Të shtunën skadon ultimatumi i bizneseve : ZRRE-ja të tërhiqet nga vendimi për rrymën, ose … - Gazeta Express
string(87) "te-shtunen-skadon-ultimatumi-i-bizneseve-zrre-ja-te-terhiqet-nga-vendimi-per-rrymen-ose"

Lajme

Gazeta Express

18/06/2025 8:42

Të shtunën skadon ultimatumi i bizneseve : ZRRE-ja të tërhiqet nga vendimi për rrymën, ose …

Lajme

Gazeta Express

18/06/2025 8:42

Nga 1 qershori 2025, të gjitha ndërmarrjet e mëdha në Kosovë janë të detyruara të furnizohen me energji nga tregu i lirë, sipas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE). Ky hap është promovuar si reformë drejt konkurrencës dhe përputhjes me standardet evropiane, por ka nxitur pakënaqësi të mëdha në sektorin privat.

Bizneset kanë protestuar për shkak të çmimeve të larta, mungesës së furnizuesve dhe mungesës së përgatitjes institucionale. Pas bllokimeve të rrugëve kryesore në fund të majit, më 11 qershor 2025 u mbajtë një protestë në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, e organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës.

Përfaqësues të bizneseve kërkuan nga ZRrE-ja pezullimin e vendimit brenda 10 ditëve, përkatësisht deri më 21 qershor 2025.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka deklaruar se protestat e komunitetit të biznesit kundër kalimit të detyrueshëm në tregun e lirë të energjisë elektrike kanë filluar të japin rezultat. Ai i ka bërë thirrje institucioneve që ta rishikojnë vendimin dhe të parashohin një periudhë tranzicioni njëvjeçar, për t’i dhënë kohë bizneseve të përshtaten me tregun e lirë energjetike.

“Aleanca Kosovare e Bizneseve dhe bashkë organizatoret, pas përfundimit të protestave, i kemi dhënë një afat shtesë ZRRE-së dhe institucioneve të Kosovës që të shikojnë mundësinë e rishikimit të këtij vendimi, që ai të shtyhet për një afat njëvjeçar,” deklaroi Shahini.

Ai theksoi se kërkesat e tyre ende nuk janë marrë parasysh nga institucionet.

“Siç duket, këto kërkesa janë ende në vesh të shurdhët, ne kemi dërguar letër edhe Presidentes së Kosovës dhe jemi në pritje të ndonjë përgjigjeje. Nëse nuk marrim asnjë përgjigje, Këshilli Organizativ do të vendosë për protesta të tjera dhe do të përcaktojmë se si do të veprojmë më tutje’’, tha Shahini.

Shahini tha se presioni nga protestat ka filluar të japë efekt konkret, sidomos në qasjen e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK):

“Protestat kanë arritur një efekt, sidomos te KEK-u, ku sipas ligjit aktual ishte i detyruar të furnizojë operatorët ekonomikë për dy muaj. Tash, pas protestës, ky afat është zgjatur deri në janar të vitit 2026, efektet, pra, veçse po shihen’’, potencoi ai.

Ai përsëriti se bizneset nuk janë kundër tregut të lirë si koncept, por kundërshtojnë mënyrën e menjëhershme dhe të paorganizuar të zbatimit.

“Ne kërkojmë vetëm kohë për t’u përshtatur, për të mos rrezikuar prodhimin dhe për të mos humbur vende pune. Vendimi duhet të shtyhet për një vit’’, përfundoi kryetari i AKB-së.

Besart Dreshaj nga Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka kritikuar heshtjen e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) dhe Qeverisë në një kohë kur komuniteti i bizneseve kërkon pezullimin e vendimit për tregun e lirë të energjisë. Ai tha se ky qëndrim pasiv tregon mungesë përgjegjësie dhe përgatitjeje për pasojat që mund të ketë ky vendim.

‘’Heshtja e ZRrE-së dhe Qeverisë, në kohën kur komuniteti i bizneseve po kërkon pezullimin e vendimit për tregun e lirë të energjisë, është jo vetëm shqetësuese, por edhe dëshpëruese. Kjo qasje pasive tregon qartë mungesë përgjegjësie dhe mungesë përgatitjeje për pasojat e këtij vendimi’’, tha Dreshaj.

Dreshaj tha se vendimi është marrë pa analiza të thella, pa konsultime me bizneset dhe pa një plan të qartë zbatimi, ndërsa ZRrE-ja po vepron më shumë si institucion që vulos rritje çmimesh sesa si mbrojtës i interesit publik.

Ai paralajmëroi se bizneset prodhuese janë në rrezik serioz falimenti për shkak të kostove në rritje dhe se kjo do të godasë rëndë ekonominë dhe punësimin.

‘’Vendimi është marrë pa analiza të thella, pa konsultime me palët e prekura dhe pa një plan të qartë zbatimi. ZRrE, në vend se të jetë institucion rregullator dhe mbrojtës i interesit publik, po shfaqet thjesht si zyrë që vulos rritje çmimesh, duke mos marrë parasysh ndikimin në sektorin privat dhe në ekonominë kombëtare’’, tha Dreshaj.

Sipas Dreshajt, kërkesa për pezullim të vendimit së paku për një vit është e domosdoshme për të garantuar një tranzicion të drejtë dhe të qëndrueshëm, duke u dhënë kohë institucioneve që të bëjnë përgatitjet teknike, ligjore dhe infrastrukturore të nevojshme.

‘’Ne si përfaqësues të bizneseve kemi kërkuar që ky vendim të pezullohet së paku për një vit, sepse është i nxituar, i papërgatitur dhe i padrejtë në përmbajtje dhe në efekt. Dita-ditës po vërtetohet se institucionet nuk kanë ndërmarrë asnjë parapërgatitje serioze’’, deklaroi ai.

Ai theksoi se tregu i lirë i energjisë duhet të zbatohet vetëm me planifikim, analizë dhe përfshirje aktive të komunitetit të biznesit dhe se çdo zbatim i nxituar dhe i papërgatitur rrezikon falimentimin e bizneseve vendore, humbjen e vendeve të punës dhe destabilizimin e ekonomisë kombëtare.

‘’Tregu i lirë energjetik është një proces që kërkon planifikim, analizë dhe përfshirje aktive të të gjitha palëve, përfshirë komunitetin e biznesit’’, përfundoi ai. /Frontonline