Tensione në Azi, aeroplanmbajtëset e SHBA bëjnë manovra në Detin e Kinës së Jugut - Gazeta Express

Tensione në Azi, aeroplanmbajtëset e SHBA bëjnë manovra në Detin e Kinës së Jugut

Lajme

Gazeta Express

05/07/2020 22:28

Marina e SHBA njofton se dy aeroplanmbajtëse amerikane po zhvillojnë manovra në Detin e Kinës së Jugut, një hapësirë ujore që është bërë objekt polemikash.

Ndërkaq, edhe Kina ka kryer stërvitje ushtarake që janë kritikuar nga Pentagoni dhe vendet fqinje.

Kina dhe Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar njëra-tjetrën për nxitjen e tensioneve në rrugët strategjike detare, në një kohë marrëdhëniesh të tendosura në shumë aspekte, nga koronavirusi e deri te tregtia dhe Hong Kongu.

Aeroplanmbajtëset USS Nimitz dhe USS Ronald Reagan po kryejnë operacione dhe stërvitje në Detin e Kinës së Jugut “për të mbështetur një zonë të lirë dhe të hapur në Indo-Paqësor,” tha marina amerikane në një deklaratë.

Në deklaratë nuk thuhej se ku saktësisht po bëheshin stërvitjet në Detin e Kinës së Jugut, i cili shtrihet në rreth 1.500 kilometra dhe për 90 për qind të të cilit Kina ka pretendime, pavarësisht protestave të fqinjëve të saj.

“Qëllimi është të japim një sinjal të qartë për partnerët dhe aleatët tanë se ne jemi të përkushtuar ndaj sigurisë dhe qëndrueshmërisë rajonale”, u citua nënadmirali George M. Wikoff nga gazeta Wall Street Journal, e cila njoftoi e para për manovrat.

Nënadmirali Wikoff, komandant i grupit sulmues, të udhëhequr nga aeroplanmbajtësja Ronald Reagan, tha se manovrat nuk bëhen si kundërpërgjigje ndaj atyre të zhvilluara nga Kina. Javën që kaloi, Pentagoni i kritikoi stërvitjet e Kinës si “kundër-produktive ndaj përpjekjeve për zbutjen e tensioneve dhe ruajtjen e stabilitetit.”

Të premten Kina hodhi poshtë kritikat e SHBA për stërvitjet e saj dhe la të kuptohet se Shtetet e Bashkuara janë përgjegjëse për rritjen e tensioneve.

Aeroplanmbajtëset e SHBA kryejnë prej kohësh stërvitje në Paqësorin Perëndimor, duke përfshirë Detin e Kinës së Jugut, sipas Marinës amerikane.

Kina njoftoi javën e kaluar se kishte planifikuar pesë ditë stërvitje, duke filluar nga 1 korriku pranë Ishujve Paracel, për të cilat kanë pretendime Vietnami dhe Kina.

Vietnami dhe Filipinet kanë kritikuar gjithashtu planifikimin e stërvitjeve kineze, duke paralajmëruar se ato mund të krijojnë tension në rajon dhe të keqësojnë marrëdhëniet e Pekinit me fqinjët.

Shtetet e Bashkuara e akuzojnë Kinën se po përpiqet të frikësojë fqinjët e saj aziatikë që mund të duan të shfrytëzojnë rezervat e mëdha të naftës dhe gazit në këtë rajon detar.

Brunei, Malajzia, Filipinet, Tajvani dhe Vietnami gjithashtu kanë pretendime ndaj disa pjesëve të Detit të Kinës së Jugut, përmes të cilit kalon rreth 3 trilion dollarë tregti çdo vit./ Reuters