Të paktën 11 persona kanë vdekur dhe 19 të tjerë konsiderohen të zhdukur pas zjarreve në jug të Spanjës, tha kreu i qeverisë rajonale të Andaluzisë, Juan Manuel Moreno Bonilla.
“Aktualisht janë të paktën 19 persona që konsiderohen të zhdukur dhe 11 njerëz që janë konfirmuar se kanë vdekur, të cilët po udhëtonin me të njëjtën makinë”, tha ai për radion Cope, duke shtuar “mund të kemi edhe viktimën e dymbëdhjetë”.
Zjarret e egra kanë shpërthyer në një fshat spanjoll, ku vdiqën 11 persona dhe në mesin e tyre, sipas autoriteteve, mund të jenë edhe katër shtetas britanikë, të cilët u dogjën teksa po udhëtonin me një makinë, teksa temperaturat e larta kanë përfshirë mbarë Evropën jugore.
Rreth 400 zjarrfikës dhe trupa po luftojnë me zjarret në verilindje të Almerisë, në rajonin e Andaluzisë, teksa dëshmitarët thanë se flakët mund të kenë nisur pasi kabllo elektrike u rrëzuan në tokë.
Të premten, temperaturat në Spanjë dhe Francë parashihen të arrijnë deri në 40 gradë Celsius, teksa të dy shtetet po përballen me zjarre pyjore.
Ministri rajonal i emergjencave në Andaluzi, Antonio Sanz, tha se tetë persona janë lënduar dhe katër prej tyre janë në gjendje të rëndë, teksa rreth 3.150 hektarë tokë janë shkrumbuar.
Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez shkroi në X se “jam thellësisht i pikëlluar nga pasojat e tmerrshme të zjarreve”.
Ai tha se Spanja do të dislokojë svijet ekipin më të madh ndonjëherë për zjarret gjatë verës.
Zjarret kanë shpërthyer teksa Spanja po përballet me një valë të të nxehtët dhe viteve të fundit, ky shtet ka përjetuar temperatura që shpesh kanë qenë mbi 40 gradë Celsius, duke krijuar kushtet për zjarre të egra.
Vitin e kaluar, Spanja regjistroi vitin e tretë më të nxehtë në histori. Më herët gjatë muajit, qindra zjarrfikës u angazhuan në shuarjen e zjarreve afër brigjeve të Kosta Brava.
Edhe vitin e kaluar, Spanja u përball me zjarre, kur pothuajse 400.000 hektarë tokë u dogjën.
Ditëve të fundit, edhe Franca po përballet me zjarre. Një vatër zjarri në rajonin Drome, në juglindje të vendit, për dhjetë ditë ka shkrumbuar 3.700 hektarë tokë./REL/