Shkruan Enver Hasani:
Faji nuk është jetim; ai nuk gjendet në terrenin kushtetues, në dispozitat e Kushtetutës së Kosovës apo në Aktgjykimin e vitit 2014. Faji qëndron në selinë e partisë LVV dhe në ndërgjegjen e Albin Kurtit, të askujt tjetër. Edhe në aspektin fetaro-filozofik, nëse i besojmë përshkrimit mbi botën përtej varrit të Dante Alighierit, ekziston një renditje sipas fajit në tri kategori të asaj bote. Çuditërisht, nëse i besojmë Dantes, vendin e parë nuk e zënë masat popullore, por Papa i Romës së asaj kohe, dhe jo pa të drejtë.
Fitorja e humbësve të zgjedhjeve
Në një ditë të zakonshme vere të vitit 2014, gjatë kthimit nga Mitrovica, pashë në Prishtinë një grumbull njerëzish duke festuar. Kur pyeta një mik të rastit në rrugë se për çfarë festohej, ai më tha: “Fitorja e zgjedhjeve nga opozita.” Reagova menjëherë: “Por opozita i ka humbur zgjedhjet, me sa di unë.” Miku u pajtua dhe qeshi. Kjo situatë më solli ndër mend një shkrim të botuar po atë mëngjes në njërën nga gazetat ditore të asaj kohe, që duhet ta kem të shënuar edhe në ditarin tim personal.
Në atë shkrim argumentohej se opozita kishte fituar zgjedhjet, meqë – sipas autorit – shumica parlamentare mund të formohet sipas dëshirës, pa marrë parasysh rregullat juridiko-kushtetuese. Ky ishte interpretimi i parë publik që kisha lexuar ndonjëherë, i cili përmbyste çdo logjikë juridike dhe kushtetuese – një qasje laike, e paargumentuar dhe thellësisht destruktive ndaj sistemit kushtetues. Reagimi im i menjëhershëm ishte: “Gjepura.”
Megjithatë, kur në mbrëmje pashë njerëz duke festuar “fitoren” e opozitës, e cila realisht i kishte humbur zgjedhjet, fillova t’i marr seriozisht rreshtat e atij shkrimi. Ato që më parë më ishin dukur si spekulime pa bazë, tashmë po konkretizoheshin përpara syve të mi – në rrugë, në diskursin publik, në retorikën politike. Interpretimi arbitrar i rregullave kushtetuese, i dhënë në media atë mëngjes, po shndërrohej në realitet politik.
Për hir të vërtetës, diçka të ngjashme e kisha dëgjuar edhe natën e heshtjes zgjedhore të zgjedhjeve nacionale të vitit 2014, në restorantin “Pishat”, nga goja e një funksionareje të lartë të partisë në pushtet. Ajo, në atë kohë pjesë e LDK-së, ishte një militante e vjetër dhe e përkushtuar e saj ndër vite. Unë ndodhesha aty me disa miq të tjerë. Ajo doli nga rruga dhe iu afrua tavolinës sonë – për herë të parë e takoja – për të më pyetur nëse, në rast se LDK del e para, ekziston rreziku që PDK të bashkohet me partitë e majta, “si motra me VV-në”, siç i quante ajo, për ta nxjerrë LDK-në në opozitë.
I thashë se një gjë e tillë nuk ka asnjë logjikë, sepse Kushtetuta e Kosovës është e qartë dhe nuk mund të interpretohet në atë drejtim – një interpretim i tillë do ta bënte procesin zgjedhor të pakuptimtë dhe do ta shkatërronte të gjithë sistemin zgjedhor të Kosovës, i cili është një mekanizëm standard për përkthimin e votës së qytetarit në demokraci kushtetuese të tipit konsociacional. Ajo më kërkoi një kopje të Komentarit të Kushtetutës së Kosovës, dhe pak minuta më vonë ia solla një ekzemplar nga banesa, me një dedikim personal nga ana ime.
Festimet e asaj nate në Prishtinë, megjithatë, nuk ishin kundër LDK-së apo lënies së saj në opozitë, por kundër PDK-së, si fituese e zgjedhjeve të vitit 2014 – një fitore që më pas u detyrua ta interpretojë Gjykata Kushtetuese, inter alia, si një fitore relative. Me këtë, Gjykata sqaroi qartë se në Kosovë nuk mund të ketë kurrë një fitore absolute të zgjedhjeve; se grupi parlamentar përcaktohet vetëm në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, e cila thotë qartë se zgjedhjet janë ato që e përcaktojnë përbërjen e grupit parlamentar. Sipas këtij interpretimi, ai që fiton zgjedhjet – edhe në mënyrë relative – ka të drejtën t’i prijë valles për të propozuar kandidatët për formimin e institucioneve qendrore, kryetarin e Kuvendit dhe kryetarin e Qeverisë, përkatësisht.
Sa i përket formimit të qeverisë, e njëjta Gjykatë Kushtetuese më vonë precizoi se fituesi relativ i zgjedhjeve nuk mund të abuzojë pa kufi me privilegjin kushtetues të të parit në iniciativën për formimin e Qeverisë. Po ashtu, për konstituimin e Kuvendit, Gjykata theksoi se humbësit e zgjedhjeve nuk mund të propozojnë kryetarin e Kuvendit të Kosovës, dhe saktësoi procedurën që duhet ndjekur. Në respekt të votës dhe vullnetit të qytetarëve, ajo nuk caktoi ndonjë afat të prerë për konstituimin e Kuvendit – sepse askush nuk kishte kërkuar një gjë të tillë, pasi ata që sot sabotojnë konstituimin, atëherë flisnin pikërisht në frymën e Kushtetutës, duke thënë se shumica relative nuk mund të bllokojë pafundësisht konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.
Fat i madh është që gjithçka është e dokumentuar dhe ruhet në YouTube. Këto ngjarje – pra, rastet e “festimeve” të humbësve për “fitoren” e tyre eklektike të krijuar në rrugët e Prishtinës – më vonë u njohën si rastet VLAN I (formimi i Qeverisë së Kosovës) dhe VLAN II (konstituimi i Kuvendit).
Apogjejtë e humbjes së vitit 2014
Ajo që pak vërehet dhe tenton të kalojë lehtë është se ata që më 2014 kishin krijuar idenë e “fitorës” së zgjedhjeve nga humbësit e tyre në kutitë e votimit, tani, me një sofistikim të përparuar të diskursit, trumbetojnë për fajin kolektiv për bllokadën e krijuar nga LVV dhe Albin Kurti. Janë pikërisht ata individë, kryesisht nga shoqëria civile, që përmes kultivimit të këtij diskursi kolektiv synojnë shpërndarjen e fajit për gjendjen e krijuar.
Historikisht, por edhe në aspektin filozofik dhe në trajtat e manifestimit të tij letrar, shpërndarja e fajit ka për qëllim barazimin e viktimës me viktimizuesin, mohimin e drejtësisë dhe, mbi të gjitha, amnistimin e fajtorit konkret për gjendjen e krijuar. Kjo histori, siç dihet, nuk ka lindur dhe nuk është shkruar në kontekstin e zgjedhjeve, pasi zgjedhjet nuk ekzistonin në kohën e Platonit apo Dostojevskit. Kategoria e shpërndarjes së fajit me qëllim të shfajësimit të fajtorëve konkretë ka lindur dhe është trajtuar në tekste historike e letrare, në kontekste antike dhe moderne, në raport me vuajtjet njerëzore, gjenocidin ndaj racës njerëzore, diskriminimin e individit, paaftësinë e shoqërisë dhe grupeve për të tejkaluar vetveten, dhe kështu me radhë.
Ideja mbetet e njëjtë: pavarësisht sa i rëndë të jetë konteksti që i ofrohet lexuesit, ky shkrim synon të dëshmojë kategorikisht se bëhet “fjalë për lojën e budallait”, siç e kemi quajtur më herët, dhe se të gjitha përpjekjet e apogjetëve të deridjeshëm për glorifikimin e humbësve të vitit 2014 dhe dhunimin e secilit paragraf të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese janë të kota. Sepse faji nuk mund të shpërndahet, as juridikisht, as moralisht, as politikisht dhe mbi të gjitha, as në retrospektivë historike.
Ky faj ka vetëm një adresë: Albin Kurtin dhe partinë e tij. Pse qenka fajtor populli i Kosovës që votoi? Pse qenka fajtor opozita, e cila, tek-tek apo e marrë së bashku, nuk mund të formojë asnjë institucion shtetëror? Fundja, nëse opozita humbëse do të mund të formonte institucionet qendrore të shtetit, pse do të kishte nevojë për zgjedhje nacionale? Sikur të implementohej logjika e vitit 2014, duke marrë parasysh sistemin zgjedhor dhe dispozitat kushtetuese, zgjedhjet në Kosovë kurrë nuk do të kishin nevojë të mbaheshin, sepse fituesi dihet: humbësit ulen dhe bëjnë institucionet. Kjo logjikë, për më tepër, do të stërkeqte edhe më shumë idenë e fitorës në kuti të votimit, shumë më tepër se sa bllokimi që po i bën Albin Kurti konstituimit të Kuvendit. Nëse ka një efekt të sigurt dhe të menjëhershëm që prodhohet te qytetari nga kjo bllokadë, atëherë ky efekt është stërkeqja e votës dhe ulja dramatike e pjesëmarrjes në zgjedhjet nacionale, kurdo që ato mbahen.
Faji si refuzim i përgjegjësisë individuale
Situata e konstituimit të Kuvendit, si dhe ajo që u krijua me vetëdije në vitin 2014, përfaqësojnë synimet primitive të një pjese të elitës kosovare për të ruajtur status quo-n dhe për të mos pranuar të vërtetën. Tipike sokratike! Në vitin 2014, status quo-ja që mëtohej të çimentohej kishte të bënte me përligjësimin e anarkisë dhe kaosit, që objektivisht çon në definimin e Kosovës si shtet i dështuar, kurse aktualisht status quo-ja synon ruajtjen e pushtetit me çdo kusht, për shkak të thirrjes në përgjegjësi penale, morale dhe të tjera, që pashmangshmërisht pasojnë pas humbjes së pushtetit.
Në dy situatat, si më 2014, ashtu edhe sot, emërues i përbashkët është mospranimi i të vërtetës në kuptimin sokratik, e vërtetë që ankorohet qartë dhe pa asnjë ekuivok në Kushtetutën e Kosovës dhe Aktgjykimin e vitit 2014.
Apogjetët e këtij pushteti, që janë të njëjtët me ata të vitit 2014 kur ishin në opozitë, kanë si synim parësor shpërndarjen dhe relativizimin e një faji krejtësisht konkret dhe individual – një faj që dihet si dita me diell. Në retrospektivë historike dhe në biseda private, këta apogjetë shpesh janë shprehur duke u ngushëlluar se “koha ka prodhuar këtë elitë politikanësh”, një qëndrim që ngjan shumë me indolencën e përhapur pas vrasjes së Franz Ferdinandit në Sarajevë – një gjendje mendore e shpirtërore që Ivo Andriq e ka përshkruar aq bukur në tregimet e tij për këtë ngjarje, veçanërisht në romanin Ura mbi Drinin.
Kjo është asgjë më pak se sa pranimi nga ne të tjerët se “të gjithë jemi të përlyer”, nëse i referohemi personazhit me ngarkesa religjioze, Ivanit, nga Vëllezërit Karamazov të F. Dostojevskit.
Askush nga VV, as zonja Albulena Haxhiu, nuk mund të arsyetohet në të ardhmen se ka zbatuar urdhrat e partisë, jo vetëm për faktin se mandati i deputetit është i lirë, por edhe sepse logjika historike tregon se ata që kanë zbatuar urdhra, siç tregohet në ditarin e Anne Frankut, por edhe në analizën e Hannah Arendt për gjykimin e Eichmannit në Jerusalem, nuk kanë dalë më mirë. Në të dy rastet, refuzimi i shpërndarjes së fajësisë ka pasur të bëjë me rrethana të tjera historike, siç u sqarua më sipër.
Diskursi i krijuar pas rënies së komunizmit është i ngjashëm me situatën aktuale në Kosovë: kështu thoshin edhe komunistët shqiptarë pas shembjes së komunizmit, por edhe komunistët kosovarë – edhe pse në fillim futën kokën në rërë si struci – se kishte qenë koha së cilës i kishin shërbyer.
Në momentet e thyerjeve dhe përmbysjeve shoqërore, siç e shpjegon Alexis de Tocqueville te shkrimet e tij mbi Revolucionit Francez, shumë nga elitat dhe klasat drejtuese përhapin fajin te “masa e zemëruar”, duke fshehur përgjegjësinë e tyre për rrënimin institucional. Kjo, megjithatë, nuk mban, sepse të njëjtat masa, gjithmonë duke iu referuar Alexis de Tocqueville, dërguan në gijotinë vetë zbuluesin e saj – Robespierre.
A nuk ishte lideri libian Muammar Gaddafi një tjetër Robespierre?
Kjo shpërndarje e fajësisë nuk duhet të pranohet, për faktin e thjeshtë se edhe fetarisht të gjithë kemi një tru dhe jemi të thirrur të gjykojmë me trurin tonë, jo të tjetrit. Popujt e civilizuar kanë vepruar kështu në momentet kyçe të historisë së tyre.
Faji kurrë nuk është jetim
Në diskursin laik dhe popullor, faji gjithmonë betohet jetim, jo sepse nuk dihet se kush është përgjegjës, por sepse askush nuk dëshiron ta marrë mbi supe atë. Kjo nuk funksionon në shoqëritë e civilizuara, ku ekzistojnë kushtetuta, ligje dhe norma të shumta që përcaktojnë me saktësi se si duhet të sillemi dhe veprojmë në ambientin publik dhe privat, kudo dhe kurdo që hasim në situata që kërkojnë dallimin e njeriut nga qenie të tjera jo inteligjente.
Në sferën publike kjo është edhe më e theksuar, sepse ekzistojnë rregulla mbi përgjegjësinë për punën publike, të cilat nuk lejojnë që individët të veprojnë si të duan dhe si t’u teket. Jeta parlamentare nuk përbën përjashtim. Për t’u kthyer te Kushtetuta e Kosovës, mjafton të lexohet dispozita e saj që autorizon partinë që del e para nga zgjedhjet nacionale të propozojë kryetarin e Kuvendit të Kosovës. Kjo e drejtë nuk i takon askujt tjetër! Sa i përket procedurës që duhet ndjekur, Kushtetuta dhe rregullat e brendshme të Kuvendit gjithashtu e bëjnë të qartë sesi duhet të veprohet. Aktgjykimi i vitit 2014 nuk ka bërë asgjë tjetër përveçse ka përtypur dispozitat kushtetuese dhe rregullat e brendshme të Kuvendit të Kosovës.
Çelësi i problemit, ku qëndron “djalli” dhe, për pasojë, faji për ngërçin aktual në Kosovë, është kohëzgjatja e moskonstitutimit të Kuvendit: sa mund të zgjasë ushtrimi i të drejtës së fituesit të parë të zgjedhjeve për propozimin e kryetarit të Kuvendit. Këtë dilemë nuk mund ta zgjidhë as Gjykata Kushtetuese, për shkak se kjo përbën vijën e kuqe mes ushtrimit të vullnetit politik dhe zbatimit të kushtetutshmërisë. Kjo është pikërisht ajo zonë që shqetësonte Albin Kurtin, kur thoshte se gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të dalin në zgjedhje nëse duan të fitojnë pushtet, jo përmes ushtrimit të funksionit të gjyqtarit kushtetues.
Me fjalë të tjera, nuk është punë e Gjykatës Kushtetuese të interpretojë arsyet pse nuk formohet një koalicion politik për qëllimet e konstitutimit të Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve nacionale. Faji nuk është jetim; ai nuk gjendet në terrenin kushtetues, në dispozitat e Kushtetutës së Kosovës apo në Aktgjykimin e vitit 2014. Faji qëndron në selinë e partisë LVV dhe në ndërgjegjen e Albin Kurtit, të askujt tjetër. Edhe në aspektin fetaro-filozofik, nëse i besojmë përshkrimit mbi botën përtej varrit të Dante Alighierit, ekziston një renditje sipas fajit në tri kategori të asaj bote. Çuditërisht, nëse i besojmë Dantes, vendin e parë nuk e zënë masat popullore, por Papa i Romës së asaj kohe, dhe jo pa të drejtë.
Shpërndarja e fajit si strategji dhe modus operandi
Nga perspektiva klasike, Platoni do ta quante këtë gjendje – ku ndodhemi – një çoroditje të shpirtit qytetar. Por jo të shpirtit të të gjithë qytetarëve, vetëm të atyre që saktësisht dihet se janë fajtorë për ngërçin aktual. Në filozofinë moderne, Immanuel Kant do ta dënonte një qasje të tillë si shkelje e kategorisë së tij themelore morale: trajtimi i njeriut si qëllim në vetvete. Faji kolektiv i paindividualizuar është mohim i autonomisë morale. Ai është një instrument pushteti, jo një rrugë drejt së vërtetës.
Duke shpërndarë fajin në mënyrë të paqartë dhe universale, përgjegjësia individuale tretet në mjegullën e përgjithësimit moral dhe historik. Kjo nuk duhet të pranohet nga opozita. Diskursi që po shohim, ai i fajësimit të të gjithëve, është një sofistikim i rrezikshëm etik, që i ngjan një katarsisi të rremë: në vend që opozita të përballet me autorët konkretë të padrejtësisë, ajo po vetë-akuzohet në mënyrë të shpërndarë dhe, si pasojë, asgjë nuk ndryshon.
Ky diskurs i fajësisë kolektive për gjendjen aktuale është nisur dhe po mbahet gjallë nga apogjejtë e vitit 2014, që ideuan konceptin VLAN si teori dhe praktikë. Tani ata synojnë të shpëtojnë atë forcë politike që i ka mbajtur dhe i mban në të gjitha levat e pushtetit në Kosovë – një pushtet i cili ankorohet në institucionet e brendshme dhe në ato që përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare. Kjo është një strategji veprimi politik, që duhet bllokuar dhe refuzuar.
(Autori është kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese dhe profesor i së drejtës dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare)