese, e nisëm festivalin bashkë me profesoreshën Lejla Pula, ideja e së cilës ishte të zhvillohej ky festival në 200-vjetorin e lindjes së Chopin më 2010. Tani, 15 vite më pas, jemi shumë të kënaqura për nivelin artistik dhe organizativ të festivalit, ku vit pas viti performojnë artistë të shquar nga skena botërore pianistike.
Në edicionin e parë, me përkrahje modeste, në Sallën e Kuqe, patëm zhvilluar 10 koncerte, ku dominonte paraqitja e artistëve vendorë dhe disa mysafirë të huaj. Por koncepti i vendosur që

atëherë nuk ka ndryshuar shumë: pianoja është në qendër – qoftë me solistë, ansambël kamertal apo me orkestër. Kemi rritur numrin e koncerteve në rreth 15 koncerte përgjatë muajit. Është sofistikuar pamja skenike, organizimi, dhe vazhdimisht mbetet synimi për të ofruar mbrëmje me artistë kulmorë dhe vlera artistike me standard të lartë, krahasimtar me koncertet e ngjashme në sallat më prestigjioze evropiane e më gjerë.
Natyrisht, jemi në vazhdimësi duke parë për të përfshirë risi organizative, por edhe në përmbajtje – koncerte tematike, hapësirë për talentët e rinj, inicimin e krijimtarisë vendore pianistike, etj.

Kur ke qenë më e lumtura ndonjëherë?

Unë kam 3 fëmijë të mrekullueshëm, por lindja e mbesës së parë për mua ka qenë një lumturi e papërshkrueshme. Ishte një ndjenjë krejtësisht tjetër – të bëhesh gjyshe, të përjetosh vazhdimësinë e brezave. Buna, mbesa ime, është diçka shumë speciale që më ka bërë jashtëzakonisht të lumtur, por edhe nipi Lumi më ka dhuruar të njëjtën ndjenjë. Megjithatë, e pranoj se me Bunën kam një lidhje shpirtërore më të veçantë.

Je aktiviste si në muzikë ashtu edhe në shoqëri civile. Çka i lidh këto dyja – apo i ke dy anë të ndara të veprimtarisë tënde?

Kur fola më sipër për prindërit e mi, përshkrova shumëdimensionalitetin e tyre me të cilin na kanë edukuar. Duket se ky dualitet është trashëguar disi – aktivizmi qytetar dhe profesional janë të pandashëm. Si artiste, si intelektuale dhe si grua, si njeri, nuk mund të zhvillohesh e të mos angazhohesh për parime bazike e vlera universale si liria, barazia, drejtësia, mosdiskriminimi dhe demokracia.
Ne jemi qenie politike, pavarësisht profesionit, dhe është detyrë njerëzore të ngremë zërin kur mohohet liria e shprehjes apo e veprimit, kur ka padrejtësi apo diskriminim, dhe kur sulmohet demokracia. Prandaj këto ndërlidhje janë të natyrshme.
Pastaj, rrethanat pas çlirimit kanë bërë që të angazhohem profesionalisht në këto dy rrafshe – në universitet, me muzikë, dhe në fondacionin politik gjerman social-demokrat Friedrich Ebert Stiftung. Natyrshëm, kam vepruar në këto dy binarë për 23 vite rresht.
Në vitin 2022 vendosa të fokusohem më shumë te puna profesionale artistike dhe e edukimit muzikor, por edhe pse u largova nga fondacioni, vazhdoj të merrem me analiza, opinione dhe aktivitete të aktivizmit qytetar.