Pas humbjes së Leon Avdullahut te Kosova, zviceranët nuk duken të shqetësuar për Albian Hajdarin.
Ky i fundit është përfolur shumë që mund të kalojë te Kosova, duke ndjekur hapat e Leon Avdullahut, të cilin tashmë e ka edhe bashkëlojtar te Hoffenheimi.
Mirëpo, të shqetësuar nuk duken nga Federata zvicerane.
Kështu të paktën ka thënë drejtori i kombëtares së Zvicrës, Pierluigi Tami.
“Nuk jam i brengosur. Dera është e hapur. Ai tashmë ka luajtur miqësore me ne dhe ishte parashikuar të luante në ndeshje garuese. Ai ende mund të lëvizë sipas rregullave, por nuk jam i brengosur. Murat Yakin ka bërë shumë dhe do të fillojmë të planifikojmë për të menjëherë pas kësaj lëvizjeje”, ka thënë Tami në konferencë për shtyp të hënën.
Albian Hajdari veçse ka luajtur një herë për Zvicrën, mirëpo në ndeshje miqësore.
Ai luajti 45 minuta në fitoren prej 3-1 të Zvicrës ndaj Luksemburgut, më 25 mars të këtij viti.
Hajdari po ashtu ishte i ftuar në tri ndeshje të Ligës së Kombeve për Zvicrën gjatë vitit 2024, mirëpo të gjitha i kaloi në bankën rezervë./GazetaExpress/