Të “vrasësh“ babën politik - Gazeta Express
string(24) "te-vrasesh-baben-politik"

OP/ED

Gazeta Express

14/11/2021 15:55

Të “vrasësh“ babën politik

OP/ED

Gazeta Express

14/11/2021 15:55

Kryetarët e rinj të partive në Kosovë nuk janë distancuar në asnjë formë nga bëmat e baballarëve të tyre politikë. Përkundrazi, iu kanë dhënë pozita nderi në parti, ndërkohë që ata kanë hipoteka të pasqaruara nga e kaluara. Rasti i Angela Merkelit kundër Helmut Kohlit do të duhej t’iu shërbente si shembull.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Në fund të dhjetorit 1999 Angela Merkel botoi një artikull në gazetën “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, nëpërmjet të cilit u distancua nga “babai politik”, mentori dhe mbështetësi i saj, kancelarit Helmut Kohl dhe “arkat e zeza” të CDU’së. Kohl udhëhoqi partinë për 25 vjet dhe për vite me radhë refuzonte të zbulonte emrat e donatorëve të fshehtë, duke diskredituar në këtë mënyrë CDU’në.

Merkel, atëherë sekretare e përgjithshme e partisë, në letrën e saj të botuar në gazetë shprehej se ishte e tronditur nga detajet e aferave të “arkave të zeza” – një sistem nëpërmjet të cilit CDU ishte financuar që prej viteve 1970.

Duke dalë haptas kundër Kohlit, Merkel rrezikonte të ardhmen e saj politike brenda partisë, ku ai ishte shumë i fuqishëm. Kritikat e ashpra kundër saj nuk vonuan, sepse askush deri atëherë

nuk kishte guxuar ta kritikonte, e lëre më të konfrontohej haptas me Kohlin.

“Veprimet, të cilat i ka pranuar edhe vetë Kohl, e kanë dëmtuar partinë. Partia nuk i kishte publikuar të dhënat për 1.5-2 milionë marka donacionesh, të cilat nuk janë deklaruar në raporte… Partia duhet të justifikojë se si kjo është e mundur”, shkruante atëbotë Merkel.

Deutsche Welle sjell ndërmend se ajo nuk i referohej askujt me emër në këtë letër. Ajo shkruante në shumës dhe thoshte “ne” – ne jemi përgjegjës. Pra, përfshinte edhe veten.

Ishte Kohl ai që i mundësoi Merkelit nga Gjermania Lindore që të ngrihej në krye të politikës gjermane. Papritmas, tash po sulmohej nga vetë ajo.

Merkel, e cila më pas u bë kancelare e Gjermanisë dhe mbajti këtë post për 16 vjet, kishte rrezikuar shumë në atë kohë të ardhmen e saj politike. Brenda partisë, CDU’së, kundërshtarët e saj i dhanë epitete të ndryshme. U distancuan nga ajo publikisht, madje e quajtën edhe tradhtare. Por, në anën e Merkelit ishin mediat. Me kalimin e kohës, zërat kritikë u pakësuan dhe mbështetësit e saj u rritën. Merkel doli fituese, duke u bërë fytyra e CDU’së – “CDU-së së re”, pa ngarkesa nga e kaluara. Një partie që distancohet edhe nga Kohli dhe punët e tij të pista, por që atij ia njeh meritat historike për Gjermaninë.

Në një artikull para pak javësh, Deutsche Welle shkruan se Helmut Kohl me këmbëngulje refuzonte të publikonte emrat e personave që kanë dhënë donacione sekrete, me arsyetimin se bëhej fjalë për “besueshmërinë e CDU’së dhe besueshmërinë e partive politike në përgjithësi”. Por Merkel konsideronte se vetëm sqarimi i gjithçkaje mund ta forcojë edhe më shumë imazhin e partisë dhe të vetë Kohlit, si dhe rolin e tij historik.

Në prill të vitit 2000, në kongresin e partisë, Merkel u zgjodh si gruaja e parë në krye të CDU’së. Pesë vjet më vonë ajo u zgjodh kancelarja e parë në historinë e Gjermanisë.

* * *

Angela Merkel i ka dhënë fund karrierës së saj politike, por qasja e saj ndaj “babait politik”, para 22 vjetësh, është një mësim i vyer për shumë parti politike dhe kryetarë partish, sidomos në vendet e Ballkanit. Edhe në Kosovë.

Përtej raporteve financiare formale zyrtare, është sekret publik që partitë politike në Kosovë funancohen edhe nga burime të dyshimta, të padeklaruara, fonde të zeza, para të pista. Hulumtimet e mediave kanë treguar disa herë se biznese që kanë dhënë para për parti, më pas kanë përfituar milona nga tenderë që iu janë dhënë si shpërblim. Por, në Kosovë askush nga zyrtarët e partive nuk është distancuar nga kjo formë e financimit dhe të ngjashme si këto. Askush brenda partive nuk ka kërkuar përgjegjësi.

Ta zëmë, qytetarët e Kosovës ende nuk e kanë të qartë se çfarë ka ndodhur me disa milona para të Fondit të Trepërqindëshit, që menaxhohej nga ish-kryetari i LDK’së, Isa Mustafa. Në këtë parti janë mbajtur zgjedhje dhe është ndërruar lidershipi, por askush nuk i ka kërkuar atij përgjegjësi për asgjë. Siç nuk është kërkuar përgjegjësi nga askush as në PDK dhe në parti të tjera.

Rasti i Angela Merkelit kundër Helmut Kohlit do të duhej të shërbente si shembull sesi do të duhej të silleshin liderët e rinj të partive. Në mos për gjë tjetër, të paktën për të arsyetuar refrenin se nuk janë njësoj si baballarët e tyre politikë. Dhe, veçanërisht e rëndësishme, që të japin shembuj transparence në qeverisjen e partisë, që do t’ua rriste besimin edhe për qeverisjen e shtetit në të ardhmen. Pa i asgjësuar “arkat e zeza” është vështirë të pretendohet se me ta në krye partitë do të jenë ndryshe.