Kuvendi i Kosovës sot miratoi Rezolutën për të vërtetën historike dhe dinjitetin e viktimave të luftës Kosovë më1998-1999.
Kjo rezolutë u propozua nga Partia Demokratike e Kosovës pas ekspozitës në sheshin e Prishtinës, e cila pati pasaktësi për masakrat në Kosovë gjatë luftës së fundit.
Ajo mori mbështetje unanime me 90 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Ndër të tjera, kjo rezolutë kërkon që organet e drejtësisë të hetojnë nëse ka vepra penale lidhur me paraqitjen e fakteve në këtë ekspozitë.
R E Z O L U T Ë
Duke kujtuar sakrificën e jashtëzakonshme dhe kontributin historik të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, të shprehur përmes dekadave të rezistencës politike e qytetare dhe të kulmuar me luftën çlirimtare, duke nderuar dhe përkujtuar me respekt të thellë të gjithë të vrarët, dëshmorët dhe martirët e kombit që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, si dhe duke theksuar rolin vendimtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si forcë organizuese dhe mbrojtëse e aspiratave për çlirim, mbi të cilat është ndërtuar shteti i pavarur dhe sovran i Republikës së Kosovës;
Duke theksuar se mbrojtja dhe afirmimi i së vërtetës historike, si dhe respektimi i dinjitetit të viktimave, të të mbijetuarve dhe të gjithë atyre që kontribuan në lirinë e vendit, përbëjnë detyrim të patjetërsueshëm kushtetues, moral dhe shtetëror, në funksion të ruajtjes së identitetit kolektiv dhe të drejtës historike;
Duke shprehur shqetësimin e thellë për çdo përpjekje, qoftë përmes aktiviteteve publike, publikimeve apo formave të tjera të komunikimit, që synojnë shtrembërimin, relativizimin apo interpretimin e pasaktë dhe tendencioz të ngjarjeve të luftës në Kosovë, duke cenuar kështu të vërtetën historike dhe ndjenjat e qytetarëve;
Duke vlerësuar rëndësinë thelbësore që trajtimi i historisë së luftës së Kosovës të bëhet në mënyrë profesionale, objektive dhe të bazuar në fakte të verifikuara dhe burime kredibile, në përputhje me standardet shkencore dhe profesionale, veçanërisht në hapësirat publike, institucionale dhe arsimore;
Duke theksuar nevojën për ruajtjen dhe forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet e Republikës së Kosovës, përmes mbrojtjes së narrativës së bazuar në të vërtetën historike, transparencës institucionale dhe përgjegjësisë publike në trajtimin e çështjeve që lidhen me luftën dhe pasojat e saj.
KUVENDI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS: