Ambasadori i Kosovës në Poloni, Drilon Gashi, ishte i ftuar në një emision në mediumin publik polak për të folur pas anëtarësimit të Kosovës në Bordin e Paqes, nismës së presidentit Trump.
Gashi aty deklaroi se Kosova ka “një vend të qëndrueshëm” në sistemin ndërkombëtar dhe mbetet e përkushtuar ndaj një rruge pro-europiane dhe transatlantike.
Gazetari polak pyeti Gashin për iniciativën e Trumpit dhe për ‘shpejtësinë’ me të cilën Kosova e pranoi ftesën për t’iu bashkuar, transmeton Gazeta Express.
Gashi e përshkroi këtë veprim si strategjik dhe simbolik.
“Ne mendojmë se kemi qenë një përfitues i madh i përpjekjeve ndërkombëtare për paqe në vendin tonë dhe në rajonin tonë”, tha ai, duke shtuar se Kosova mund të “shërbejë si shembull për vendet jashtë vendit”.
Për mosratifikimin nga Parlamentit të anëtarësimit të Kosovës në këtë bord, Gashi për televizionin polak tha se kjo vjen për shkak të tranzicionit paszgjedhor në Kosovë.
“Kjo pritet të ndodhë pas konstituimit të Parlamentit nga zgjedhjet e fundit të dhjetorit”, theksoi ai.
Gashi u pyet nga gazetari nëse kjo do të miratohet nga Parlamenti pavarësisht mosdeklarimit rreth anëtarësimit nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
“A mund të presim që kjo të miratohet kur qeveria më në fund të formohet?”, pyeti gazetari.
“Këtë e presim dhe në sistem tonë politik, kemi një sistem hibrid në mes të Presidentes dhe Kryeministrit, por politika e jashtme udhëhiqet nga Presidentja”.
Duke folur për shqetësimet rreth paqëndrueshmërisë politike, Gashi hodhi poshtë idenë e bllokimit të zgjatur.
“Kosova është shumë më mirë sesa reputacioni i saj”, tha ai, duke argumentuar se zgjedhjet e fundit prodhuan një mandat të qartë për formimin e qeverisë.
Për qeverinë e ardhshme, Gashi tha se do të ketë para vetes detyra të menjëhershme duke përfshirë miratimin e buxhetit, ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe zgjedhjen e një presidenti të ri para marsit.
Lidhur me marrëdhëniet me Serbinë, Gashi tha se pavarësia e Kosovës ishte “një fakt” dhe “e pakthyeshme”, pavarësisht refuzimit të vazhdueshëm nga Beogradi.
Ai shtoi se Kosova shpresonte për një Serbi më demokratike të rrënjosur në sundimin e ligjit, duke e quajtur atë “një fqinj më të mirë” për të gjithë rajonin.