Policia e Pogradecit ka arrestuar një prej autorëve të ngjarjes të ndodhur në hotelin “Voloreka”, në Tushemisht, si dhe janë shpallur në kërkim 3 bashkëpunëtorët e tij.
Pas hetimeve të kryera policia njofton se këta shtetas pas një konflikti të mëparshëm me pronarin e hotelit dhe djalin e tij, në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kanosur me armë zjarri dhe kanë qëlluar në drejtim të hotelit, shtetasin J. M., 20 vjeç, si edhe më datë 08.08.2020, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të hotelit në pronësi të shtetasit J. M., 47 vjeç, ku u shkaktuan dëme materiale tek godina e hotelit dhe 7 automjete të parkuara pranë tij.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua 1 mjet motor tip “Suzuki”, pa targë, 2 skafandra të përdorura nga autorët, ku janë fiksuar prova biologjike dhe balistike të tyre, fishekë luftarakë, si edhe pamje filmike të filmuara nga kamerat e sigurisë.