Të vetëkurthuar në emër të popullit - Gazeta Express
string(35) "te-vetekurthuar-ne-emer-te-popullit"

Të vetëkurthuar në emër të popullit

Gazeta Express

15/04/2020 16:53

Shumë shpesh është debatuar dhe debatohet rreth asaj se si u krijuan rrethanat dhe erdhi nazizmi në pushtet në Gjermani. Janë bërë studime shkencore si nga fusha politike, filozofiko-sociologjike, po ashu, edhe nga rafshi psikologjik dhe psiko-patologjik, për t’i dhënë përgjigjje një dileme të tillë. Si erdhëm deri në këtë pikë? Pse na ndodhi kjo gjëmë? Ku gabuam?…, ishin vetëm disa pyetje që kërkonin përgjigjje.

Shkruan: Dritan Dragusha

Lexo Edhe:

Si ndodhi që në shekullin e zhvillimit ekonomik, shkallës së lartë të arsimimit, e shkenës dhe të një emancipimi kulturor, në kulmin e gjithë kësaj përvijon një nga shprehjet politike më antihumane pothuajse në gjithë historinë e njerëzimit, siç ishte nazizmi. Pra, askush nuk e kishte menduar se bota do të futej nën sundimin çnjerëzor të një populisti të çmendur, që për nga pamja dukej si një palaço. Ndoshta askush më mirë nuk e portretizon sesa Diktatori Hynkel, luajtur nga Charlie Chaplin, në filmin e tij The Great Dictator, karakterin e Adolf Hitlerit si njeri i çrregullt, i pavendosur, llastues dhe mizor njëkohësisht. Si u bë që ky palaço mizor të ndiqet nga miliona njerëz e të dërgojë miliona të tjerë drejt vdekjes. Sigurisht që ishte diskursi i tij që i prekte masat në emocion dhe i aktivizonte për një armik që shpejt do ta zbulonte. Me populizmin e tij popullit i garantonte rrugë të thjeshta dhe të shkurtra për ta arritur piedestalin në historinë botërore. Dhe vërtetë e arriti këtë piedestal, që do të mbetet gjatë në histori si pietestali i turpit dhe së keqes.     

Pra, populistët janë atraktivë për masat, sepse paraqiten si njerëz të thjeshtë, lehtë të identifikueshëm me ta, e që për probleme shumë të komplikuar ofrojnë zgjidhje të shpejta e të lehta. Ata nuk e durojnë demokracinë, apo siç thotë Jan–Werner Müller, “populistët mund të qeverisinë vetëm si populistë”. Demokracia kërkon institucione shumështresore, kërkon sheshim të problemeve, pluralitet si në organizim, ashtu edhe në mendim. Kjo formë e organizimit partiak, shoqëror dhe shtetëror populistëve dhe populizmit ia davarit nervat. Ata nuk dëshirojnë që për një çështje të caktuar të ketë shumë mendime dhe shumësi të vërtetash. Jo, ata sillen rreth një mendimi dhe një të vërtete të pakontestueshme që mishërohet në figurën e pastër morale të liderit. Masa që e ndjek, e që lideri populist i referohet si “populli”, janë bësimtarë të mendimit dhe të rrugës që ua trason ai. Referimi në popull, në kompaktësinë e tij në mendim e veprim dhe pastërtinë morale, mundohet të paraqitet si një subjekt që është i qasshëm edhe formalisht, edhe konceptualisht, e ku përmes saj pasqyrohet edhe figura morale absolute e vet liderit. Mirëpo, e vërteta është se një kategori e tillë, një njësi e tillë kompakte si “popull”, është kategori abstrakte dhe nëse vërtet kemi një njësi të tillë si popull, atëherë siç thotë Habermas:“populli mund të ekzistojë vetëm në diversitetin e tij”. Prandaj, e vërteta se ka një kategori si popull është një manipulim populist. Një shembull se si manipulohet me popullin na jep Jan–Werner Müller, kur në vitin 2002, populisti Victor Orbán i kishte humbur zgjedhjet edhe thoshte se “populli nuk mund të mbetet në opozitë”. Nuk është me rëndësi sa ndjekës i kanë, apo sa vota marrin në zgjedhje, populli është pikënisja e çdo diskutimi të populistit Victor Orbán dhe gjithë populistëve anekënd botës, e edhe këtu tek ne po ashtu.

Mirëpo, se si organizohen grupet dhe partitë politike populiste, se si u organizua nazizmi e fashizmi dikur, se si po riorganizohen prapë këto grupe dhe po rriten gjithnjë e me shumë anekënd globit, një perspektivë të tillë na e ofron filmi gjerman Die Welle (Vala) i regjisorit Dennis Gansel. Ky film me karakter socio-politik ka për qëllim që shikuesit t’i tregojë se sa lehtësisht mund të manipulohen njerëzit.

Për ta demonstruar një manipulim të tillë regjisori Gansel filmin e vendos në një shkollë dhe është mësuesi i historisë, Rainer Wenger (luajtur nga Jürgen Vogel), i cili do të eksperimentojë me nxënësit e tij. Përderisa dilemat te nxënësit ishin se nuk ka mundësi që te gjenerata e tretë pas Luftës së Dytë Botërore, do të mund të ngjizej ndonjë diktaturë, mësuesi Wenger u propozon atyre që ta demonstrojnë një eksperiment, me qëllimin që të tregohet se sa lehtë mund të manipulohen masat, e edhe ata në këtë rast. Demonstrimi fillon kështu: mësuesi kërkon që të gjithë nxënësit t’i drejtohen atij si “Herr Wenger”. Përveç kësaj ai nxënësve u vendos nota të ulëta për t’i bërë të gjithë të barabartë. Po ashtu, mësuesi kërkon nga nxënësit që kur të flasin, ata duhet të qëndrojnë gatitu në këmbë dhe të japin përgjigje të shkurtra dhe të drejtpërdrejta.

Gjithashtu, u tregon nxënësve të tij edhe efektin që ka marshimi në grup me të njëjtin ritëm, me qëllim që t’i motivojë ata qoftë edhe për veprime radikale. Populizmi nuk njehë dallime klasore, kështu që, mësuesi sugjeron një uniformë për nxënësit e klasës. Pra, kështu gradualisht nxënësit nën ndikimin e mësuesit të tyre arrijnë në pikën ku zhvishen nga individualitetet e tyre dhe fillojnë të sillen si një trup i vetëm. Ata nisin të merren edhe me veprime radikale jashtë klasës dhe shkollës së tyre. Mësuesi i historisë përfaqëson figurën e liderit populist, kurse nxënësit që e ndjekin përfaqësojnë militantët partiak.

Nxënësit duhet ta kenë një emër sa më populist që i përfaqëson ata dhe Die Welle (Vala) është emërtimi me të cilin identifikohen këta nxënës, të cilët tanimë kanë rënë tërësisht në një gjendje radikale. Aq shumë janë ndikuar nga mësuesi i tyre dhe nga njëri-tjetri sa që janë në gjendje edhe të kryejnë vrasje në emër të kauzës së tyre. Mënyra se si ecin, se si flasin, se si përshëndeten, janë shprehje të një garnizoni militar politik. Duke parë eskalimin e këtij eksperimenti bashkëshortja e mësuesit, Anke, kërkon nga i shoqi ta ndërpresë eksperimentin, sepse ai ka shkuar shumë larg, ku nxënësit kanë humbur orientimin me realitetin, mirëpo, mësuesi Wenger nuk mund ta ndalë më Valën, sepse ajo tanimë është e pakontrollueshme.

Prandaj, regjisori Gansel nëpërmjet filmit Die Welle na tregon se sa lehtë mund të manipulohen njerëzit, sidomos të rinjtë. Aty paraqitet mjaft qartë se sa lehtësisht njeriu kalon nga një gjendje normale në një gjendje kriminale dhe anarkike, sa që duket sikur vetëm një fije e hollë e ndan këtë raport. Filmi Die Welle është më shumë se një film, sepse ai e shpërfaq mendësinë dhe fuqinë e manipulimit, po ashtu, tregon se si njerëzit bien në njëfarë gjendje vetëkurthimi.

Në një vetëkurthim të tillë populist është futur edhe shoqëria kosovare tash e 20 vjet. Një shoqëri ku diskursi populist është mjaft i shtrirë, ku e vërteta historike gjendet në varre, aty ku ndodhet e shkuara, e të cilën liderët populistë kosovarë e kanë pjesë kryesore të menysë së tyre diskursive politike. Madje, nga kjo pikë edhe është kërcënur dhe kërcënohet secili që ka një pozitë apo mendim publik që është jashtë propagandës së tyre. Për veprime të tilla heretike shpallesh edhe tradhtar. Nëse e shikojmë vokabularin diskursiv politik publik për këto 20 vite të të gjitha partive politike kosovare dominojnë akuza të ndërsjella nga më të rëndat si: kriminel, bandit, hajn, vrasës, ju keni ikë, nuk keni luftuar, ju e keni shitë Kosovën, kjo punë nuk kryhet pa gjak, veç plumbi ju del hakesh etj., janë veç disa nga etiketimet që kanë qarkulluar dhe vazhdojnë të qarkullojnë në publikun kosovar. Pse? Sepse diskursi populist i këtyre partive politike dhe pothuajse i secilit lider politik, që për të ardhë deri në krye të pushtetit i është dashur që në vend të ndërtimit të një qytetarie aktive, të krijojë ndjekës (militantë, besimtarë), sepse vetëm përmes tyre mund të vijnë dhe ta mbajnë pushtetin. Mbase, edhe këta që shajnë e kërcënojnë me vdekje secilin që mendon ndryshe nga ta, janë produkt i kësaj shoqërie. Këto parti politike dhe këta politikanë populistë i kanë ushqyer, rritur dhe i kanë bërë vrasës potencialë, sikur nxënësit e mësuesit Wenger. Prandaj, shoqërisë kosovare nuk i duhen politikanë që eksperimentojnë sikur mësuesi Wenger, dhe nuk na duhen ndjekës sikur nxënësit e tij. Shoqërisë kosovare i duhen politikanë të përgjegjshëm dhe jo populistë, po ashtu duhen votues racionalë, që kritikojnë, që kërkojnë llogari dhe që janë të përgjegjshëm për veprimet e tyre. Në të kundërtën, mund të vijë një moment kur i shtrojmë vetes pyetje se si u katandisëm deri në këtë pikë, apo edhe mund të dorëzohemi sikur mësuesi i historisë Wenger, kur situata (eksperimeti) bëhet e pakontrollueshëm. Për këtë duhet të jemi racional në mendime dhe sa më liberal në veprime që t’mos biem në një vetëkurthim të tillë.