Galeria e Ministrisë së Kulturës organizon ekspozitën e parë gjithëpërfshirëse dhe vetjake të Rina Krasniqit, të kuruar nga Bardhi Haliti me titull “Vizatime”, më 8 dhjetor në ora 19:00.
Një koleksion i madh vizatimesh në letër të trashësisë dhe madhësive të ndryshme, duke filluar nga letra të prera në formë katrore, ovale apo të parregullt, të shfaqura në tavolina të bëra enkas për ekspozitë, e përbëjnë pjesën kryesore të ekspozitës.
Të gjitha këto vizatime tregojnë për qasjen e ndërlikuar të Rinës ndaj vizatimit, të formësuar nga imagjinata dhe fantazia e përpiktë. Të gjalla dhe duke luajtur qëllimisht me proporcione, këto vizatime shfaqin një idealizëm specifik, duke i dhënë energji punimeve.