Tensione në parlamentin e Serbisë, deputetët e Luginës përplasen me Daçiqin - Gazeta Express

Tensione në parlamentin e Serbisë, deputetët e Luginës përplasen me Daçiqin

Gazeta Express

22/10/2020 14:36

Në një seancë të Parlamentit serb ku pritet të zgjedhet Ivica Daçiq, ish-ministri i Jashtëm, kryeparlamentar, ka pasë një debat me deputetët shqiptarë që po kundërshtojnë një vendim të tillë.

Deputetët e listës “Lugina e Bashkuar – SDA Sanxhak” u përplasen me ata socialistët e partisë së Daçiqit, të cilët po thonë se ardhja e tij në postin e kryekuvendarit është një “simbol i demokracisë”.

Deputeti Shaip Kamberi tha se deputetët e atij grupi nuk do të mbështesin këtë propozim, shkruan gazeta “Danas”.

Kamberi tha se “nuk mund të shikohet drejt së ardhmes nëse një komb nuk përballet me të kaluarën e tij” dhe se Daçiqi ishte “pjesë e elitës politike që shkaktoi luftëra të përgjakshme në territorin e ish-Jugosllavisë”.

Ai në Kuvend ngriti edhe shqetësimin për “fshirjen e vendbanimit të qytetarëve, e cila ndikoi në zvogëlimin e numrit të banorëve në Bujanovac, Preshevë dhe Medvegjë”.

Kamberi nuk e la me kaq.

“Ai (Daçiqi) gjithashtu po bën thirrje për fshehjen e zbulimit të mundshëm të varreve masive që ekzistojnë në Serbi dhe për këtë arsye nuk do të marrë votën tonë. Nëse mohimi i krimeve të luftës dhe mbulimi i varreve të mundshme masive nuk është një arsye e mjaftueshme, atëherë kjo shoqëri ka një problem të madh”./kk/