“Të gjithë po i kthehemi modelit suedez” - Gazeta Express
string(38) "te-gjithe-po-i-kthehemi-modelit-suedez"

“Të gjithë po i kthehemi modelit suedez”

Gazeta Express

01/10/2020 18:58

Vala e dytë e pandemisë i ka detyruar vendet e Europës të marrin disa masa, që sipas ekspertëve në një farë mënyre janë thjesht implementimi i modelit suedez. Ky i fundit bazohet në besimin te përgjegjësia e çdo qytetari.

“Normaliteti i ri” nuk është askund më i pazakontë sesa në Suedi, i cili është pothuajse i vetmi vend në Perëndim që refuzoi karantinën e plotë këtë pranverë dhe nuk aplikoi masa të tjera të detyrueshme kufizuese.

Lexo Edhe:

Gjatë asaj që u cilësua “pranvera e zezë”, Suedia nuk i mbylli kufijtë, transporti publik funksionoi normalisht, madje edhe restorantet, kafenetë, institucionet publike, parukierët dhe palestrat qëndruan të hapura.

Në bazë të parandalimit të përhapjes u vendos solidariteti dhe besimi suedez, domethënë besimi i autoriteteve te qytetarët se masa të tilla si ruajtja e distancës dhe higjiena do të mbahen vullnetarisht. A ishte ky vendimi i duhur apo jo, kjo ka qenë temë debati në të gjithë botën për muaj me radhë.

Shumë shkencëtarë kanë argumentuar se një strategji e tillë ka çuar në një rritje të vdekjeve nga koronavirusi, ndërsa politikanët dhe aktivistët liridashës kanë argumentuar se Suedia mund të jetë një model për të gjitha vendet. Ekspertët suedezë të shëndetësisë thonë se modeli suedez ishte i përshtatshëm dhe parandaloi rrënimin e ekonomisë së vendit.

Suedia pranoi që qasja mund të mos ketë qenë e përsosur dhe se janë bërë gabime, veçanërisht në azile, ku pati një numër të madh vdekjesh. Analizat tregojnë se shkalla e vdekshmërisë në institucione të tilla në Suedi ishte dukshëm më e lartë se në vendet fqinje ku u vendos karantina.

Por “New York Times” ngre pyetjen nëse rritja e ulët e rasteve të reja në Suedi, krahasuar me rritjen relativisht të lartë në vendet e tjera evropiane, tregon se Suedia ka gjetur një ekuilibër, diçka që vendet e tjera e kanë dëshiruar prej muajsh.

Ose është vetëm një devijim i përkohshëm që do t’i godasë të gjithë në kokë me ardhjen e një vale të re më të fortë sesa parashikohet.

“Situata deri më tani duket pozitive”, tha Anders Tegnell, epidemiologu numër një i Suedisë, i cili fitoi famë botërore me masat e tij liberale në luftën kundër COVID-19.

Suedia ka një popullsi prej rreth 10 milionë banorësh dhe ka pasur mesatarisht 200 infeksione të reja në ditë javët e fundit, edhe pse numri është rritur në 380 ditët e fundit. Franca dhe Spanja, megjithë kufizimet e rrepta, regjistrojnë më shumë se 10 000 të infektuar në ditë.

Kritikët e modelit suedez kanë përgjigje edhe për këtë pretendim – ata besojnë se Suedia po teston shumë pak njerëz, kështu që numri relativisht i ulët i rasteve të reja është rezultat i “kontrollit” të pamjaftueshëm të qytetarëve.

Përsëri, këto teza mund të vihen në dyshim sepse shifrat tregojnë se nga të gjithë ata që janë testuar, vetëm 1.2 përqind janë pozitivë në Suedi, ndërsa shtatë përqind janë pozitivë në veriperëndim të Britanisë së Madhe.

“New York Times” kujton se përballë një vale të re pandemike, shumë vende evropiane po zgjedhin kufizime më të rrepta. Por udhëheqësit politikë që janë të vetëdijshëm se bllokimi i ri mund të shkaktojë probleme të paparashikuara po kërkojnë respektimin maksimal të masave të arsyeshme, të tilla si higjiena, distanca dhe maskat, për të parandaluar kolapsin e ekonomisë nga mbyllja e shkollave, bizneseve, dyqaneve dhe bareve dhe restoranteve.

Prandaj, ekspertët thonë, pavarësisht nga kufizimeve, Evropa gjithnjë e më shumë po përpiqet të zbatojë modelin suedez, bazuar në përgjegjësinë e çdo qytetari.

“Të gjitha vendet evropiane pak a shumë kombinojnë qasjen e tyre – testimin, karantinën dhe monitorimin e kontakteve të të infektuarve – me modelin suedez, por askush nuk dëshiron ta thotë kaq hapur. Në vend të kësaj, ata vazhdimisht bëjnë një karikaturë të modelit suedez, duke e quajtur jonjerëzor dhe të pasuksesshëm”, beson drejtori i Institutit të Gjenevës për Shëndetin Global, Antoine Flahault.

Situata sot është rrënjësisht e ndryshme nga pranvera dhe në spitalet suedeze, ku në shpërthimin e epidemisë, ambulancat vazhdimisht çonin në spital pacientë të rinj me COVID-19.

“Në prill, pothuajse të gjithë dukej se kishin COVID. Tani ka shumë më pak pacientë”, deklaroi Karin Hildebrand, kardiologe në njësinë e kujdesit intensiv të Spitalit Södersjukhuset.

Gjatë valës së parë, ajo paralajmëroi suedezët se situata ishte vdekjeprurëse dhe se masat duheshin respektuar. Tani, thotë ajo, Suedia është gati për një valë të re të mundshme.

“Ne kemi ndryshuar sjelljen. Për shembull, unë nuk shoh më njeri duke shtrënguar duart. Jeta është kthyer në normalitet, me ndryshime të vogla. Sigurisht, një valë tjetër gjithmonë mund të na vijë, por unë mendoj se jemi gati për të”, thotë ajo.

Disa ekspertë besojnë se Suedia ka vendosur pothuajse plotësisht kontrollin mbi epideminë.

“Ka indikacione se suedezët kanë krijuar një lloj imuniteti ndaj sëmundjes që, ndër të tjera, e mbajnë koronavirusin nën kontroll. Fillimisht, një shkallë e lartë e vdekshmërisë mund të ishte shmangur, por Suedia rimori kontrollin e sëmundjes në mes të prill. Nga imuniteti i famshëm i tufës, mund të konkludojmë se respektimi i masave sociale në distancë ka dhënë rezultate dhe ka rezultuar vendimtar në luftën kundër koronavirusit”, përfundoi Kim Sneppen, profesor i biodiversitetit në Institutin Niels Bohr.