Një konflikt i çastit për një parakalim në rrugë ka përfunduar me armë zjarri dhe një person të plagosur, në një ngjarje të ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit të së dielës në autostradën Durrës-Tiranë.
Sipas të dhënave zyrtare nga Policia e Durrësit, ngjarja ndodhi rreth orës 01:00, kur pas një debati verbal mes drejtuesve të dy automjeteve, situata ka degjeneruar në përdorimin e armëve të zjarrit. Dy vëllezër, Emiljano Domi, 46 vjeç, dhe Elton Domi, 40 vjeç, të dy banues në Xhafzotaj, dyshohet se kanë qëlluar në drejtim të automjetit ku ndodhej një 35-vjeçar, shtetasi me iniciale L. Sh.
Për pasojë, 35-vjeçari mbeti i plagosur dhe u dërgua menjëherë në spital. Mjekët kanë konfirmuar se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.Autorët janë identifikuar dhe aktualisht janë shpallur në kërkim nga policia, e cila po vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e tyre. Materialet procedurale i janë referuar tashmë Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme ligjore.