Të gjitha ekskursionet e gjimnazistëve nga Shkupi për në Itali do të anulohen në kohë të pacaktuar - Gazeta Express

Të gjitha ekskursionet e gjimnazistëve nga Shkupi për në Itali do të anulohen në kohë të pacaktuar

Ballina

Gazeta Express

27/02/2020 13:53

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov në konferencën e sotme për shtyp kumtoi se deri te drejtorët e shkollave të mesme ka lëshuar urdhër që udhëtimet e tyre dhe ekskursionet e planifikuara për në Itali t’i anulojnë në kohë të pacaktuar, përcjell GazetaExpress nga Tv Shenja.

Shilegov theksoi se Qyteti i Shkupit në kuadër të kompetencave të veta është tërësisht i gatshëm që t’i ndërmerr të gjitha masat e domosdoshme që të pengohet përhapja e virusit Kovid-19 dhe potencoi se në këtë drejtim, që prej para një jave janë ndërmarrë masa parandaluese për mbrojtje të shëndetit të gjimnazistëve dhe pengimin e përhapjes së koronavirusit në shkollat e mesme.

“Në 23 shkollat ​​e mesme të Qytetit të Shkupit mësojnë rreth 21.600 nxënës dhe mbrojtja e shëndetit të tyre është obligim dhe përgjegjësi serioze për ne si institucion kompetent dhe për drejtorët që udhëheqin me shkollat. Sipas obligimeve të marra nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, të gjitha shkollat ​​do t’i anulojnë ose shtyjnë udhëtimet dhe ekskursionet e tyre të planifikuara në Republikën e Italisë për kohë të pacaktuar. Deri në fund të kësaj jave, do të mbahet orë edukative për parandalimin e virusit, në përputhje me rekomandimet e Organizatës botërore të shëndetit dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Shilegov.

Ai theksoi se sot u ka dhënë drejtorëve të shkollave të mesme urdhër që t’i ndjekin me kujdes dhe t’i zbatojnë plotësisht rekomandimet për parandalimin dhe përballjen me koronavirusin të cilat i japin institucionet kompetente.

“Më tej, autoritetet e shkollës duhet të anulojnë menjëherë dhe t’i shtyjnë udhëtimet dhe ekskursionet shkollore në vendet e tjera ku ekziston prani më e lartë e koronavirusit. Për të gjitha udhëtimet dhe ekskursionet tjera të bëjnë vlerësime shtesë të sigurisë. Drejtuesit e shkollave të fillojnë menjëherë organizimin dhe realizimin e orëve edukative, punëtorive dhe shpërndarjen e materialeve për informim përkatës me situatën, parandalimin dhe përballjen me koronavirusin. Në këtë drejtim theksojmë se Qyteti i Shkupit do ta sigurojë mbështetjen dhe koordinimin e nevojshëm logjistik me institucionet përkatëse shëndetësore. Drejtuesit e shkollave janë të obliguar t’i vënë në përdorin mjetet e dhëna të siguruara nga Qyteti, për të ruajtur nivelin më të lartë të higjienës, duke zbatuar të gjitha aktivitetet sanitare dhe higjienike që i kanë në dispozicion. Në lidhje me këtë detyrim, dëshiroj të tregoj edhe një herë që Qyteti i Shkupit ka siguruar sasi të mjaftueshme të sapunëve antibakterial për shkollat. Gjatë periudhës së kaluar në opinion po përhapen zëra të ndryshme lidhur me këtë virus”, tha Shilegov.

Ai bën thirrje që të mos bëhet panik dhe për sjellje të matur të institucioneve dhe qytetarëve.

“Nuk ka vend për panik. Qyteti i Shkupit, si themelues dhe institucion përgjegjës për shkollat e mesme, po e ndjek në mënyrë të vazhdueshme dhe nga afër situatën në shkolla dhe do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur shëndetin e të gjithë anëtarëve të komuniteteve shkollore”, tha Shilegov.

Paradite, edhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës u prononcua me rekomandime se institucionet arsimore udhëzohen që të shtyjnë ekskursionet e planifikuara në Itali, ndërsa sa më shpejt të jetë e mundur me telefon ose të japin në mënyrë elektronike informacionin nga i gjithë stafi i tyre, nxënësit dhe studentët nëse kanë udhëtuar në dy javët e fundit apo jetojnë me dikë që ka udhëtuar për në Lombardi, Veneto, Emilia Romania dhe Piemonte në Itali, si dhe në Kinë, Hong Kong, Iran, Japoni, Makau, Filipine, Republika e Koresë, Singapor dhe Tajvan./GazetaExpress/B.Lika/