“Të negociosh paqen” nga Qendra Multimedia në Zagreb të Kroacisë - Gazeta Express
string(62) "te-negociosh-paqen-nga-qendra-multimedia-ne-zagreb-te-kroacise"

Arte

Gazeta Express

07/06/2024 14:15

“Të negociosh paqen” nga Qendra Multimedia në Zagreb të Kroacisë

Arte

Gazeta Express

07/06/2024 14:15

Shfaqja “Të negociosh paqen” e Qendrës Multimedia do të prezantohet sot më 7 qershor në Teatrin Kerempuh në Zagreb të Kroacisë.

Shfaqja do të prezantohet si pjesë e edicionit të 48-të të festivalit “Ditët e satirës – Fadil Hadžić”

Lexo Edhe:

Festivali “Ditët e satirës – Fadil Hadžić” është festival ndërkombëtar i Teatrit Kerempuh, i cili që nga viti 1976 mbahet çdo vit në qershor, me qëllim të promovimit të shfaqjeve cilësore të satirës dhe komedisë, dhe mbi të gjitha përballjes së publikut me problemet aktuale të përditshmërisë tonë përmes elementeve të pashmangshme të humorit dhe satirës, duke e pasuruar jo vetëm jetën kulturore, por edhe vetëdijen shoqërore. Ditet e Satirës Fadil Hadžić çdo vit na kujtojnë rëndësinë e humorit dhe satirës që na bëjnë më tolerantë, na lidhin me të tjerët, na mësojnë, na japin pikëpamje të reja për botën.

Prezantimi në këtë festival që është ndërtuar mbi parimin e lirisë së fjalës dhe rezistencën kundër cenzurës, është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Qendrën Multimedia. “Të negocosh paqen” është shfaqje që ballafaqon shoqërinë me dinamikat e tryezave të negociatave që përcjellin shoqëritë e pasluftës dhe me pyetjet e vështira se kush e ka legjitimitetin të negociojë paqen e a është falja një akt kolektiv, apo individual si dhe a përfaqësohen zërat e viktimave në këto tryeza, si kategoria e shoqërisë që i vuan më së shumti humbjet dhe pasojat nga luftërat.

Prezantimi në Zagreb i shfaqjes “Të negocosh paqen” vjen pas prezantimeve nëpër festivale e teatro të ndryshme evropiane në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Serbi, Gjermani, Çeki dhe i paraprin prezantimeve të mëvonshme të shfaqjes në Itali e në Mal të Zi në festivalin Mittelfest, përkatësisht festivalin FIAT. 

Negotiating Peace e Qendrës Multimedia, e cila u dha premierë më 16 tetor në Teatrin ODA, zgjoi interesim të jashtëzakonshëm të kritikës ndërkombëtare. Media si The Guardian e Britanisë, Politis e Francës e Taggespiegel e Gjermanisë e vlerësuan atë për relevancën shoqërore e qasjen e veçantë ndaj një çështje politikisht të komplikuar. Në kritikën e tij për The Guardian, Philip Oltermann shkroi, “Kur udhëheqësit politikë e paraqesin luftën si të vetmen zgjidhje, është detyrë e artistëve t’ua kujtojnë njerëzve se gjetja e paqes është ende e mundur. Kjo është pikënisja për një kompani teatrore në Kosovë, “Qendrën Multimedia”, e cila nëpërmjet shfaqjes së re kthehet te lufta e fundit në Evropë para invadimit të Rusisë në Ukrainë dhe eksploron se si u ndal ajo.

Duke u nisur nga negociatat e paqes, duke përfshirë marrëveshjen e Dejtonit, marrëveshjet në Irlandën Veriore dhe ato të Lindjes së Mesme, bisedimet politike — ende pa shumë rezultat —  ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe duke e paramenduar si do të duket fundi i luftës ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, Qendra Multimedia ka bërë bashkë një ansambël pan-evropian për të krijuar NEGOTIATING PEACE. Ky produksion është krijuar me artistë dhe grupe teatrore nga Ukraina, Kosova, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Italia, Çekia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia dhe Estonia.

/Express