Telegrafi serb ia bën profilin Xhulit pas deklaratës në T7 se do të shkojë me flamur të UÇK'së në Leskovc, e quan "premtim brutal" - Gazeta Express
string(126) "telegrafi-serb-ia-ben-profilin-xhulit-pas-deklarates-ne-t7-se-do-te-shkoje-me-flamur-te-uckse-ne-leskovc-e-quan-premtim-brutal"

Futboll

Gazeta Express

08/10/2025 0:35

Telegrafi serb ia bën profilin Xhulit pas deklaratës në T7 se do të shkojë me flamur të UÇK’së në Leskovc, e quan “premtim brutal”

Futboll

Gazeta Express

08/10/2025 0:35

Deklarata e bërë nga Xhuliana Nura në emisionin “Favorit” në Televizionin T7 ka bërë jehonë të madhe në mediat serbe.

Portali Telegraf.rs i ka kushtuar një artikull të gjatë modeles dhe influencueses nga Kosova, duke e quajtur “premtim brutal” paralajmërimin e saj se do të udhëtojë në Leskovc me flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në artikullin e Telegrafit thuhet se “për ndeshjen vendimtare mes Serbisë dhe Shqipërisë ka interesim të madh në gjithë rajonin”, ndërsa theksohet se Xhuliana Nura, ish-pjesëmarrëse e Big Brother dhe modele e njohur, ka siguruar biletë për ndeshjen dhe ka dhënë “një premtim që ka ngritur tensionet në Serbi”.

Media serbe kujton se deklarata e Nurës u bë në emisionin “Favorit” në T7, ku ajo tha se do të jetë në stadiumin e Leskovcit me flamurin e UÇK-së, pavarësisht rrezikut. “Do të jem në ndeshje kundër Serbisë me flamurin e UÇK-së. Kam pasaportë finlandeze, nuk më pengon askush, sepse kam njerëz atje”, është citimi që Telegraf.rs e ka përfshirë në artikullin e tij.

Aty përmendet edhe një deklaratë që Nura e kishte dhënë më herët në “Favorit” për ndeshjen e Shqipërisë ndaj Serbisë të zhvilluar në qershor në Tiranë, ku kishte thënë se biletën ia kishte siguruar presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.