Tejshkuar nga trishtimi - Gazeta Express
string(23) "tejshkuar-nga-trishtimi"

Tejshkuar nga trishtimi

Arte

Gazeta Express

26/04/2021 14:09

Mbi poezinë e Rudolf Markut në “Rrathë të brendashkruar”

Ballsor Hoxha

Lexo Edhe:

Poezia e Rudolf Markut është një kafaz paradoksi, brenda dhe jashtë mbrujtur me trishtimin. Dhe ky kafaz nuk është si të tjerët, është i lirë i hapur dhe i tejpërshkuar nga trishtimi, dhe pikërisht kjo e bën të kotë, qoftë lirinë, qoftë kafazin.

… /Por ti mos qaj në korridor/ Ji mirënjohës që më së fundi i lyen/ Në ngjyrë kanarine muret e dhomës/… Kafazi yt është në ngjyrë të çelët/… Kafazi yt është i ngrohtë, i mirë/… S’ ka arsye t’ua prishësh gjumin të tjerëve/… /Nuk ka kuptim përpjekja të jesh i lirë./ (Poezia “Sa shpejt”).

Apo, duke iu kthyer ironizimit poetik të Markut, pikërisht tejpërshkimi i trishtimit në universin e njeriut, e bën kafazin të ngrohtë, të mirë, pakuptimësi të të qenit të lirë.

Kjo tejpërshkuarje e trishtimit ka asgjësuar Tiranën e poetit, ka krijuar mungesën dhe shpërbërjen e fizikes në atashim me të paarritshmen. Është një kujtesë që bren, që thërret, që kërkon, por nuk ekziston.

Por nuk arrij në Tiranë… sepse trishtimi nuk qenka gjeografi/ Sepse trishtimi nuk qenka vend.

Njeriu, imazhin për veten e ndërton nga qyteti i tij, ai është vetë qyteti i tij në simbolikë dhe në psikë. E vendlindja e poetit Rudolf Marku në përmbledhjen me poezi “Rrathë të brendashkruar” është trishtim,  pa fizikën e vet, dhe pa kufirin/gjeografinë e vet. Që do të thotë, është qenie që ndjehet por nuk preket, qenie që e dimë por nuk e arrijmë. Gjë që e sjell poetin në një pakuptimësi lirie.

Poezia e Rudolf Markut ka një trishtim të thellë brenda vetes. Trishtimin e ngrohjes globale, si poet metropolitan; trishtim ndaj temporalitetit; trishtim të njeriut që po kthehet në gurë/statujë; të qytetit si San Francisko, ku “vdekja qan lehtë, lehtë, pa ngushëllim”; trishtimin e dashurisë të “të dashuruarve që udhëtojnë për në qytetet “askund””; apo të poetit, sikur në poezinë “Migjeni”, “që ecën kurrë pa fjetur”, “derisa bëhet tepër vonë për të vdekur”. Vazhdimisht trishtimi në poezinë e Markut, vazhdimisht prerja e hollë, e thellë, e dhembshme dhe e kthjelltë e tij;  si udhëtim kurrë i pa nisur, paradoksalisht, në fund të tërë udhëtimit.

“Jemi ne, jo statujat” tërheq vëmendjen Marku se, jemi fragmente të çara në pakthyeshmëri; që e bëjnë vetminë të papërballueshme, apo ngjallin shtytjen për revoltë deri në majë të Alpeve, për t’u shndërruar në gur.

Trishtimi është në konotacionin simbolik të gurit, i cili kthehet e rikthehet në poezinë e Markut, si në poezinë “Alpet”; njeriu shastiset nga të kuptuarit se lartësia, si ëndrra më e lartë, dhe ëndrra më e paarritshme (qoftë edhe e arrirë), është të kuptuarit:

…/Por tani që arrite ndien papritur vetminë e madhe./ Alpet qenkan vetmi/… Një gur si ajri, si bora, si pemët, I paprekur nga duart e njerëzve/ që qëndron pa asnjë domethënie mes Qiellit e Tokës/… Në sublimin e vetmisë plot dhembje.

Në të vërtetë, vetmia mbi Alpe është vetë vetmia e njeriut “të paprekur nga duart”, porosia që poeti ia jep skulptorit në “Jam brenda në gur”:

/Skulptor, kur të gdhendësh tash me daltën tënde/ mos godit me forcë, se jam brenda në gurë!/

Njeriu i kthyer në gur, në statujë, një botë me “Statuja” në përmbledhjen “Rrathë të brendashkruar”, është dorëzimi i revoltuar; është tradhtia e vdekjes, apo thënë ndryshe, mashtrimi i vdekjes; është thellimi brenda vetmisë, nëse ajo është parathënë; është, në fund dhe paradoksalisht, vetë dëshira për të jetuar, shndërruar në gur dhe, megjithëse, edhe “i paprekur nga duart e njerëzve”.

Derisa gjendemi përbrenda këtij trishtimi, e ky përbrenda një universi të vetmisë, e përbrenda vetmisë vetë dhembja e njeriut, dhembje universale, dhembje e të qenit, dhembje e të pas jetuarit dhe të të jetuarit, Marku hap njeriun të tregojë një botë që ka kaluar tanimë, një botë që është shndërruar tanimë.

Vetmia dhe dhembja e vetmisë janë paradoksi i lojës me universin personal. Malet vijnë mysafirë, për të parë lajmet, përrenjtë që kërcejnë si në prehër të gjyshërve, e ujqër që i ulërijnë llambave.

Dashuria në poezinë e Rudolf Markut në “Rrathë të brendashkruar”, është mungesa të cilën zotërat e kishin ndier kur e kishin krijuar botën. Poeti në poezinë “Pas ikjes sate”, thotë: /Ndiej honin e mungesës së trupit tënd/. Kjo dashuri ndahet në trupin – si kujtesë fizike, si mishërim, si bashkëdyzim, – dhe “honin” e përhapur nga kjo mungesë fizike. Në të vërtetë honi, është e tërë bota, është i tërë gjallimi, është i tërë universi, i ndarë në para dhe pas. Këtu mund të hamendësojmë të jetuarit, të dashuruarit si një trup, si një krijesë, në një aurë.

Dashuria në poezinë “Eva”, është e ndarë në dy zona: të lartmen, parajsën e cila ngjitet përpjetë, duke u ndarë nga zona tjetër, e poshtmja, ajo e “rënkimeve që aq mirë ua dimë kuptimin”, duke krijuar një jetë të  tërë, apo jetë në tërësinë e saj që jehon brenda rënkimeve aq të njohura. Kjo është metaforë e paarritshmërisë së dashurisë, dhe në të njëjtën kohë, arritjes së saj përbrenda rënkimeve. Dashuri që rënkon paarritshmërinë e bukurisë së saj.

.../Por gjysma tjetër e errët mbetet me mua, këtu poshtë/ me gurët, me pluhurin dhe rrënjët e bimëve a të pemëve/… me rënkime që aq mirë kuptimin ua dimë.

Më tutje kjo ndarje në dashuri për Markun, vazhdon edhe në poezinë tjetër “Ishte dashuria”:

/Ishte dashuria. Kishim rënë jashtë kohe/… /Derisa një ditë ramë në kohë,…/ Me kalendarët dhe orët që na përgjojnë nga çdo qoshe./

Kjo poezi krijon një lojë në të cilën të rënit në dashuri është të rënit “jashtë kohe”, është botë me parajsën dhe ferrin bashkë, prapë, botë e paarritshme, botë ideale, derisa me kalimin e kohës të dashuruarit – mbeten – “të rënë brenda kohës” për të qenë të përgjuar nga po e njëjta, në të qenit e tyre!

Në dashurinë brenda poezisë së Markut ka edhe lot, të qarë, dhe në të kundërtën, njerëz që kurrë nuk qajnë sikur “njerëzit në Zvicër”.

/E pse u dashka të jem në këtë qytet… /Pa e ditur se shiu ka filluar më parë, 30 vjet e ca bie/ Me rrebesh dhe furtunë…/ e askush nuk kujtohet se lotët quhen shi. ( Poezia “E pse u dashka të jem në këtë qytet?”)

“Një dilemë e qytetërimit”- në këtë poezi, e njohura në qytetin e Londrës, i tregon poetit se : /Njerëzit kurrë nuk qajnë/ Të paktën kurrë nuk qajnë me gjithë mend/ Në vendin e vet, në Switzerland/.

Në tërësi, Marku kur merr perspektivën poetike ndaj dashurisë/gruas, ai krijon ikjen dhe rikthimin e dashurisë, rënien jashtë dhe kthimin brenda, zonën e paarritshme të saj, në ëndërr, dhe zonën e poshtme të saj me rënkimet aq mirë të njohura. Në poezinë “Ky është prilli i zemrave tona” gjejmë primordialen e njeriut në vetminë dhe trishtimin e tij, qoftë në dashuri, qoftë në union me dashurinë, qoftë në përmbushjen e saj:

/Grua që largohesh me hapa të lehtë drejt guaskave të detit/… /të shoh tek bëhesh e zhbëhesh me mijëra herë mes shkumës së bardhë/… /në bregun e Paqësorit mbledh guaskat e hedhura/ për t’i flakur në thellësitë e ujërave/…

Dashuria dhe gruaja në poezinë e Rudolf Markut është paradoksi i arritjes së saj, dhe me këtë, kalimi përtej botës së rënkimeve, përtej kohës, dhe përtej të njohurës në “guaskat e detit”; dhe të paarritshmërisë së saj, gjë që krijon revoltën e njeriut ndaj pafuqisë së tij përballë ciklit të dashurisë, e cila, në fund të lë në “një shi që bie për 30 vite rresht”.

Poezia në perspektivën e Markut në “Rrathët e brendashkruar”, është të parit e botës pa perde. Në fëmijërinë e “Rrathëve të brendashkruar” poezia krijohet pa perde, në spontanitetin e realitetit, pa biletë dhe prapa teatrit, prapa shfaqjes, aty ku “aktorët shekspirianë”, vrasësi dhe viktima, ndajnë mollën dhe e qërojnë me thikën e Makbethit; dhe Hamleti me vrasësin e babait shkëmben duhan etj.

Por, kur Marku krijon për poezinë, ajo shfaqet në kockën e saj, në poezinë “Migjeni”. “Duke ecur deri vonë, shumë larg, larg./ U vonua/… Vdekja filloi të mos kishte durim/… Derisa u bë tepër vonë për të vdekur!/

Ajo është ecje, aq e thjeshtë, vetëm ecje “vonë, larg, shumë larg, aty vështrimi i një gruaje në kalim, thasët e grisur, malet, lypësit. Pastaj “ Dilema këngë a vaj ç’ je?, – Nën hapësirat e mjerimit”, dhe ecja… Është ecje derisa kalon vdekja, derisa vdekja mundet! Në një mënyrë, Migjeni në poezinë e Markut e mund vdekjen me ecjen e tij prej poeti, nën trishtimin e jetës.

Vendlindja në perspektivën poetike të Rudolf Markut -Vendlindja është “teologji e dëshpërimit”, “emër që ende nuk është shkruar”, “i braktisur nga gjuha”, “me masakrat e fatit”… (poezia “Vendi im”). E papërfunduara e vendit të tij vazhdon në simbolikën në poezinë “Argonautët”, si pritje dhe pritja si përhershmëri:

/askush nuk i kujton më Argonautët/ Por ne, njerëzisht disi të fantaksur/ vazhdojmë të presim në breg kthimin e tyre/… e gjithë jeta jonë është pritja e kthimit të tyre!/ Dhe jemi fare të paktë/ Dhe fëmijët e fëmijëve tanë do të ngulin këmbë një ditë/ Se argonautët ishim ne, që kemi pritë!/

Përfundim

Vendlindja e Rudolf Markut është burimi dhe kthimi në trishtim, në abstraksionin e ndjenjës së trishtimit, pa fiziken e burimit të tij. Pa rrethin e tij, qoftë i brendashkruar, qoftë i pashkruar, qoftë ende në shkrim e sipër. Kjo pritje (si tek  Argonautët, apo si tek Vendi im), është të qenit përballë mospërmbushjes, përballë pafundësisë së mosarritjes, zbrazëtisë. Këta rrathë të brendashkruar, asgjësohen nën trishtim, mbeten në kafazin e mureve me ngjyrë kanarine, të tejshkuar, në mungesë të përhershme dhe të patjetërsueshme, gjithherë prezente dhe të paikshme.

Në të vërtetë, rrathët në “Rrathë të brendashkruar” janë të shumë refleksioneve, derisa në perspektivën mbi dashurinë ato janë përvoja të rënkimeve, e rënkimet dëshmi dhe shkrim brenda rrathëve;  në perspektivën mbi poezinë, këta rrathë janë mundje e vdekjes dhe teatrit; në refleksione të tjera, këta rrathë janë zbrazëtia e cila përmbys tërësinë e përjetimit, të njohjes dhe të përvojës, në një trishtim prerës dhe tejshkues, asgjësues. Në një pakuptimësi lirie! Me vendin që ekziston vetëm si – trishtim -./Gazeta Liberale