Europa Jugore po përjeton një valë të nxehti përvëluese, me temperatura që arrijnë deri në 46 gradë Celsius në rajonin Huelva të Spanjës — një rekord i ri kombëtar për muajin qershor. Ndërkohë, Italia, Greqia, Portugalia dhe Ballkani Perëndimor po përballen gjithashtu me temperatura përvëluese, zjarre masive dhe viktima në radhët e civilëve.
Një eksperte e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dha të hënën një paralajmërim të ashpër, duke kërkuar më shumë veprime për të ndaluar dhjetëra mijëra vdekje “të panevojshme dhe kryesisht të parandalueshme”.
“Nuk është më çështje nëse do të kemi një valë të nxehti, por sa shumë do të kemi këtë vit dhe sa gjatë do të zgjasin,” tha Marisol Yglesias Gonzalez, zyrtare teknike për ndryshimet klimatike dhe shëndetin pranë OBSH në Bon.
Sa i përket numrit të personave që mund të jenë në rrezik, Pierre Masselot, statistikani në Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër, tha për POLITICO se kjo valë e të nxehtit mund të shkaktojë mbi 4,500 vdekje më shumë mes 30 qershorit dhe 3 korrikut. Vendet që pritet të përjetojnë normat më të larta të vdekjeve të tepërta janë Italia, Kroacia, Sllovenia dhe Luksemburgu, shtoi ai. “Ditët më të rënda do të jenë të martën dhe të mërkurën.”
Të nxehtit i merr jetën më shumë se 175,000 njerëzve çdo vit në rajonin europian të OBSH-së — nga Islanda deri në Rusi. Një studim i rëndësishëm, i bashkautorësuar nga Masselot dhe i publikuar në janar, që analizoi 854 qytete europiane, paralajmëronte se vdekjet nga të nxehtit do të rriteshin ndjeshëm nëse nuk jepet përparësi përshtatjes klimatike.
OBSH-ja përsëriti të hënën se ndryshimet klimatike, të nxitura nga djegia e karburanteve, do të çojnë në më shumë valë të nxehti, më të shpeshta, më të rrezikshme dhe më intensive, duke sjellë më shumë sëmundje serioze dhe vdekje.
Pothuajse dy të tretat e qyteteve spanjolle janë përfshirë nga paralajmërime për rreziqe shëndetësore, përfshirë 804 zona në nivelin më të lartë të alarmit, sipas të dhënave nga agjencia kombëtare e motit Aemet. Një zëdhënës njoftoi se i nxehti intensiv do të zgjasë në të gjithë vendin deri më 3 korrik. Ndërkohë, paralajmërime për nxehtësi janë shpallur edhe në Francë, Itali, Portugali dhe Greqi.
Qeveria greke ka lëshuar gjithashtu paralajmërime për ndotjen e ajrit të shkaktuar nga zjarret që kanë përfshirë qytetet bregdetare pranë Athinës. Ndërkohë, mbi 50,000 persona janë evakuuar në Turqi, kryesisht për shkak të një zjarri afër Izmirit.
Në Shqipëri, janë raportuar 26 vatra zjarri mes të dielës dhe të hënës, ndërsa në Serbi, meteorologët raportuan se e enjtja e kaluar ishte dita më e nxehtë që kur kanë nisur matjet, që prej shekullit XIX.
OBSH ka këshilluar të mbahet trupi i hidratuar, të shmanget nxehtësia gjatë mesditës dhe të mbahen ambientet e brendshme të freskëta, veçanërisht për grupet e ndjeshme, përfshirë të moshuarit, fëmijët, punonjësit në ambient të hapur, gratë shtatzëna dhe ata me probleme kronike shëndetësore. Ata që përdorin ilaçe si antidepresantë apo medikamente për tensionin duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm, shtoi Yglesias Gonzalez, pasi këto mund të ndikojnë në aftësinë e trupit për të rregulluar temperaturën.
Megjithatë, nuk mjafton vetëm të menaxhojmë valët e të nxehtit kur ato ndodhin, por të jemi më të përgatitur, tha OBSH. Në një anketë të vitit 2022, vetëm 21 nga 57 vendet e rajonit europian të OBSH-së kishin raportuar se kishin një plan kombëtar për shëndetin gjatë valëve të të nxehtit. Nga këto, vetëm 14 ishin pjesë e BE-së.
Nga rekomandimet kryesore të OBSH-së, më të zbatuarat janë sistemet e paralajmërimit në kohë dhe fushatat informuese. Por shtetet po mbeten pas në përgatitjen e sistemit shëndetësor dhe në parandalimin e ekspozimit ndaj të nxehtit përmes planifikimit më të mirë urban, tha Yglesias Gonzalez.
OBSH do të publikojë udhëzime të reja të përditësuara për qeveritë vitin e ardhshëm, përfshirë këshilla mbi strategjitë e “freskimit të përqendruar te njerëzit” në nivel urban dhe rajonal për të mbrojtur popullsinë nga i nxehti, shtoi ajo shkruan Politico.