Finalet janë ngjarje me momente magjike, të mbushura përplot emocione dhe dramë, duke dhuruar kënaqësi për çdo futbolldashës, dhe jo vetëm.
Finalet shpalosin një panoramë magjepsëse, ku emocioni dhe pasioni dalin në pah në çdo goditje të topit dhe në çdo moment të tensionuar.
Në stadiume, valët e zërit të tifozëve bëhen valë emocionesh që ngjallin dhe shkaktojnë trysni.
Në këtë ‘teatër’ të jetës reale, shënimi i një goli është si muzikë që rreh në zemrat e mijëra njerëzve, ndërsa momentet e vështira janë si drama e një lufte të ashpër sportive.
Finalet janë një shfaqje e padiskutueshme e talentit, strategjisë dhe guximit, duke e bërë këtë sport më shumë se thjeshtë një lojë – një përvojë e thellë që transformon tifozët në pjesëmarrës aktivë të një ‘udhëtimi’ emocional në kërkim të suksesit dhe lavdisë së sportit, së bashku me akterët kryesorë në fushë.
Mirëpo, kësaj here do të ndalemi te finalet e Kampionatit Europian, që datojnë nga viti 1960 – kur u luajt për herë të parë – deri në ditët e sotme moderne.
Në këtë shkrim, do të hedhim një vështrim të thellë në çdo finale të “EURO”, që kanë lënë gjurmë të paçmueshme në zemrat e shumë brezave të tifozëve.
HISTORIKU I KËTIJ TURNEU
Ishte sekretari gjeneral i Federatës së Futbollit të Francës, Henri Delaunay që e plasoi idenë e një kampionati, ku do të ndesheshin kombëtaret në futboll.
Ideja e tij daton në vitin 1927, por realizimi i idesë së tij nuk erdhi deri më 1960, kur edhe u mbajtë kampionati i parë.
Andaj, trofeu që i dhurohet kombëtares fituese mbanë emrin e tij, në shenjë respekti për kontributin e dhënë për këtë turne.
TURNEU DHE FINALJA E PARË – 1960
I mbajtur në Francë, turneu i parë përfshinte katër kombëtare, me Bashkimin Sovjetik që mposhti Jugosllavinë në finale, me shifrat prej 2-1.
Spanja u tërhoq nga gara në çerekfinale, para ndeshjes me Bashkimin Sovjetik, shkaku i protestave politike.
FINALJA E DYTË – 1964
Kësaj here, në turneun e dytë të mbajtur më 1964, nikoqire ishte Spanja.
19 kombëtare hyn në kualifikimet për plasmanin në turne, mirëpo pati edhe aty disa probleme të vogla. Greqia tërhiqej nga kualifikimet, pasi i kishte rënë shorti me Shqipërinë, me të cilën nuk kishte raporte të mira.
Në finale, megjithatë, Spanja mposhti fituesin aktual të asaj kohe, Bashkimin Sovjetik, me ndeshjen që u luajt në “Santiago Bernabeu” në Madrid. Ndeshja përfundonte 2-1 në të mirë të spanjollëve.
FINALJA E TRETË – 1968
Formati mbeti i njëjti edhe në vitin 1968. Italia po e mirëpriste kampionatin, derisa edhe fitoi, pasi e mposhti në finale Jugosllavinë.
Ky turne është mbajtur mend për një kohë të gjatë, pasi Italia fitonte ndeshjen ndaj Bashkimit Sovjetik në gjysmëfinale me një hedhje të monedhës (ndeshja përfundonte me barazim pas 90 minutave dhe në kohën shtesë), dhe për herë të parë, finalja u zhvillua dy herë.
Kjo pasi ndeshja e parë Itali – Jugosllavi përfundoi 1-1, ndërsa të dytën italianët e fituan me shifrat 2-0.
FINALJA E KATËRT – 1972
Në vitin 1972, Belgjika ishte mikpritëse e kampionatit europian.
Në finalen e Brukselit, Gjermania Perëndimore arriti të triumfojë ndaj Bashkimit Sovjetik me shifrat 3-0. Golat shënoheshin nga Gerd Muller, dy herë dhe Wimmer një herë.
FINALJA E PESTË – 1976
Viti 1976, Kampionatin Europian mbahej në Jugosllavi.
Ishte i fundit i formatit të vjetër, dhe i fundit që nikoqiri detyrohej të luante ndeshjet kualifikuese.
Finalja e këtij turneu përbëhej nga Çekosllovakia dhe Gjermania Perëndimore, madje ishte hera e parë që mbaheshin penalltitë.
Këto të fundit i fitoi Çekosllovakia me shifrat 5-3, derisa doli në pah edhe stili “Panenka”, pasi Antonin Panenka shënoi goditjen më të famshme në botën e futbollit.
FINALJA E GJASHTË – 1980
Në turneun e vitit 1980, kampionati u zgjerua në tetë kombëtare, derisa u mbajtë në Itali.
Per herë të parë u njoftuam edhe me fazën e grupeve, derisa fituesit e dy grupeve luanin në finalen e madhe.
Vendet e dyta luanin për vendin e tretë.
Në finale, Gjermania Perëndimore fitoi për herë të dytë titullin europian, gjersa në finale mposhti Belgjikën me shifrat prej 2-1.
FINALJA E SHTATË – 1984
Në vitin 1984, Franca e fitoi titullin e saj të parë në histori në tokën e saj.
“Tri Kolorët” triumfuan ndaj Spanjës në finale me rezultat prej 2-0. Michel Platini shënonte nëntë gola në pesë ndeshje.
Formati qe ndryshuar edhe një herë, pasi dy kombëtaret më të mira në grupe shkuan në gjysmëfinale, pastaj humbësit në këtë fazë luanin për vendin e tretë.
FINALJA E TETË – 1988
Kampionatin Europian të vitit 1988 e mikpriti Gjermania Perëndimore.
Kjo kombëtare u mposhtë në gjysmëfinale nga Holanda, e cila e fitoi tërë kampionatin, duke e mposhtur në finale Bashkimin Sovjetik, në ndeshjen që u luajt në Mynih.
FINALJA E NËNTË – 1992
Suedia ishte shteti ku u mbajt “EURO” në vitin 1992.
Danimarka ishte fituese e kampionatit, një kombëtare që fillimisht nuk ishte kualifikuar për këtë turne.
Danimarka zuri vendin e Jugosllavisë, e cila ishte e dënuar nga UEFA për shkak të trazirave brenda vendit.
Kombëtarja daneze në finale e mposhti Gjermaninë, e cila në atë kohë ishte kampion i botës.
FINALJA E DHJETË DHE ZGJERIMI NË 16 KOMBËTARE – 1996
Në vitin 1996, kampionati u mbajtë në Angli.
Kjo është hera e parë kur në kampionat europian merrnin pjesë 16 kombëtare.
Nikoqiri u mposhtë në gjysmëfinale pas penalltive nga Gjermania, e cila pastaj në finale triumfoi ndaj Republikës Çeke, me “Golin e Artë”. Ky ishte trofeu i parë i Gjermanisë si një shtet i bashkuar.
FINALJA E 11-të – 2000
“UEFA EURO 2000” ishte hera e parë që ky turne u mbajtë në dy shtete: Holandë dhe Belgjikë.
Si kampion të botës, Franca arsyetoi rolin e favoritit, duke mposhtur në finale Italinë me shifrat prej 2-1, edhe kjo finale e vendosur me “Golin e Artë”.
FINALJA E 12-të – 2004
“EURO 2004”, si “EURO ‘92” prodhoi një befasi. Greqia arriti të fitojë në finale ndaj Portugalisë, e cila ishte nikoqire.
FINALJA E 13-të – 2008
“EURO 2008” ishte hera e dytë që ky turne u mbajtë në dy shtete, kësaj here në Zvicër dhe në Austri.
Finalja përfshinte Gjermaninë dhe Spanjën, me këtë të fundit që arriti të dalë fituese për herë të dytë në histori.
“Stuhia e Kuqe” fitonte me golin e Fernando Torres në minutën e 33-të të ndeshjes. Spanja kishte 9 lojtarë në formacionin më të mirë të turneut.
FINALJA E 14-të – 2012
“EURO 2012” ishte po ashtu e mbajtur në dy shtete: Poloni dhe Ukrainë.
Spanja bëhej kombëtarja e parë që mbronte titullin e Kampionatit Europian, duke mposhtur në finale Italinë me rezultat të thellë prej 4-0.
FINALJA E 15-të – 2016
Edhe një zgjerim e gjeti Kampionatin Europian.
“EURO 2016” u bë kampionati i parë që përfshinte 24 kombëtare, zgjerimi më i madh ndonjëherë.
Në finale shkuan Portugalia e Franca, e cila ishte edhe nikoqire e këtij kampionati.
Pas 90 minutave pa gola dhe me shumë raste, në skenë doli Eder i Portugalisë, i cili shënoi golin fitues të kombëtares së tij në minutat e fundit të vazhdimeve.
Portugalia fitonte trofeun e saj të parë në këtë turne madhor.
FINALJA E 16-të – 2021
“EURO 2020” ishte turne i përjetimeve.
Fillimisht, u vendos që turneu të luhet në 11 qytete të Europës, në nder të 60 vjetorit të këtij kampionati.
Pastaj, turneu u shtye për një vit përshkak të “COVID-19”, duke u luajtur nga 11 qershori 2021 deri më 11 korrik 2021.
Finalja u luajt në “Wembley”, të cilën e fitoi Italia ndaj Anglisë.
Anglezët dolën të parët në epërsi me golin e Luke Shaë të shënuar në minutën e 2-të, të cilit iu kunëdrpërgjigj Bonucci në pjesën e dytë.
Kombëtarja italiane triumfoi në penallti, pasi Saka, Rashford dhe Sancho dështuan nga pika e bardhë.
E, finalja e radhës do të luhet të dielën e 14 korrikut në Berlin.
Aty, Spanja e Anglia do të sfidojnë njëra-tjetrën për titullin e më të mirit të Europës për katër vitet e ardhshme.
Spanja ka tre trofe të fituar, ndërsa Anglia synon të parin./GazetaExpress/