Të vdekurit “ekzistues” - Gazeta Express

Shqiperi

Gazeta Express

27/02/2020 15:58

Të vdekurit “ekzistues”

Shqiperi

Gazeta Express

27/02/2020 15:58

Nga Ardian Vehbiu

Nuk di a e keni vënë re si nxitojnë agjencitë e lajmeve dhe mediat në përgjithësi të sqarojnë, për çdo vdekje të re nga Covid-19 (koronavirusi) se bëhej fjalë për një të moshuar, me probleme shëndetësore ekzistuese; me një fjalë, kush është i shëndetshëm ose i ri në moshë nuk ka arsye të fortë që të alarmohet.

Vërtet, kjo për të qetësuar njerëzit, por edhe vdekja e një të moshuari nga një infeksion i marrë rastësisht nuk më duket kaq ngushëlluese. Se me këtë farë mendësie, nesër do të ngrihet ndonjë dhe të kërkojë që të hiqen qafe këta të moshuar “me probleme ekzistuese”, aq më tepër që i rëndojnë sistemit shëndetësor me ankimet dhe defektet e tyre të përsëritura; prandaj edhe mbase ky Covid-19 u dashka përshëndetur, që na e zgjidh këtë hall gjithë duke na e lënë ndërgjegjen të qetë.

Dhe pastaj fillon njeriu të rrëmojë në lajmet dhe të zbulojë se në këto cruise ships ose oaza të aventurës së sigurt, që u kthyen makthshëm në lazarete a mauna me trupa të sëmurë, shumë turistë paskëshin qenë “të moshës së tretë”, pleq e plaka, por të etur për zhvendosje dhe horizonte të organizuara, të cilët i preu, si të thuash, virusi në besë; dhe se ka një industri të tërë – miliardere – që jeton me dëshirat, tekat dhe pasionet e këtyre, që nga turizmi te qendrat kurative, kazinotë dhe vende të tjera ku t’ua mjelin me art paratë e sigurimeve shoqërore.

Thanë edhe për Italinë se problemi i saj specifik, ndaj epidemisë, është që “ka popullsi të plakur”; vërtet, pa çka se deri dje thoshin që shumë familje, po në atë Itali, arrijnë të mbijetojnë falë pensioneve të majme të brezit sot me shpatulla për muri nga epidemia; meqë brezat e rinj nuk gjejnë dot punë (veç në gjetshin tani, si infermierë). Mos u shqetësoni, të thonë, ata që i merr vdekja, ishin tashmë të komprometuar: nga vitet e jetës, nga sëmundje të tjera, mbase ngaqë pinin duhan ose alkool ose ishin obezë ose miopë ose flisnin në gjumë; mbase edhe nga probleme sociale, p.sh. ndonjëri mund të ketë qenë i papunë, i pastrehë, refugjat ose fundja edhe pak skizoid (në mos fare skizofren).

Të thuash se shqetësimi është problem publik vetëm kur prek të shëndetshmit, të hajthmit dhe muskulturistët, influencers në rrjetet sociale dhe mega-kampionët, ose ata që lejohen ta lënë këtë botë vetëm kur u rrëzohet helikopteri (pa çka se, siç po thonë, shumicën e infeksioneve e përhapin të sëmurët e shëndetshëm, ata pa simptoma, që ashtu mund t’i përfytyrosh edhe si vektorë vullnetarë të “higjienizimit” kolektiv). Me një fjalë, këta të shkretët që vdesin (“e humbin luftën me sëmundjen”, siç e thotë një klishe sa e preferuar, aq edhe prekëse) kanë edhe faj që trembin të tjerët, ata që mirëfilli kujdesen për trupat e tyre, që shkojnë në “palestër” dhe që nuk konsumojnë më mish, për t’u ushqyer tani vetëm me fara liri dhe okazionalisht me tranguj.

E gjithë kjo, për të fshehur turpin e egoizmit të ditëve tona, kur reagimin emocional ndaj rrezikut e matim me statistika – të thuash se mund ta kuptojmë vërtet se ç’do të thotë “vdekshmëri 2.2 %”, madje edhe sikur kjo shifër të kish ndonjë farë kuptimi. P.sh., që kur ra kjo flamë, jemi të gjithë 2.2% të vdekur./ burimi: Peizazhe të Fjalës