string(45) "te-kesh-nje-atdhe-te-lire-ne-nje-bote-te-lire"

Arte

Gazeta Express

03/02/2025 15:53

Të kesh një atdhe të lirë në një botë të lirë

Arte

Gazeta Express

03/02/2025 15:53

Teksti është fjala e mbajtur nga autori me rastin e promovimit të librit “Lugina e Lumit Issa” të shkrimtarit, Czeslaw Milosz.

Nga: Blerim Latifi

E pranova me kënaqësi ftesën për të marrë pjesë në promovimin e librit ‘Lugina e Lumit Issa’ të shkrimtarit lituanezo-polak Czesław Miłosz.

Qysh në fillim të fjalës time më duhet të qartësoj se ajo që do të them në vazhdim është e foksuar pothuajse krejtësisht tek profili i autorit të kësaj vepre. Arsyeja themelore për këtë qëndron në faktin se Czesław Miłosz është një emër fare pak i njohur tek ne dhe kjo mosnjohje, si në shumë raste të tjera, mund të bëhet shkaktari që vepra e tij, e sjellur të shqip, të kalojë në heshtje dhe të mos arrij fare tek lexuesi i letërsisë. E, siç na e kujton Joseph Brodsky, mosleximi i librave është një krim mbase më i madh se djegia e tyre

Në kontekstin tonë, vepra e Czesław Miłosz nuk e meriton një fat të tillë. Për dy arsye madhore: njëra politike, tjetra artistike, letrare.

Në vitin 1999, kur Kosova po kalonte orët më të liga të historisë së saj , fushatën e madhe të vrasjeve masive dhe të spastrimit total etnik, në botën perëndimore, krahas angazhimit diplomatiko-ushtarak rreth zhvillimeve dramatike në Kosovë, po zhvillohej edhe një debat i fuqishëm intelektual mbi legjitimitetin e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s. Shkrimtarë, filozofë, artistë, intelektualë publikë, nga më të njohurit në republikën perëndimore të letrave, ishin përfshirë në këtë debat. Tri ishin pozicionet që mbaheshin këtë debat: pozicioni i atyre që ishin pro bombardimit të Serbisë, për të ndalur gjenocidin në Kosovë; pozicioni i skeptikëve, të cilët dyshonin në arsyet morale të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s dhe pozicioni i atyre që kundërshtonin në mënyrë kategorike këtë ndërhyrje, duke e kualifikuar atë si një agresion imperialist kundër një shteti sovran.

Czesław Miłosz, i cili prej kohësh njihej si një figurë e intelektualit të angazhuar dhe poet i vlerësuar me shumë çmime, përfshirë çmimin Nobel, do të përfshihej publikisht në këtë debat. Me 10 maj të vitit 1999, tanimë kur zërat kritikë ndaj ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë sa vinin e bëheshin më të ndikues, Czesław Miłosz do të jepte një intervistë për një magazinë politike amerikane, e cila pastaj do të bënte gjiron e citimeve gjithandej shtypit perëndimor. Në pyetjen e gazetarit se : A mendoni se bombardimet e NATO-s janë një ndërhyrje e drejtë ushtarake?, Miłoszdo të përgjigjej: “E gjithë kjo çështje vazhdon tash e 10 vjet. Ajo që serbët po bënin në Bosnje — spastrim etnik dhe mizori të tjera — e përkeqësuan opinionin evropianoperëndimor dhe amerikan sepse kishte një ndjenjë pafuqie dhe zhgënjimi të madh përballë çnjerëzimit të krimeve masive. Unë besoj se veprimet e NATO-s janë moralisht, absolutisht të justifikuara…Shkrova një poezi për Sarajevën, duke paralajmëruar se pasiviteti — në këtë rast, pasiviteti i Europës Perëndimore për të parandaluar krimet — mund të dënohet nga fatet. Nuk e di nëse bombardimi ishte zgjidhja më e mirë. Por përgjegjësia serbe për krimet duhet kuptuar qartë. Millosheviqi është padyshim përgjegjës për krimet më mizore, të cilat praktikisht janë të barabarta me krimet e kryera nga nazistët”.

Ne që e kemi jetuar tmerrin e luftës dhe spastrimin etnik të kryer nga regjimi i Sllobodan Milosheviqit, e dimë se lufta jonë për liri nuk do të fitohej, nëse më parë nuk do ta fitonim luftën morale kundër këtij regjimi në opinionin ndërkombëtar. Dhe kjo fitore morale është arritur edhe falë intelektualëve si Czesław Miłosz, të cilët i tejkaluan të gjitha barrierat e proveniencës së tyre kulturore, e kuptuan të vërtetën dhe të drejtën tonë dhe e vunë autoritetin e tyre në shërbim të tyre.

Czesław Miłosz ka vdekur në gushtin e vitit 2004, në Krakov të Polonisë, dhe unë sot ndjehem keq kur konstatoj se asnjëherë, në të gjallë të tij, askush nga vendi ynë nuk u kujtua t’i dërgonte një letër mirënjohje këtij emri të madh të kulturës europiane, që ngriti zërin për ne, atëherë kur më së shumti kishim nevojë.

Por, megjithatë, ne sot kemi një mundësi të re për ta korigjuar këtë gabim. Kjo mundësi është leximi i veprës së Czesław Miłosz-it. Natyrisht, ky lexim nuk duhet kuptuar vetëm si shenjë mirënjohje ndaj tij, por edhe si mundësi për të pasuruar kulturalisht veten tonë me një vepër që bartë vlera të larta letrare. Këto vlera nuk janë vetëm të rrafshit artistik, por edhe të rrafshit ideor e filozofik, si dhe të angazhimit politik. Mjafton këtu të përmendim librin e tij të famshëm ‘Mendja e robëruar’, e cila nga shumë kritikë është vlerësuar si e të njëjtit nivel me ‘1984’ të George Orwell dhe ‘Errësira në mesditë’ të Arthur Koestler-it. Sikurse këto dy vepra, edhe ‘Mendja e robëruar’ e Miłosz gjurmon dhe evidenton mekanizmat totalitarë të shkatërrimit të njeriut në botën komuniste, psikologjinë e kontrollit totalitar, rrëshqitjen e utopisë në distopi, shndërrimin e shpresë së madhe të premtuar nga marksizmi teorik në ankthin praktik të regjimeve staliniste. Me pak fjalë: përfundimin e idealit të madh të emancipimit të njerëzimit në njërin ndër krimet më të mëdha të shekullit 20.

Ne sot e dimë se kontributin më të madh në kritikën e totalitarizmit nuk e kanë dhënë veprat teorike mbi të, por letërsia antitotalitare, në të cilën një vend të nderuar e zë edhe Czesław Miłosz.

Dhe jo vetëm për eseun bestseller ‘Mendja e robëruar’, por edhe për dhjetëra ese të tjera, e vepra letrare, në prozë dhe në poezi, ku brenga për lirinë shfaqet si një konstantë e përhershme. Sot ne kemi para nesh një vepër të re të Czesław Miłosz, të sjellur në shqip, vepër në të cilën e rigjejmë këtë brengë.

Romani ‘Lugina e Lumit Issa’ është e të njëjtës kohë me eseun ‘Mendja e Robëruar’. Të dyja të shkruara pas largimit të Czesław Miłosz në mërgim.  Në frymën e saj ‘Lugina e Lumit Issa’ paraqet një letrarizm të mallit të mërgimtarit për atdheun e humbur, mall i cili shprehet përmes rikrijimit imagjinar të tij, rikrijimi i cili njëkohësisht kryen rolin e kthimit imagjinar në atdheun e ndaluar.

Kthimi në atdhe, kthimi tek rrënjët, tek gjurmët e fëmijërisë tonë, ka qenë një prej motiveve më të fuqishme në Kanonin Letrar të Perëndimit, qysh nga Homeri. Nga shekulli i 17 ky motiv quhet “nostalgji”.  Nostalgjia është mall i përzier me ndjesinë e dhimbjes për kthimin e pamundur në shtëpinë atrore. Sot ne po jetojmë një valë të re dhe shpeshherë të frikshme të largimit nga kjo shtëpi dhe në këtë kontekst romani ‘Lugina e Lumit Issa’ është një ftesë për të reflektuar mbi këtë dimension aktual të qenies tonë. Po ashtu një ftesë për të reflektuar mbi kontradiktën antropologjike midis rrënjeve dhe lëvizjes.

Zgjidhja e kësaj kontradikte mund të formulohet kështu: TË KESH NJË ATDHE TË LIRË NË NJË BOTË TË LIRË! Letërsia e Czesław Miłosz është një letërsi që i dedikohet kuptimit fundamental të kësaj formule. Nga fillimi në fund.