Tenderi i ushqimit për Policinë e Kosovës, INPO ngre shqetësime për ligjshmëri - Gazeta Express
string(77) "tenderi-i-ushqimit-per-policine-e-kosoves-inpo-ngre-shqetesime-per-ligjshmeri"

Lajme

Gazeta Express

05/02/2026 14:40

Tenderi i ushqimit për Policinë e Kosovës, INPO ngre shqetësime për ligjshmëri

Lajme

Gazeta Express

05/02/2026 14:40

INPO ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në tenderin për shërbime me ushqim për Policinë e Kosovës, duke ngritur shqetësime serioze për ligjshmërinë, transparencën dhe integritetin e procesit të prokurimit publik.

“Në vazhdën e monitorimit të tenderit për ushqim për Policinë e Kosovës, INPO reagon ndaj zhvillimeve të fundit që thellojnë shqetësimet për ligjshmërinë, transparencën dhe integritetin e procesit të prokurimit publik”, thuhet në komunikatën për media.

Sipas INPO-s, organizata kishte reaguar që në nëntor të vitit të kaluar për problematikat e identifikuara në tenderin e hapur për shërbime ushqimore për Policinë e Kosovës, me vlerë të parashikuar 2.7 milion euro për 36 muaj, i cili u anulua në dhjetor 2025.

“Aktualisht, ligjshmëria e anulimit të këtij tenderi është në shqyrtim në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP)”, theksohet më tej.

INPO bën të ditur se, pavarësisht kësaj, Policia e Kosovës ka lidhur një kontratë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, në vlerë prej 650 mijë euro për vetëm tre muaj.

“Pas anulimit të tenderit të hapur dhe derisa çështja është ende në shqyrtim në OShP, Policia e Kosovës ka lidhur një kontratë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, në vlerë 650 mijë euro për vetëm 3 muaj, për të njëjtin objekt kontrate dhe për të njëjtat nevoja të parashikueshme”, thuhet në njoftim.

Sipas INPO-s, kjo procedurë ka pasoja të drejtpërdrejta financiare për buxhetin publik.

“Kontrata e negociuar i kushton Policisë së Kosovës rreth 216 mijë euro në muaj, ndërkohë që tenderi i hapur i planifikuar për 36 muaj parashihte një kosto mesatare prej rreth 75 mijë euro në muaj”, thekson organizata, duke shtuar se “procedura e negociuar rezulton të jetë gati trefish më e shtrenjtë në baza mujore sesa një procedurë e rregullt konkurruese”.

INPO shpreh shqetësim të veçantë edhe për operatorin ekonomik të përzgjedhur.

“Edhe më shqetësues është fakti se kjo kontratë e negociuar është lidhur pikërisht me operatorin ekonomik që në procedurën e hapur ishte shpallur i papërgjegjshëm,” thuhet në komunikatë, duke vlerësuar se ky kontrast “minon besueshmërinë e vlerësimit institucional dhe krijon dyshime të bazuara për trajtim selektiv dhe favorizim”.

Organizata vlerëson se rreziku që kontratat e negociuara të kthehen në praktikë është real. “Kjo krijon një rrezik real që kontrata e negociuar të mos mbetet përjashtim i përkohshëm, por të shndërrohet në praktikë të përsëritur”, paralajmëron INPO.

Në fund, INPO thekson se do të vazhdojë të ndjekë rastin.

“INPO do të vazhdojë monitorimin e kësaj procedure dhe do t’i adresojë gjetjet e saj tek institucionet mbikëqyrëse dhe ato të zbatimit të ligjit, me qëllim të mbrojtjes së interesit publik, parasë publike dhe integritetit të prokurimit publik”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Advertisement
Advertisement
Advertisement