Sipas disa të dhënave të reja të publikuara nga Zyra Federale e Statistikave, të huajt që jetojnë në Gjermani paguajnë qira më të larta në mesatare krahasuar me personat që kanë pasaportë gjermane.
DW raporton se sipas zyrës, në vitin 2022, qiraja mesatare e paguar nga të huajt ishte 7.75 euro për metër katror, 9,5% më shumë sesa ajo që paguanin shtetasit gjerman.
Sipas agjencisë, një nga arsyet e kësaj diference mund të jetë fakti se banorët gjermanë zakonisht jetojnë në apartamente më të mëdha, të cilat zakonisht kanë çmime më të ulëta për metër katror. Për më tepër, gjermanët kanë tendencë të qëndrojnë në të njejtën banesë për periudha më të gjata kohore, duke përfituar kështu nga marrëveshjet më të vjetra të qirasë.
Megjithatë, nga zyra është thënë se edhe kur krahasohen qiratë e gjermanëve dhe të huajve që kanë jetuar në të njëjtën pronë për të njëjtën periudhë kohore, vazhdojnë të ekzistojnë dallime.