Të gjithë kundër të gjithëve, skena aktuale politike në Kosovë - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

02/04/2020 7:22

Të gjithë kundër të gjithëve, skena aktuale politike në Kosovë

Lajme

Gazeta Express

02/04/2020 7:22

Pas rrëzimit të qeverisë Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, Kosova ka hyrë në një krizë të re politike.

Kaosi politik i krijuar në Kosovë pas prishjes së koalicionit midis Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës pas mocionit të mosbesimit të inicuar nga LDK-ja ka futur në Kosovën në krizën politike më të rëndë që nga pavarësia, shkruan lajmi.net.

Kjo pasi, me votimin e mocionit të mosbesimit, raportet LDK – Vetëvendosje që dukeshin të relaksuara para dhe pas zgjedhjeve të 6 tetorit, u kthyen në pikën zero. Me kritika të LDK-së drejtuar Vetëvendosjes dhe me akuza e linçime të Vetëvendosjes drejtuar Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Mocioni i mosbesimit në Kuvendin e Kosovës u votua me 82 vota për, nga të gjitha partitë opozitare dhe minoritetet në Kuvendin e Kosovës, përjashtuar disa deputetë të LDK-së të cilët dolën kundër partisë së tyre në përkrahje të kryeministrit tashmë në detyrë, Albin Kurti.

Shkarkimi i Agim Veliut, taksa, raportet Kosovë – SHBA, mocioni dhe pendesa e LDK-së:

Gjithçka filloi me shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme në qeverinë Kurti, Agim Veliu i cili përndryshe nga kryeministri Kurti, ishte pro shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, të kërkuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës e të propozuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Me t’u shkarkuar Veliu, LDK në mbledhjen e jashtëzakonshme të kryesisë së partisë vendosi për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Kurti, duke radhitur si arsye edhe rrezikimin e raporteve midis Kosovës dhe SHBA-ve pas sanksioneve amerikane nëpërmjet fondit të mijëvjeçarit dhe paralajmërimeve për tërheqje të trupave nga Kosova.

Me mocionin e mosbesimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk u pajtua nënkryetarja e partisë Vjosa Osmani, ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku dhe Ardian Shala e Haxhi Avdyli si deputetë. Kjo shënoi një çarje dhe një jo-konsistencë brenda LDK-së lidhur me vendimet politike të partisë.

Me t’u prishur koalicioni, gjuha e Vetëvendosjes karshi LDK-së dhe e LDK-së karshi Vetëvendosjes u ashpërsua! Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, u shpreh i penduar për koalicionin me Vetëvendosjen, duke e akuzuar kryeministrin Kurti më shpesh se një herë për prishjen e marrëdhënieve me SHBA-të si shkak i mos-heqjes së taksës.

Në anën tjetër, edhe ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti e ka akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti shumë shpesh për qasje konspirative në problemet e ndryshme të Kosovës dhe në raportet e Kosovës me aleatët ndërkombëtarë.

Kështu, një përafrim i qëndrimeve politike midis Lidhjes Demokratike të Kosovës e Lëvizjes Vetëvendosje që kishte marrë 119 ditë kohë Kosovës, u rrënua për 52 ditë qeverisje së bashku, për të përfunduar me mocion mosbesimi.

LDK e ka përjashtuar mundësinë që në një qeveri të mundshme pa shkuar në zgjedhje të bëhen bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje për të vazhduar qeverisjen e vendit. Mirëpo, bazuar në raportet e tensionuara shumë midis dy subjekteve, kjo duket e pamundur të ndodh edhe pas zgjedhjeve.

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës mbanë qëndrimin parazgjedhor karshi Partisë Demokratike të Kosovës për të mos bërë koalicion së bashku, e në anën tjetër nuk refuzon koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën Socialdemokrate, që të dyja, parti të PAN-it në qeverinë e kaluar.

Shkarkimet , mocioni, “marrëveshja e fshehtë” akuzat ndaj LDK-së dhe vijat e kuqe të VV-së:

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti nuk u ndal me shkarkime të të ngarkuarve të LDK-së në qeverinë e tij. Pas ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu që çoi në rrëzimin e qeverisë, si hakmarrje për këtë, pak orë pas rrëzimit të qeverisë, Kurti e liroi nga detyra edhe zëvendëskryeministrin e parë të tij, Avdullah Hotin.

Kjo u pa si hakmarrje e Kurtit ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës. Rrëzimi i qeverisë me 82 vota, nga Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje u proklamua si tentim-puçi ndaj qeverisë së tij dhe vendosjen e një rendi të ri në Kosovë, gjë që nuk rezultoi e tillë.

Në ekspozenë e tij në ditën e rrëzimit të qeverisë, kryeministri në detyrë Kurti foli edhe për një “marrëveshje të fshehtë”, midsi Kosovës dhe Serbisë për shkëmbim territoresh e cila u demantua nga Departamenti Amerikan i Shtetit nëpërmjet një komunikate të përbashkët të të dërguave të SHBA-ve në Kosovë dhe Ballkan.

Në anën tjetër, Vetëvendosje dhe vet kryeministri në detyrë Kurti vazhdimisht akuzuan Lidhjen Demokratike të Kosovës për bashkëpunim me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe Partinë Demokratike të Kosovës për rrëzimin e qeverisë së tij.

Këto deklarata ishin të papranueshme për LDK-në, e në anën tjetër, për Vetëvendosjen nuk ka asnjë mundësi as kushtetuese e as legjitime të formohet qeveri e re në Kosovë pa shkuar vendi në zgjedhje – gjë që tani është e pamundur në kohën e luftës kundër koronavirusit në Kosovë.

Për më tepër, Vetëvendosje vazhdon t’i ketë ende vijat e kuqe kundër partive të ish-PAN, PDK, AAK e Nisma, dhe kjo është një tregues se subjekti fitues i zgjedhjeve të fundit në Kosovë pa zgjedhje nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie të mundshme, madje, as me LDK-në.

Qëndrimi opozitar, vota pro-mocionit dhe konsistenca e PDK-së:

Partia Demokratike e Kosovës, është deklaruar si opozitë qysh 2 orë pas përfundimit të zgjedhjeve më 6 tetor të vitit 2019 dhe ende vazhdon të mbajë qëndrimin e njëjtë duke iu referuar legjislaturës së tanishme.

PDK, votoi pro mocionit për rrëzimin e qeverisë Kurti të inicuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, duke e arsyetuar këtë votë pro me prishjen e raporteve Kosovë – SHBA nga qeveria Kurti dhe mos-guximin e tij të përballet me tema të mëdha.

Sipas PDK-së, qeveria Kurti e ka rrëzuar vetëveten dhe për këtë nuk duhet të fajësohet opozita, por raportet e mos-besimit midis partnerëve të koalicionit.

PDK vazhdon të jetë konsistente në qëndrimet e saj politike të dalura nga zgjedhjet e 6 tetorit. Kryetari i kësaj partie, Kadri Veseli dhe shumë zyrtarë të lartë të partisë e deputetë kanë deklaruar se nuk do të jenë pjesë e asnjë koalicioni qeverisës pa shkuar në zgjedhje.

Madje, ata kanë propozuar që partitë e ish-VLAN-it të bëhen bashkë dhe “të realizojnë ëndrrën e vitit 2014”, duke bërë të qartë kështu se PDK nuk do të jetë pjesë e asnjë formacioni qeveritar të formuar pa shkuar në zgjedhje.

Taksa, përafrimi me LDK-në, dhe akuzat e AAK-së ndaj kryeministrit Kurti:

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mbante qëndrim të qartë sa i përket taksës: Ajo nuk duhej të hiqej sipas tyre. Por, tani meqë taksa është hequr, AAK duke u arsyetuar edhe në kërkesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë thënë se është koha të merren hapa të tjera.

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka sulmuar shpesh Kurtin për humbje të dinjitetit përballë Serbisë me heqjen e taksës dhe për prishje të raporteve midis Kosovës dhe SHBA-ve, madje duke shkuar edhe më larg ku ka deklaruar se Kurti ka intereset e tij në bizneset e Serbisë.

Por, qëndrimet e kundërta për taksën të LDK-së dhe AAK-së, si duket nuk kanë qenë problem që këto dy parti pa shumë zhurmë të pajtohen të qeverisin së bashku në një qeveri të mundshme pa shkuar ende në zgjedhje.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është pajtuar që të jetë pjesë e qeverisës të udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës pa e pasur vet kryeministrin, dhe kjo e bën të mundshme një qeveri pa shkuar në zgjedhje midis LDK-së dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të mbështetur edhe nga Nisma Socialdemokrate.

Qëndrimet e Nismës Socialdemokrate:

Nisma Socialdemokrate dhe kreu i kësaj partie, Fatmir Limaj ka qenë kundër qeverisë Kurti dhe e ka mbështetur mocionin e mosbesimit ndaj saj, ndërsa kanë shprehur gatishmëri të jenë pjesë e një qeverie me LDK-në dhe AAK-në.

Nisma Socialdemokrate ka qenë mjaft kritike ndaj kryeministrit Kurti duke thënë se ky i fundit është i papërvojë në politikë, madje kreu i kësaj partie, Fatmir Limaj e ka quajtur Kurtin “kopje e zbehtë e Hashim Thaçit”.

Polarizimet e mëdha – të gjithë kundër të gjithëve:

Bazuar në qëndrimet e partive politike të shpalosura deri më sot, atëherë “të gjithë janë kundër të gjithëve”.

Lidhja Demokratike e Kosovës përjashton mundësinë e një koalicioni me Vetëvendosjen dhe Partinë Demokratike të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje përjashton mundësinë e një koalicioni me cilëndo nga partitë politike në Kosovë pa shkuar në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme.

Partia Demokratike e Kosovës ka qëndrim përafërsisht të njëjtë, me opozitarizmin e deklaruar të tyre, ata përjashtojnë përfshierjen në çdo formacion qeveritar të mundshëm pa shkuar në zgjedhje.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate në anën tjetër do të pranonin një koalicion pa shkuar në zgjedhje me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Fati politik i Kosovës do të përcaktohet nga Kushtetua e Kosovës, e që është ende e paqartë nëse ka hapësirë brenda saj që në këto kushte, të tejkalohet partia e parë dhe qeveri të re të formojë partia e cila i ka të sigurta numrat për fomimin e qeverisë e që në këto kushte del të jetë Lidhja Demokratike e Kosovës.

A ka zgjidhje pa shkuar në zgjedhje:

Lidhur me këtë, lajmi.net ka biseduar me analistin dhe njohësin e çështjeve politike, Jeton Brajshori.

Ai tha se partitë po e shfrytëzojnë kushtetutën siç po iu konvenon atyre, në anën tjetër, ai shprehet se AAK dhe Nisma nuk kanë legjitimitet të përfaqësojnë popullin në një qeveri me LDK-në.

Ky i fundit, nuk sheh se mund të ketë zgjidhje të kësaj situate pa shkuar në zgjedhje.

“Tani më është e qartë se qeveria është shkarkuar me 82 vota dhe ende mbetet si qeveri në detyrë . Meqenëse Gjykata Kushtetuese ndër të tjera i ka dy nene ( neni 82 dhe 95) të cilat nga palët e kundërta interpretohen në mënyrën e cila i konvenon secilës palë. Duke parë situatën e fundit politike dhe vendimet “kontraverze” në të kaluarën të Gjykatës Kushtetuese, vendi ynë është duke u futur në një rrugë mjaft të rrezikshme. Shihet qartë që Vetvendosja nuk e ka ndërmend të lëshojë rrugë duke u bazuar në nenet e lartcekura të cilat ia japin me të drejtë, të drejtën partisë fituese ta dërgojë emrin e mandatarit të ardhshëm të qeverisë si teknike ashtu edhe asaj gjithëperfshirëse e Vetvendosje ka thënë qartë se nuk do të dërgojnë emer të mandatarit por që presidenti duhet të thërrasë zgjedhje të reja dhe qeveria të vazhdoj të qendroj në detyrë deri sa të kryhet situata me pandeminë globale.

Partia tjeter që ishte edhe partnere dhe inicuese e mocionit është duke tentuar që të bëjë një qeveri ku ata do ta kishin kryeministrin e tyre dhe në bashkpunim me AAK-në , Nisman dhe minoritetet të krijojnë një qeveri të pakicës e cila do të ishte mjaft fragjile, mbetet të shihet pozicioni i PDK-së që janë deklaruar se ne do të mbetemi në opozitë!

Këtu fillon edhe problemi, sepse z. Mustafa vazhdimisht ka përseritur para zgjedhjeve se asesi nuk do të futet në koalicion me partitë e PAN-it . Synimi i bërjës se një qeverie të tillë është shkelje direkte e premtimeve elektorale për çka edhe janë votuar. Nxjerrja nga loja e zonjës Osmani e cila është më meritorja për një rezultat kaq të mirë të LDK-së, por që garda e vjeter ende nuk janë të gatshëm që ta kandidojn’ për pozitën e kryetarës së partisë e cila është edhe dëshira e elektoratit të LDK-së pasi që Isa Mustafa i ka humbur LDK-së 6 palë zgjedhje dhe ende ka mbetur kryetar i partisë.

Sot në parti vendosin individë të cilët në zgjedhjet e fundit kanë 0 vota, marrim si shembull Skender Hysenin i cili në zgjedhjet e 2017 kishte dikun mbi 2.000 vota, ndërsa në zgjedhjet e fundit nuk kishe marrë pjesë fare për shkak të rezultateve të dobta më heret dhe përnjëhere bëhet faktor në vendimarrje të partisë, duke qenë edhe njeriu kryesor i LDK-së në komunikim me SHBA-të. LDK synon që nga koalicioni i shpresës të cilën e rrëzan vetë në këtë kohë pandemie, ta fusin në qeveri partinë e z. Haradinaj e cila njihet si qeverisa më e keqe që nga paslufta e karakterizuar me luks, nepotizëm dhe shpenzime enorme të buxhetit për gjëra krejt jorelevante . Po ashtu edhe NISMA , parti e cila mezi e kaloj pragun synon që prap të bëhet faktor në qeverisje. Normalisht se gjitha këto e kan irrituar popullin i cili votoj për ndryshime ndërsa LDK-ja synon ti rikthej prap në qeverise. Deklarata sot e z. Mustafa se 85 deputet mund edhe ta ndryshojn kushtetuten vetëm se e vështirëson situaten dhe nxit masat më shumë. Për këto arsyjet e lartcekura mendoj se zgjidhja e vetme është që të shkohet në zgjedhje të reja sepse ish partitë e PAN-it nuk kanë kurrëfarë legjitimiteti të përfaqësojnë interesat e sovranit.”, tha Brajshori për lajmi.net.

A jenë zgjedhjet zgjidhje?

Brajshori thotë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje menjëherë pas kalimit të pandemisë dhe populli të vendosë për besimin.

“Eskalimi i situatës së fundit, akuza dhe kundërakuza, pro-amerikan dhe anti-amerikan mendoj që sovrani duhet të vendos në zgjedhje, në mënyrë që të evitohen të gjitha dyshimet dhe diskrepancat të cilat janë për momentin mes partive politike, zgjedhje këto të cilat duhet të mbahen menjëhere pas kalimit të pandemisë. Është në dorën e presidentit që të marrë një vendim konform Kushtetutës së Republikës së Kosovës e cila po interpretohen në mënyra të ndryshme.”, tha Brajshori.

Kushtetuta:

Ajo se çfarë thotë Kushtetuta për një situatë të tillë, cilat janë aktvendimet e kësaj Gjykate dhe çfarë është në diskrecionin e presidentit nuk është ende e qartë.

Sot, presidenti i Kosovës ka filluar konsultimet me partitë politike, ndërsa mbetet të shihet se cilat do të jenë vendimet e presidentit karshi situatës së krijuar politike.