Jo gjithçka e pa të keq është e mirë dhe jo gjithçka nën petkun e edukatës është në të vërtetë sjellje e dëshiruar dhe e pranuar. Shprehja mund të mos e arsyetojë qëllimin
Meqë në njëfarë mënyre zanati im është të ankohem (po ankimi është shprehje e shqetësimit, jo vetëm të një gjendjeje personale egoistike, por edhe grupore, shoqërore, jo vetëm të përkohshme, por madje edhe të përhershme), atëherë po vazhdoj ta bëj atë që e kam për zanat. Por, gjithsesi, nuk mendoj se pretendoj ndonjë gjë më tepër nga ajo që është madje edhe konvencionale, ndonjë gjë më tepër nga ajo që është, në terma të qartë, kulturë edhe edukim.
E vërteta është se nëse jam, ta zëmë, në një dyqan dhe nëse të gjitha çmimet janë të vëna tek artikujt, siç e do rendi dhe ligji (siç do të duhej të ishte, pra, por nuk është), pastaj tek arka e pagesës shoh në ekran shumën që duhet të paguaj – e ngritja e pandalshme e çmimeve dhe të mos kesh pastaj një adresë autoritative, të përgjegjshme dhe të ndërgjegjshme, ku të ankohesh dhe të qash hallet është një ankesë shtesë për t’u ankuar – po qe e mundur do të isha shumë i lumtur të mos nxirrja asnjë zë nga goja për të bezdisur veshin e tjetrit, të mos më dëgjonte veshi asnjë zë nga goja e tjetrit. Natyrisht, kjo është vetëm një shprehje, që assesi nuk e mohon faktin e parë dhe të mbramë se ne jemi qenie shoqërore dhe komunikative. Thjesht doja të thosha se mimika ndonjëherë është më e zonja e mirësjelljes se sa fjalët e thata dhe të ngjirura. Edhe kur nuk jemi të vetëdijshëm për të, ndoshta pikërisht pse nuk jemi të vetëdijshëm për të. Sigurisht, do të më falet ky ekzagjerim. Tingëllon shumë bukur, por, e dimë pra dhe po e përsërisim, moskomunikimi nuk është ideali i kulturës. Ashtu siç atë ideal e dëmton më së rëndi dërdëllitja. Dhe pastaj në njëfarë mënyre edhe ajo që është në të vërtetë vjega e këtij teksti: adresimi i gabuar.
***
Mosha – ma ha mendja se mund të përdor këtë përkufuzim të rreptë dhe në të njëjtën kohë gati se banal –është pellgu i narcizmit tonë. Në kuptimin se si së pari na paraqet para të tjerëve (po u përket pastaj të tjerëve të jenë të saktë në kapjen e asaj që shohin) dhe se si së dyti ndikon në vetë veprimet dhe mendimet tona. Si një metaforë edhe do të mund të na bënte të vinim buzën në gaz, por si një e vërtetë e pastër do të na bënte të peshonte mbi supe, duke na anuar frikshmërisht poshtë.
***
Do të shkëpus një pasazhëz nga libri i fundit i Shpëtim Selmanit (‘Askush nuk e meriton zemërimin tim’, Onufri, 2025, fq. 94), përkatësisht nga kapitulli ‘Ciklopët’, për të rrokur një tjetër aspekt-shqetësim, me të cilin shpesh na bën vaki të përballemi dhe për të cilin unë vazhdoj të vras mendjen pa gjetur ndonjë përgjigje të kënaqshme.
«Më thotë: – Ulu. – Jo. Nuk ka nevojë. – Ulu, axhë. Ulem ngase më thotë axhë.»
Përfytyrojeni pra situatën më nga afër: një skenë e trafikut urban, narratori është një person mbase ende pa i mbërritur të dyzetat e tij dhe një person tjetër, në rininë e hershme, në njëfarë mënyre e konsideron tashmë të mbaruar. Dikush që nuk mund të rrijë më në këmbët e veta dhe të tjerët, të rinjtë, nga mëshira dhe edukata – me mendjen e tyre, pa të keqen e tyre – duhet t’ia lirojnë vendin, pas një adresimi aspak të këndshëm, aspak të mirëpritur. Duke e bërë atë gjë, besojnë ata, misioni i tyre do të jetë përmbushur. Do të jetë bërë ajo që e kërkon e pashkruara, por e nënkuptuara. Natyrisht, pra, pa të keq. Përkundrazi. E megjithatë, jo gjithçka e pa të keq është e mirë dhe jo gjithçka nën petkun e edukatës është në të vërtetë sjellje e dëshiruar dhe e pranuar. Shprehja mund të mos e arsyetojë qëllimin. Realizimi mund të mos e arrijë atë që ishte ideuar dhe planifikuar. Atëherë kjo pa dashje do të çojë të më e padëshirueshmja: te një zemërim dhe zhgënjim për të adresuarin dhe te një turpërim (po pati këtë përkulshmëri intelekti) për adresuesin. Kësodore gjithë ajo që duhej të shkonte mirë, ka shkuar keq. Individët marrë në vetvete e pësojnë këtë, por e gjithë kjo nuk është rrjedhojë e karakterit të atyre individëve të marrë në vetvete, por e një kulture shoqërore të keqorientuar dhe stagnuar. Siç do të shohim më poshtë, në fund do t’iu përkasë pikërisht individëve dhe fillimisht vetëm individëve të fillojnë të bëjnë ndryshimin. Në të vërtetë të bëjnë atë që është e pritshme prej tyre, atë që konsiderojnë se janë në gjendje të ofrojnë.
***
E marr me mend se është e vështirë të kemi ndonjë lloj ujdie në lidhje me këtë dhe kjo tekembramja është një e mirë – që të ketë ujdi duhet të ketë përplasje. E marr me mend se pikëpamjet tona janë të ndryshme dhe kjo është gjithsesi një e mirë – që të ketë një finale duhet të ketë kompeticion. Mirëpo, shkoj me mendjen e palëkundur se duhet të ketë një traditë të diskutimit të problemeve të tilla, e fatkeqësisht ne nuk e kemi pasur atë. Këtë dështim mendoj se mban mbi supe po aq dhe pashmangshërisht edhe vetë letërsia shqipe. Unë mund të jem gabim dhe natyrisht nuk mund të them të kem lexuar gjithçka nga letërsia shqipe për të vegjlit, por nuk mbaj mend të kem parë diku të diskutohen probleme të tilla. Pa e banalizuar, ne nuk kemi rastisur të lexojmë, ta zëmë, Benin (që) ecën vetëm (si një nga klasikët tonë) duke i bërë vërejtje shokut të vet se atij filan personit nuk duhet t’i drejtohet me «Hej!», ose po qe në dijeni, në emër, aq më pak t’i drejtohet me «ti». Apo e bën këtë? Nëse e bën këtë, si i bëhet që nuk ka lënë asnjë shenjë në kulturën tonë të sjelljes? Dhe si nuk e ka bërë asnjë mësimdhënës/edukator të ndalet tek ai pasazh dhe të këmbëngulë ta ngulitë në mendjet e secilit?
***
Se një, ta zëmë, 80-vjeçar/e mund të ndihet i/e fyer po ia lëshove vendin në autobus është një muhabet më i avancuar. Nuk më duket të kemi arritur deri aty. Shqetësimet tona pra janë, fatkeqësisht, bukur më bazike.
***
Po pse pra një person në rininë e hershme, në rrjedhë të arsimimit të tij – në lulen e edukimit të tij, po m’u lejua kjo shprehje – përdor, në tentativën e tij të shkretë të të qenit i edukuar, terma arkaikë të mirësjelljes dhe krijon situata të sikletshme të mosedukimit?
Në rregull, siç edhe tashë, unë nuk i di të gjitha përgjigjet e mundshme, me gjasë hiç se hiç atë më të qëndrueshmën, po gjithsesi një ide edhe e kam.
Edukimi familjar dhe ai arsimor janë në konflikt me njëri-tjetrin, duke mbajtur një distancë të çuditshme, përjashtuese dhe injoruese, ndonjëherë edhe armiqësore, ndaj njëri-tjetrit. Mospërputhshmëria është ndonjëherë aq e thellë sa të krijojë në mishmash të frikshëm, duke e bërë subjektin e shkretë të dergjet në një limb nga ku nuk ka si të dalë. Po ta përshkruanim si qesharake, do të dilnim qesharakë ne vetë. E sa është tragjike, është për t’u parë.
Termi arkaik ‘axhë’, ‘hallë’, ‘tetë’ (apo ‘bac’, që mua personalisht ma neverit edhe më shumë se vetë injoranca në kostum) është produkt i mirësjelljes së një shoqërie të paalfabetizuar. Sigurisht mund të jetë përdorur si termi ndoshta më i lartë i mirësjelljes në një shoqëri organizimi i së cilës ka qenë pothuajse primitiv, barbar – pa kurrfarë strukture shtetërore dhe pa një sistem arsimor për të qenë. Mund të ketë qenë i ngrohtë, në njëfarë mënyre, po deshët të strukeni te kjo, duke qenë se bënte t’i referohej një të panjohuri si një personi që megjithatë mund të pranohej si i afërt, familjar, i respektueshëm. Por kjo po ashtu tregon në të njëjtën kohë edhe pamundësinë (a mbase rezervimin) e një shoqërie që të bëjë dallimet elementare ndërpersonale, katergorizimet e rëndomta personale dhe shoqërore.
***
Nuk po them se gjërat janë të thjeshta, vetëm po dua të besoj se nëse përkushtimi në edukim në shkollat tona do të ishte më i madh, të paktën do të kishim mbajtur në mend se në një botë më të qytetëruar, Liza në botën e çudirave, kur has në një të panjohur, nuk i drejtohet (për ta përshendetur, ngrohtësisht ose thjesht njerëzisht, ose për t’u ankuar për ndonjë gjë) me ‘axhë/hallë-teze’, por me ‘zotëri/zonjë-zonjushë (edhe te këta terma pastaj do të kishim për të diskutuar, kur të na vijë radha të jemi të kujdesshëm si të respektojmë statusin social dhe gjinor të tjetrit), aq më pak t’I adresohet me «ti».
E/i panjohura/i, e panjohura e famshme dhe a panjohura e rëndomtë, e njohura që duam të respektojmë, personi i autoritetshëm të cilit i drejtohemi për çfarëdo, është «zonjë/ zonjushë; zotëri» dhe përemri i formës së respektit është «Ju».
***
Po qëndruan ato që sapo thashë, atëherë mbase do të mund të rëndonim dor(z)ën. Një lloj përfundimi pra që do të mund të nxirrnim është se mbase kemi të bëjmë me një banalizim të formave të respektit, me një shpërdorim të pavetëdijshëm të tyre. Nuk do mend, tingëllon bukur paradoksale. Qëllimi i edukimit është, thënë në mënyrë tautologjike, pikërisht edukimi. Kur sistemi arsimor dështon ta arrijë këtë, shpresa që ta bëjë dikush a diçka tjetër është – prapë më duhet të shprehem çuditshëm – e pashpresë.
Në të vërtetë, një ndihmë do të duhej të jepte edhe sistemi medial. Nuk krekosem të tingëlloj se po shoh gjithçka zi, porse sistemi medial në këtë kohë është pothuajse produkti më i mjerë, andaj tragjik, i atij dështimi të sistemit arsimor.
Si ilustrim do të parashtroj një pyetje më tepër retorike. Në cilat studio televizive, në cilat intervista (me shkrim a vizuale), dëgjoni a lexoni intervistuesin t’i drejtohet të intervistuarit, bashkëbiseduesin t’i drejtohet bashkëbiseduesit, me format e respektit?
***
E megjithatë: «Zotri (Filani!)» (duke bërë përpjekje për të kapur termin «zotëri», përkatësisht duke ngatërruar trajtat). Në shumicën e rasteve kur fatbardhësisht do të mund të hasnim në një shembull për të mirë, fatkeqësisht pra ne hasim në këtë konstrukt të çuditshëm, të vrazhdë, që vret veshin si zukatje grerëze, pra kur personi i caktuar i drejtohet personit të caktuar. E jo «Zoti (Filani!)». Nuk është fare e vështirë të arrihet te burimi i kësaj çudie. Kjo vjen ngase ka një tendencë të fuqishme fundamentaliste islamike për t’ia mohuar domethënien dhe përdorimin një termi të natyrshëm, për ta zhbërë një traditë që manifeston dhe ushqen hapjen, tolerimin dhe mirëkuptimin: personi nuk mund të ketë atribute që barazohen me Zotin. Por në të gjitha kulturat e tjera, nga të cilat shqipja ndikohet dhe frymëzohet më shumë, termi referencial «Zoti (Filani!)» është krejtësisht i drejtë, i pranueshëm dhe mirëqenë. «Signore», «Lord», e shumë terma të tjerë nga gjuhët e tjera janë që të gjithë terma referimi si ndaj asaj qenieje për dikë të mbinatyrshme dhe të pakrahasueshme, të përjetshme a disashekullore, si ndaj vdekatarit të shkretë, trishtshmërisht të panjohur, në një kohë krejtësisht të parëndësishme dhe në jë vend krejtësisht të humbur.
Do të thotë, pavarësisht të gjithave, me natyrshmërinë më të bekuar, ne jemi «Zoti Filani!»
***
Pa mendojeni pastaj njëherë atë se si shqipja e shkretë ka formën më të thjeshtë të mundshme, duke përdorur vetëm përemrin e dytë vetor në shumës, çka e bën gjithçka më të lehtë, sado që më të varfër. Mbaj mend kur kam lexuar për herë të parë Luftën dhe paqen, në vitet e para të shkollës së mesme, si dikush që vinte nga një familje, mjedis dhe edukim fillor ku format e respektit të adresimit ishin joekzistente, isha krejtësisht i trullosur nga zgjedhja që kishte bërë përkthyesi duke ruajtur adresimin në veten e tretë njëjës të origjinalit. Përrallore! Si të isha duke pluskuar në një botë/kulturë imagjinare, të sajuar nga një mendje pafundësisht herë më e trazuar.
***
Por, më falni prapë dhe në fund fare, nëse në çerdhe, në tërë arsimin fillor, edukatorët, mësimdhënësit (e para tyre dhe ndërkohë prindërit) nuk e kanë konsideruar të rëndësishme edukimin në adresim, së pari ndaj vetë tyre e pastaj ndaj të tjerëve, ajo që mbetet për të riun e katandisur në këtë gjendje është që një ditë vetë, duke lexuar, duke parë filma, duke shëtitur botën, duke vrarë mendjen, të arrijë të shohë se ka një mënyrë të sjelljes më të qytetëruar se e tija, të cilën duhet ta përfitojë dhe ta zbatojë. Edhe nëse pastaj do të ndihet i zbuar nga shoqëria e vet.
P.S.:
Ky është teksti im i fundit për Gazetën Express, nga ku po zbohem pas 21 vjetësh përvoje pune.