Skema programore e Televizionit T7 nga sonte do të pasurohet me disa prej serialeve më të njohura vendore. “Stupcat”, “ShengenViza”, “Hamdiu dhe Shyretja” dhe “Ekspertiza” – prodhime të “Gjirafës” – do të vijnë çdo natë në ekranin tuaj.
Nga e hëna deri të premten, në orën 20:05 dhe në orën 22:20, do të mund t’i ndiqni legjendat e humorit kosovar dhe aktorët më të mirë të dekadës së fundit, në projektet më të rëndësishme televizive. Për herë të parë në Televizionin T7.
Televizioni më i ri në vend, T7, i cili është shndërruar brenda pak kohësh në televizionin më të ndjekur në vend, nga e hëna vjen me një skemë plotësisht të re programore.
Serialet më të dashura për publikun kosovar, do të vijnë në ekranin tuaj çdo mbrëmje, nga e hëna deri të premten.
Dhe, gjithçka do të nisë sonte.
“Stupcat”, projekti më i madh i humorit në Kosovë, do të vijë në ekranet tuaja çdo të hënë dhe të martë, në orën 20:05.
“ShengenViza”, seriali më i ndjekur vendor, do të transmetohet çdo të mërkurë dhe të enjte në orën 20:05.
“Hamdiu dhe Shyretja”, mini-seriali i famshëm në rrjetet sociale, ndërkaq, do të transmetohet çdo natë nga ora 22:20.
“Ekspertiza”, debati satirik i aktorëve më të dashur për publikun kosovar, do të vijë, po ashtu, shumë shpejt në ekranin e Televizionit T7.
Të gjithë serialet janë prodhim i “GjirafaVideo” dhe transmetohen për herë të parë në një televizion.
Por, befasitë në skemën programore të Televizionit T7 nuk përfundojnë këtu.
Përveç emisioneve të etabluara tashmë; si “Pressing”, DPT me Fidanin”, “FrontalLIVE”, “Gjesi”, Prizma”, “Debat me Agim Kasapollin”, “A show” me Adi Krastën, “Favorit”, “Liga e Kampioneve” etj., Televizionit T7 në këtë sezon shumë shpejt do t’i shtohen edhe një sërë emisionesh tjera dhe figura shumë të dashura të ekranit kosovar.