Të mësosh të jetosh me COVID-19 - Gazeta Express

OP/ED

Gazeta Express

29/05/2020 14:18

Të mësosh të jetosh me COVID-19

OP/ED

Gazeta Express

29/05/2020 14:18

Liderët në shtetin brazilian të Rio Grande do Sul kanë hartuar një strategji për të jetuar me virusin, bazuar në treguesit kryesorë, konsultime me ekspertët dhe proceset e detyrueshme. Dhe ai e ka bërë këtë duke qenë në transparencë të plotë me publikun. Qeveritë e vendeve më të pasura mund të nxjerrin mësime nga ky shtet i vogël për të zhvilluar edhe ato një plan të tillë.

Autor: Ngaire Woods, Leany Lemos

Një nga paradokset e COVID-19 ka qenë mënyra në të cilën disa vende të pasura, me kapacitet të lartë (veçanërisht Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar) nuk arritën ta frenojnë virusin, ndërsa disa vende dhe rajone më të varfra me më pak kapacitet (përfshirë Vietnamin, Greqinë, etj. dhe shteti Indian të Keralas) shumë shpejt e vunë atë nën kontroll. Tani që vendet duhet të planifikojnë se si do të vazhdojnë pas izolimeve, është shfaqur një kontrast po aq i ashpër.

Në SHBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar, regjimet e paqarta të frenimit të përhapjes pa plane të qarta daljeje kanë shkaktuar një ngërç politikash midis vazhdimit të izolimeve dhe hapjes së pamatur të ekonomisë. Ndryshe nga kjo, politikëbërësit në shtetin brazilian Rio Grande do Sul kanë përdorur një planifikim të kujdesshëm për të mësuar të jetojnë bashkë me virusin.

Shteti i filloi përgatitjet më 2 mars, kur Guvernatori Eduardo Leite ngarkoi sekretarin e tij të planifikonte, të përgatiste buxhetin dhe të menaxhonte mbledhjen e një komiteti të dhënash për të hartuar dhe zbatuar një plan që ekonomia e shtetit të vazhdojë, ndërkohë që vendi luftonte përhapjen e virusit. Në shumë pjesë të tjera të Brazilit, virusi mbetet i pakontrolluar dhe vendi tani ka numrin e dytë më të lartë në botë të rasteve me COVID-19 dhe renditet i gjashti në botë përsa i takon numrit të vdekjeve. Megjithatë, shteti i tij i pestë për nga popullsia në Brazil është përgjigjur në një mënyrë që shumë vende të pasura do të bënin mirë ta imitonin.

Bien në sy pesë përbërës të mënyrës se si Rio Grande do Sul iu përgjigj kësaj krize.

Së pari, Leite u përqendrua që në fillim në shmangien e rezultatit më të keq të mundshëm, në vend që thjesht të shpresonte se kjo gjë nuk do të ndodhte. Para se pandemia të arrinte në Brazil, zyrtarët e shtetit përdorën të dhëna si nga Japonia ashtu edhe nga Singapori (ku ndikimi i virusit ishte i kufizuar) dhe Italia dhe Spanja (ku ajo që ndodhi ishte e tmerrshme) për të gjeneruar parashikime matematikore dhe vendosën të shmangnin rezultatet që ngjasojnë me këto të fundit. Guvernatori më pas njoftoi masa kufizuese në mes të marsit përpara se shteti të raportonte vdekjen e saj të parë nga COVID-19, duke fituar kështu kohë për të forcuar kapacitetin e sistemit shëndetësor ndërsa ngadalësonte përhapjen e virusit.

Së dyti, zyrtarët shtetërorë morën një qasje të drejtuar nga të dhënat për gjurmimin e virusit, duke investuar jo vetëm në mbledhjen e më shumë të dhënave, por edhe në përmirësimin e sistemeve dhe në punësimin njerëzve të aftë për të vlerësuar informacionet e mbledhura. Komiteti i të dhënave e ndau shtetin në 20 rajone, secili prej të cilëve ka një spital kryesor me një njësi të kujdesit intensiv (ICU) dhe ka monitoruar çdo javë 11 tregues në secilin rajon.

Rreth gjysma e treguesve matin përhapjen e virusit. Ata përfshijnë numrin e rasteve të reja me COVID-19 të shtruara në spitale (duke e krahasuar atë me të dhënat e një jave më parë), numrin e rasteve aktive dhe shërimeve në 50 ditët e fundit, dhe shtrimet dhe vdekjet e reja për 100,000 banorë. Komiteti gjithashtu gjurmon numrin e pacientëve të shtruar në spitale dhe ata që janë në terapi intensive ose me COVID-19 ose me sindromën e distresit respirator akut, një sëmundje e lidhur me mushkëritë (sepse rastet e COVID-19 janë zakonisht të pamjaftueshme).

Tregues të tjerë matin aftësinë e sistemit shëndetësor të çdo rajoni. Ato përfshijnë numrin e shtretërve në dispozicion në terapi intensive në krahasim me numrin e përgjithshëm të popullsisë dhe numrin e banorëve të moshës mbi 60 vjeç, si dhe ndryshimin në numrin e shtretërve të zënë në terapi intensive në krahasim me javën e mëparshme.

Përveç monitorimit intensiv të të dhënave, komiteti i të dhënave mbledh ekspertë shëndetësorë dhe akademikë në baza pro bono dhe i bën publik raportet e tyre. Më shumë se 150 ekspertë nga qeveria dhe akademia aktualisht po shqyrtojnë ndikimin e COVID-19 në aktivitetin ekonomik, cenueshmërinë sociale, infrastrukturën dhe lëvizshmërinë në shtet. Për më tepër, qeveria krijoi më herët një partneritet me një universitet për të nisur testimet e rastësishme dhe për të anketuar zakonet në të gjithë shtetin, gjë e cila po ofron një kuptim më të mirë të përhapjes reale të virusit.

Komponenti i tretë i përgjigjes së shtetit është një sistem i thjeshtë, specifik dhe transparent alarmi. Çdo javë, komiteti i bashkon të 11 indekset në një shifër të vetme për secilin rajon, i cili e vendos rajonin në një nga katër kategoritë e rrezikut. E verdha përfaqëson rrezik të ulët, portokallia është rrezik i mesëm, e kuqja është rrezik i lartë dhe e zeza nënkupton rrezik shumë të lartë, me një izolim të plotë të pritshëm në raste ekstreme. Për shkak se publiku mund të ekzaminojë të dhënat mbi të cilat bazohen klasifikimet e rrezikut, sistemi ndihmon në ndërtimin e mirëkuptimit dhe besimit.

Së katërti, zyrtarët ekzaminuan me kujdes mënyrën se si ta mbajnë gjallë ekonominë, sepse shteti tashmë ka detyrime dhe nuk mund të përballojë dot për shumë kohë pagesa për njerëzit e mbetur pa punë. Komiteti ka segmentuar qartë punët dhe aktivitetet ekonomike për sa i përket sigurisë së punëtorëve (duke marrë parasysh kërkesat për distancim social) dhe rëndësinë e tyre ekonomike, duke u dhënë këtyre faktorëve përkatësi një peshë prej 70% dhe 30%. Për shembull, bujqësia është relativisht e sigurt, sepse punëtorët janë jashtë dhe në një distancë të sigurt nga njëri-tjetri dhe ajo është gjithashtu thelbësore për ekonominë e Rio Grande do Sul. Të gjitha informacionet janë në dispozicion të publikut.

Dhe në fund, qeveria e shtetit hartoi protokolle kthimi në punë për secilën industri bazuar në konsultime me ekspertë të shëndetit, shoqata të industrisë, biznese dhe punëtorë. Duke publikuar draftet e hershme të protokolleve dhe duke mirëpritur komente, komiteti mundi të siguronte një proces të hapur dhe transparent.

Përtej masave të detyrueshme të tilla si mbajtja e maskave, pastrimi, distancomi dhe mbrojtja e grupeve në rrezik, protokollet e sektorit ndryshojnë në varësi të nivelit të alarmit. Për shembull, industria mund të funksionojë me kapacitet 100% në një rajon të verdhë, me 75% nën një alarm portokalli, 50% në rajone të kuqe dhe 25% në rajone të zeza, me përjashtime për sektorët thelbësorë si ushqimi, energjia, kimikatet dhe shëndeti. Shitja me pakicë, e cila paraqet një rrezik më të lartë infektimi, mund të funksionojë me kapacitet vetëm 50% nën një alarm të verdhë dhe duhet të mbyllet nën rajon me një alarm të zi.

Ndërkohë që autobusët dhe kishat kanë kufizime të ndryshme vendesh në varësi të nivelit të alarmit, aktualisht nuk lejohet asnjë veprimtari masive. Shteti tani po debaton se cilat institucione arsimore duhet të rihapin të parat dhe kur dhe si duhet të rihapin pjesën tjetër.

Politikat e sigurisë së punës të Rio Grande do Sul kanë tre javë që zbatohen. Javën e fundit të majit ishin në përdorim më pak se 20% e shtretërve të terapisë intensive në këtë shtet. Shteti ka 56 raste të infektuara për 100,000 banorë, krahasuar me 720 për 100,000 në shtetin Amazonës, 390 në shtetin Ceará dhe 220 në Rio de Zhaneiro. Dhe shkalla e tij e vdekshmërisë nga COVID-19 është 1.6 për 100,000 banorë, shumë më poshtë se normat në Amazonës (42.4) dhe Rio de Zhaneiros (23.1).

Liderët e Rio Grande do Sul kanë hartuar një strategji për të jetuar me virusin, bazuar në treguesit kryesorë, konsultimet e ekspertëve dhe proceset e detyrueshme. Dhe ai e ka bërë këtë duke qenë në transparencë të plotë me publikun. Qeveritë e vendeve më të pasura mund të nxjerrin mësime nga ky shtet i vogël për të zhvilluar edhe ato një plan të tillë.

/ Project Syndicate