Të ndihesh si kriminel edhe atëherë kur ndjek rregullat - Gazeta Express
string(55) "te-ndihesh-si-kriminel-edhe-atehere-kur-ndjek-rregullat"

Të ndihesh si kriminel edhe atëherë kur ndjek rregullat

OP/ED

Gazeta Express

11/10/2021 19:04

Po tentoj të shkruaj këtë letër në mënyrë sa më objektive edhe pse është e vështirë të lësh emocionet anash kur t’i përballesh me një situatë që të bënë të ndihesh një lloj krimineli i paprecedent  si rezultat i një sistemi qe veçse i drejtë dhe korrekt nuk mund të quhet.

Të ndjehesh i tillë kur në fakt ke tërë jetën që ke ndjekur rregullat dhe të vetmen herë kur ke pasur kontakt me policinë ka qenë rezultat i ndonjë gjobe trafiku, të lë një shije të hidhur dhe me plot pikëpyetje rreth vlerës tënde si person dhe shoqërisë që i përket.

Lexo Edhe:

Prandaj rrëfimi im i drejtohet qeverisë mosfunksionale të vendit tim dhe vlerësimit paragjykues te sistemit te ambasadave qe s’është gjë tjetër veçse rezultat i veprave të qeverive tona, qe premtimet i kanë të vetmen cilësi të përbashkët.

E kuptoj se si qytetare e një vendi ku një numër i madh i njerëzve luftojnë për mbijetesë, është privilegj të kesh mundësinë që të ankohesh dhe të shkruash për lëvizjen e lirë të bllokuar tash e 20 vite nga mungesa e vizave, por mendoj se një përjetim i tillë ia vlen të ndahet me shpresën që i bije në sy personit të duhur. 

Ky demoralizim s’është i izoluar dhe personal, është sfidë e përgjithshme e të gjithë neve që ndajmë te njëjtën brengë çdo ditë e çdo vit duke pritur një liberalizim që duket i largët në realizim dhe prezent vetëm në tryeza diskutimesh brenda një agjende me prioritete politike.

Si një qytetare që plotëson te gjitha kriteret për një vizë me pikë e presje, me një historik udhëtimesh ne prizmin profesional dhe personal, unë vendosa të aplikoj për vizë zvicerane, por pavarësisht kritereve të plotësuara, ambasada zvicerane kishte vendosur për një vizë me afat shfrytëzimi prej 10 ditësh brenda një muaji!

Nuk mund ta besoja… për 10 vite me radhë unë isha pajisur me vizë Shengen për nevoja pune ose personale me kohëzgjatje të paktën 1 vit, ndërsa tani kur kam dy vende pune, stabilitet financiar, përvojë të gjatë në sektorin bankar dhe e pajisur me gradën më të lartë në fushën akademike si doktoreshë e shkencave ekonomike në fushën e inovacionit, mu më ishte dhënë e drejta e lëvizjes në vendet Evropiane vetëm për 10 ditë… valide vetëm brenda muajit të ardhshëm! Mu kujtua se një kufizim të tillë zakonisht kanë kriminelët e veprave penale.

Të dhënat e vendosura në pasaportën time më paralizuan sensin e perceptimit analitik për të kuptuar logjikën e atyre që e sollën. Ku është ndryshimi mes 10 ditëshit dhe 90 ditëshit të lëvizjes se lirë, nga një qytetare që sado minimale veçse te ardhura lëvizja e saj mund të sillte?!

Cilët janë faktorët e vërtetë që afektuan ne këtë vendim, pasi e kam te qartë që nuk kufizohen me pasaportën time, që dëshmonte gjurmët e lëvizjeve në dhjetë vjeçarin e fundit?! Mos ndoshta një aplikim i dytë që do i kontribuonte buxhetit te tyre dhe me një taksë tjetër prej 130 eurove tjera? Presion indirekt qeverisë përmes qytetarëve të saj apo neglizhencë e stafit të ambasadës që pavarësisht posedimit të të gjitha dokumenteve personale thjeshtë lëshohet një vizë sa për të përmbyllur procesin?

Është paradoksale të mendosh se secili qytetar evropian me të ardhura shumëfish më të mëdha se një qytetar mesatar i Kosovës i nevojiten vetëm kaq ose më pak për të kaluar një vikend të këndshëm kudo në Evropë, ndërsa unë arrita të mbuloj vetëm shpenzimet për vizë dhe nxjerrjen e dokumenteve përcjellëse pas një muaji pritje për termin. Sigurisht isha me fat, sepse ne ambasadën gjermane ishte e pamundur të gjesh termin të hapur, i cili hapej vetëm në 12 të natës për disa minuta, por ende pa arritur të dërgosh informatat shfaqej njoftimi se nuk ka më termini të lira.

Megjithatë, besoja se ia vlente sepse isha kaq e lumtur që më në fund do te arrija ta dërgoja birin tim, Diellin, në qytetet e bukura të Zvicrës dhe të shihte me sytë e tij parqet e mirëmbajtura, trotuaret e lira dhe shtëpinë e famshme të Ajnshtajnit në Bern (për këtë mendoj se dikush tjetër ishte më e emocionuar se sa ai). Unë doja që në këtë moshë të re të përballet me kulturat e tjera sepse është ilaçi më i mirë kundër mendjengushtësisë dhe ndihmon që të krijoj një marrëdhënie të shëndetshme me të tjerët duke i mësuar të pranoj ndryshimet dhe njëjtën kohë të gjej ngjashmëritë.

Isha duke ëndërruar me sy hapur për këtë udhëtim kur dëgjova tingullin e tabelës se numri i radhës duhet të afrohet tek kabina. Vajza e sjellshme aty m’i pranoj dokumentet dhe filloj të konfirmoj informatat që kisha dhënë në aplikacion. “Ne nuk mund të shkruajmë që ju kërkoni vizë për më shumë se 90 ditë qëndrimi” tha ajo, “rregullat nga ambasada kërkojnë që ne të shkruajmë maksimum 90 ditë, ndërsa ata vendosin për sa kohë e lëshojnë vizën”. “Mirë” i thash, “atëherë të lutem shkruaje në kutinë për informatat shtesë se do ta vlerësoja nëse do ta jepnin për të paktën 1 vit”.

“Jo nuk kemi të drejtë të shkruajmë as aty” u përgjigj ajo. Pas disa diskutimeve e kuptova që ishte e kotë të insistoja andaj e vazhduam sipas rregullave. Duke konfirmuar listën e dokumenteve e pash që unë kisha harruar të sjell dokumentin e trustit, por nuk u shqetësova sepse m’u kujtua që në faqen e qendrës procesuese shkruante se mund të printonim aty dokumentet. Nëse dëshironi të sjellni këtë dokument shtesë ju duhet të paguani 10 euro më shumë, po ashtu nëse doni ta sjell posta pasaportën tuaj brenda 10 ditë edhe 10 euro tjera. I thash jo faleminderit, vijë dhe e marr vet. “Në këtë rast përgjigja vonohet deri në 4 javë” ma ktheu ajo! Pyetjes time pse duhet krijohet një vonesë e tillë varësisht prej mënyrës se si e marr unë pasaportën time apo pse duhet te paguaj 10 euro kur postat në gjithë Kosovën kushtojnë vetëm 2 euro nuk është që dikush i dha një përgjigje konkrete, përveçse një plotësimi klishe qe këto janë rregullat e ambasadës.

Mirë thash me veti, po i pranoj gjitha këto sepse në bazë të përvojës të paktën deri vitin tjetër nuk kam nevojë të përballem me një situatë të tillë dhe më në fund të gjitha tregimet e bukura që i kam treguar Diellit do të marrin formë reale kur ai t’i përjetoj dhe shoh vet. Për më shumë nuk do të kisha nevojë të shpikja arsyetime pse nuk mund të shkojmë tani kur ai kërkonte me ngulm sa herë që unë i rrëfeja për udhëtimet e mija.

Fatkeqësisht pritjet e mija nuk u përmbushen dhe kjo ngjarje zgjoi indinjatën për të  reaguar dhe për të kërkuar të drejtën e lëvizjes si qytetare e botës, e cila pret të vlerësohet si person dhe jo si personazh i një vendi që sinjalizohet për njëmijë e njëqind gjëra, duke bërë qytetarët të lajnë borxhet e veprimeve te udhëheqëseve të tyre. Deri kur qytetarët duhet ti bartin pasojat e një elite të papërgjegjshme që për vete e familjarët e tyre kanë siguruar viza e pasaporta shqiptare?! A kemi të drejtë ta dimë kur ne mund të lëvizim lirshëm si krejt qytetarët e botës, që të paktën Dielli im e bashkëmoshatarët e tij të mos i përjetojnë ndalesat, përçmimet e përvojën tonë të hidhur?

Përfundimisht, ne si qytetarë dhe të gjithë akterët duhet të kuptojmë se liria në fund të ditës nuk ekziston për të plotësuar teket tona por për të bërë atë që është e drejtë, andaj është më e pakta që mund të presim nga ata që paguhen me taksat tona si dhe atëherë kur paguajmë për t’u gjykuar personalisht dhe jo si pjesë e më shoqërie që lë shumë për të dëshiruar.

Bio: Albulena ka perfunduar studimet shkencore nëe Universitetin e Prishtines dhe pjeserisht ne Universitetin e Bolonjes ku ka fituar titullin si doktorëshë e shkencave ekonomike. Për disa vite ka ligjeruar si asistente ne Universitetin e Prishtines përderisa ka zhvilluar përvojën e saj profesionale me shumë se 15 vite ne sistemin bankar të Kosovës.