Të udhëtosh nëpër Evropë me një roman të Visar Zhitit - Gazeta Express
string(53) "te-udhetosh-neper-evrope-me-nje-roman-te-visar-zhitit"

Të udhëtosh nëpër Evropë me një roman të Visar Zhitit

Arte

Gazeta Express

08/08/2022 13:37

Nga: Gabriela Mujaj

Feliksi, ky njeri fatkeq me emër lumturie… –

Lexo Edhe:

E nisa romanin ” Perëndia mbrapsht dhe e dashura” të Visar Zhitit në Tiranë dhe si për rastësi të fatit rrugëtuam bashkë në shumë vende të njëjta, por në kohë të ndryshme. Mbase u dashurova unë me Feliksin, mbase më pushtoi shpirti i Emës, (personazhet kryesorë të romanit, shën. i red.)  ku i dihet, në këtë botë okulte, e vetmja gjë që dimë, është se nuk dimë asgjë. Pak ditë më vonë bëra valixhen gati, një dosje të kuqe plot me dokumente dhe u nisa për në Romë. E shtrëngoja atë dosje gjithë rrugës dhe madje, kur duhej të largohesha patjetër, ua lija porosi me jetë miqve që ishin me mua. Në të kisha të gjitha dokumentet më me vlerë që më duheshin për në ambasadë. Hej, more Zot, thashë me vete, a nuk u nis dhe Feliksi po kështu? Me një dosje me dokumenta për kauzën e Emës, për gjygjin e madh, për të hedhur në gjygj atdheun.

> Po unë ç’po bëj? Po shkoj të hedh në gjygj atdheun gjithashtu!

Në Romë bënte vapë, një vapë kolerë. Dielli përvëlonte pa mëshirë, si të kishte shpirtin e një gladiatori të tërbuar. Pasdreke dola shëtitje. Shkova tek “Fontana…” po me librin në çantë. Je çmendur, më tha vetja. Qepe, i thashë, mos dërdëllit, të ka rënë dielli në kokë. Ç’të duhet ty pse mbaj me vete ditarin jeshil të vjetër dhe librin e Visarit. Më tha si e terbuar që i duhej shpinës sime.

Tek “Fontana…” shkova dy herë, ditën dhe natën, pasi vetëm natën vonë mund ta shijosh magjinë e saj të vërtetë. M’u kujtua Feliksi si i marrë aty. Desha të hidhesha, por nuk guxova. E urreva veten dhe  kuptova se sa shumë isha rritur, më mungon thellësisht vajza e çmendur e kohrave të vjetra. Aty m’u afrua një fotograf, nga ata që bëjnë fotoçast. Qesha dhe e pyeta për emrin. Mateo, më tha. Feliks, i thashë? Më pa i çakerdisur.  Xhino, ju ktheva. Qeshi dhe u largua. Të ishe Feliksi po, i thashë, por ti dukesh shumë i fjetur për të kapur çastin. Buona giornata! Fillova të ecja rrugicave të Romës, u magjepsa! Disa herë pashë djem që shisnin trëndafila të kuq. Zgjata dorën njëherë, pastaj ika me vrap. Ma tu sei matta, më tha duke qeshur. Doli në pah vetja ime e vjetër. Shkova tek Colosseo, për disa çaste pashë dhe u sigurova që nuk po sillej aty ndonjë gladiator. Mata dorën të bëja kryq, pastaj ja plasa të qeshurës se ç’qe ky veprim instikt. S’e di, mu përgjigj vetvetja, kur nuk më kupton ti, si mund të kuptoj unë ty. Vetvetës nuk i durohet kurrë pa më kthyer përgjigje, shkak për të cilin zihemi shpesh. Në darkë eca papushim. Të nesërmen shkova në Vatikan. Librin e kisha prapë në çantë. Desha të pyes për atë Omer Starjen aty afër, u afrova, u bëra gati, por në fund e mbajta veten dhe bëra atë që vetëm vetës sime mund t’i shkojë ndërmend, pyeta rojën zviceriane se si ishte Papa me shëndet. Qeshi me finesë, më tha që ishte mirë dhe që më falënderonte për shqetësimin.(S’e di a ndodhi vërtetë kështu apo m’u duk mua. Atë ditë ishte një Diell i zjarrtë që të bënte shumë konfuz).

> Unë u largova e bindur që bëra gjënë e duhur.

Pastaj s’e di sa kohë qëndrova para dritares ku del Papa. M’u kujtua Papa Gjon Pali II, artisti polak, njeriu i madh. Sa e dua…

Nuk e di nëse Papa ishte në dijeni për çeshtjen e Feliksit, mund të zija shkas e ti thoja, ishte çeshtje me rëndësi, pra edhe mund të më lejohej ta takoja. Eh… Pas ca ditësh u nisa për në Vjenë. Mora dosjen e kuqe që e shtrëngoja fort. Do shkoja drejt e në ambasadë. Imagjinoja Feliksin afër meje me dosjen në dorë. Feliksin…ah, të isha Emë, ose ta kisha Feliksin tim afër. Në Vjenë zbrita si e krisur dhe mora trenin e kuq. Mahnitem si herën e parë duke shikuar ato ndërtesa tipike vjeneze, stili i të cilave më magjeps.  Më në fund mbërrita tek ime motër, fjeta gjithë diten e lume, Roma më kishte rraskapitur. Të nesërmen shkova tek Danubi, jam dashuruar marrëzisht me të, e ndjej, më ndjen dhe është vendi i parë ku shkoj. Hypa mbi urë, para meje ishte një grua me shami, me një kërthi për dore dhe me një gocë të re, që nga e folura kuptova që mund të ishte boshnjake. Hodha sytë poshtë, po kalonte një anije me turistë, nga ato luksozet. Pashë ujin. Feliks, o Feliks, ç’bën? Ke pirë? Të pataksi Frojdi apo u marrose nga bukuria e Sissit? Mos  je trullosur nga karuseli i madh, e? Hey, Zot aman! Mbaje veten, po thoja me të madhe. Gruaja me shami më pa e lebetitur, mori kalamanin përdore dhe iku me të katra. Po ashtu edhe ajo që mund të ishte boshnjake. U ula aty mes urës dhe shkrova një poezi duke menduar Feliksin tim. Thashë me vete, erdha vonë, vërtetë shumë vonë. Po të kisha ardhur më herët mbase do i kisha ngjarë me Emën dhe do e kisha mbajtur akoma në jetë.

> Në jetë? Ç’po them? Pse, a nuk paska jetë përtej? Omer? Papa Gjon Pali, Papa Françesk, ku jeni, më jepni përgjigje. Të lumtur janë Ema dhe Feliksi? Ë? Po dosja ime ku shkoi? Te shtëpia e lashë, e sigurtë? S’e di! Mbase as mua s’më duhet më. Më vrau atdheu, po po, më vrau sepse e braktisa! Thashë në ambasadë që nuk ndihem mirë tek atdheu im, se më ka vrarë…më ka vrarë, jo Emen, jo, më ka vrarë ëndrrat, dëshirat, kam shpëtuar vetëm poezinë, apo ajo më ka shpëtuar mua, e? Vetëm ajo është gjallë, EmA ime ajo… Oh, kam hedhur në ambasadë atdheun si të padenjë, tmerr! Po dosja e Feliksit, ku shkoi? E mori gruaja me shami, apo ajo tjetra, e? Ajo e mori, po ç’e desh? Mos qe Ema? Ku di unë, shpirtnat marrin forma të ndryshme. Ç’po thua më tha vetja? Tani fillove të merresh me shpirtnat? Ti rri urtë, i thashë se nuk ke zemër të flasësh për shpirtrat. Këto janë çeshtje shumë të thella. Qepe! Mbylle! Ku shkoi Feliksi? Të gjejë lumturinë.

> Ku?

Atje ku është lumturia.

Po ku na qenka lumturia?

Foooool, fol, përgjigjmu, o shushkë!

Matanë lumit, matanë trishtit, përtej vdekjes,

Tek zemra që dashuron!

Po ti Feliksi im, ku je? Mos je Danub?

Pashë Qiellin dhe vendosa dorën në zemër.

Aty, aty ish Feliksi im, Uliksi im që s’e di kur do të mbërrije në Itakë. Po ta njihja Feliksin e Emës edhe mund ta kisha shpëtuar, i thashë vetes. Qeshi me të madhe, u gajas si e pataksur dhe sinqerisht e urreva pamasë në atë çast. Mu në atë çast, desh u përplasa me time motër e cila po më kërkonte që një orë. Eja, se u bëmë vonë për ambasadë, më tha. Sa mirë, i thashë, do padis atdheun që më ka vrarë ëndrrat.  Ajo, bashkë me veten time, u gajasën përsëri dhe unë e shtrëngova aq shumë dosjen, sa për një çast m’u bë se dëgjova klithmën e dhimbjes së Feliksit. Tani, nuk e di nëse vërtetë ndodhën të gjitha këto ngjarje, ju duhet të më kuptoni. Ato ditë bënte vapë e tmerrshme dhe dielli t’i vërbonte sytë e të merrte dhe mendjen. Ama, një gjë e di të sigurtë, këtë e mbaj mend mirë:  Unë udhëtova me Feliksin në çantë dhe jo vetëm, u magjepsa pas tij!/gazetaTema

/Gazeta Express