Telekomi thellohet në krizë, po ka probleme edhe me rrjetin e telekomunikimit - Gazeta Express
string(76) "telekomi-thellohet-ne-krize-po-ka-probleme-edhe-me-rrjetin-e-telekomunikimit"

Gazeta Express

21/11/2020 18:56

Telekomi thellohet në krizë, po ka probleme edhe me rrjetin e telekomunikimit

Gazeta Express

21/11/2020 18:56

Telekomi i Kosovës ka probleme të mëdha me rrjetin e telekomunikimit për shkak se ka vite që nuk është bërë asnjë investim në mirëmbajte apo investime tjera, thotë Menduh Abazi, drejtor i departamentit për marrëdhënie me publikun në Telekomin e Kosovës.

“Rrjeti i Telekomit është duke funksionuar me shumë telashe. Që shërbimet tona të jenë kualitative duhen investime urgjente në këtë pjesë të kompanisë”, thotë Abazi.

Lexo Edhe:

Në bazë të planit të rimëkëmbjes së Telekomit të Kosovës, Abazi shton se kanë parapa investime milionëshe brenda një afati trevjeçar, ku me përfundimin e tyre do të sigurohet stabilitet edhe teknik edhe financiar.

Telekomi i Kosovës është duke kaluar në një krizë financiare për shkak të borxheve të akumuluara ndër vite. Kjo kompani i ka borxh mbi 25 milionë euro kompanisë Z-Mobile për shkak të mospërmbushjes së një kontrate nga ana e Telekomit.

Së fundmi, për një javë Telekomi i Kosovës kishte të bllokuara llogaritë bankare nga një përmbarues privat i kompanisë Z-Moblie. Këto llogari u zhbllokuan të hënën, më 16 nëntor, vetëm pas një marrëveshjeje që u arrit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë Z-Mobile.

Më këtë marrëveshje, Telekomi obligohet që brenda 24 muajve, duke filluar nga 15 janari i vitit 2021, të shlyejë komplet borxhin ndaj kompanisë.

Ndërprerja e shërbimeve rrezikon sigurinë nacionale

Kjo krizë financiare dhe jostabilitet teknik ngre shqetësime të mëdha për ekspertin e telekomunikimeve, Driart Elshani.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se një rënie e shërbimeve do të ndikonte edhe në sigurinë nacionale.

“Nëse ndërpriten shërbimet e telekomunikimit, atëherë kjo rrezikon edhe sigurinë nacionale të vendit, pasi që të gjitha shërbimet e emergjente të komunikimit shkojnë përmes rrjetit të Telekomit të Kosovës”, thotë ai.

Telekomi i Kosovës, shton Elshani, është duke ofruar shërbime të një kualiteti jo të duhur.

Sipas tij, është koha e fundit që Telekomi të bëjë prioritet kualitetin e shërbimeve të telekomunikimit, pasi që tani edhe pandemia me COVID-19, ka rritur në masë të madhe përdorimin e teknologjisë.

“Telekomi i Kosovës duhet t’i kushtojë rëndësi kualitetit të shërbimeve, nëse kemi ndonjë ndërprerje në komunikim kjo mund të afektojë edhe situatën rreth pandemisë”, thotë Elshani.

Zhbllokimi i llogarive nuk e përmirëson gjendjen në Telekom

Sidoqoftë, zhbllokimi i llogarive bankare të Telekomit të Kosovës, sipas drejtorit të departamentit për marrëdhënie me publikun në Telekomin e Kosovës, Menduh Abazi ka krijuar kushtet minimale për funksionim të korporatës, por për të siguruar stabilitet teknik dhe financiar, sipas tij, kërkohen investime milionëshe.

“Zhbllokimi i llogarive bankare të Telekomit të Kosovës ju jep mundësi që të angazhohen në kryerjen e detyrave dhe obligimeve ditore. Kjo na krijon kushtet minimale për funksionim të korporatës, duke marrë parasysh se jemi në mesin e muajit dhe nga llogaritë tonë janë tërhequr afërisht 3 milionë euro dhe ne jemi vonuar tashmë me shumë pagesa. Kjo na vë në një pozitë shumë të papërshtatshme”, thotë Abazi.

Që Telekomi i Kosovës të ngritë kapacitetet teknike, me çka do të garantonte edhe rritje të të hyrave, thotë Abazi, duhen investime urgjente.

Për këtë shton, ai i kanë prezantuar Qeverisë së Kosovës një plan të rimëkëmbjes së Telekomit dhe presin që brenda disa ditëve, qeveria të ndihmojë në realizimin e këtij plani.

Mosrealizimi i këtij plani apo edhe një bllokim tjetër i llogarive të Telekomit të Kosovës, sipas Abazit do të ishte fatale për kompaninë.

Qeveria e Republikës së Kosovës është pronare e 100 për qind të aksioneve të Telekomit të Kosovës.

Në Telekomin i Kosovës operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala me mbi 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi.

Telekomi i Kosovës deri në vitin 2015 ishte njëra nga kompanitë më fitimprurëse në vend.

Kjo kompani ishte një kontribuues i fuqishëm i buxhetit të vendit. Për çdo vit, i kishte sjellë arkës së shtetit miliona euro.

Nga viti 2008 deri në vitin 2015, kjo kompani i ka paguar Qeverisë së Kosovës mbi 250 milionë euro dividendë.

Dividendi, sipas ligjit, ndahet në rast se kompania përkatëse shënon rezultate të mira financiare. /REL