Më 13 shkurt, në ora 18:00, në Teatrin Dodona, në kuadër të ‘Project Space’ mbahet bisedë me Doruntina Bashën mbi teatrin dhe filmin feminist.
Për kohë të gjatë teatri dhe filmi (sidomos filmi) kanë ruajtur e përsëritur sisteme, struktura prej të cilave kanë përfituar vetëm disa — kryesisht burra të pushtetshëm. Skenat e ekranet janë bërë shpesh zgjatime të patriarkisë, ku gratë ose kanë munguar krejt ose janë portretizuar përbrenda vështrimit ngushtues burrëror.
Njëkohësisht dhe fuqishëm, një revoltë kundër kësaj është ndërtuar vazhdimisht — bash përmes teatrit e filmit. Gratë, qoftë ato në skenë, qoftë ato që shkruajnë e qëndrojnë prapa kamerave, kanë refuzuar vështrimin burrëror dhe kanë krijuar e krijojnë korniza të reja të të krijuarit filmit e teatror.
Gratë përmes filmit e teatrit si forma të shprehjes, i kanë shndërruar krijimet e tyre edhe në platforma politike, platforma të kundërshtisë dhe të përplasjes së shoqërisë me ngjarje, mangësi e me çështje që jo rrallë shoqëria dëshiron t’i shpërfillë, të mos i shohë a të bëhet sikur nuk janë aty.
Kështu, teatri dhe filmi zënë vend kritik në artikulimin feminist, aq sa gratë në teatër e film zënë vend kritik në përpjekjen për barazi.
Si duket krijmtaria teatrore e filmike sot në Kosovë kur është fjala për përfshirjen e pikëpamjeve feministe në të? Çfarë strukturash duhen sfiduar momentalisht në kinematografi e teatër? A është (a duhet) të jetë filmi e teatri radikal kur është fjala për përpjekjen feministe? A është shkundur vështrimi burrëror në krijmtarinë filmike e teatrore në Kosovë?
/Express