Të gjesh shpëtim në Zajednicë - Gazeta Express
string(29) "te-gjesh-shpetim-ne-zajednice"

Të gjesh shpëtim në Zajednicë

OP/ED

Gazeta Express

16/03/2023 13:38

Dialogu me Serbinë, për të cilin Albin Kurti dikur thoshte të mos ishte ndër prioritetet e tij kryesore, ka eklipsuar gjithçka tjetër në Kosovë. Në mungesë të projekteve zhvillimore dhe mospërmbushjes së premtimeve të dhëna, qeveria po “gjen shpëtim” në debatin rreth dialogut. Nuk po ka çfarë të thotë për shëndetësinë, arsimin, ekonominë.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Të hënën e kësaj jave kryeministri Albin Kurti u pa në Kamenicë. Aty mori pjesë në vënien e gurthemelit të një shkolle dhe tha se pas disa vjetësh shkollimi në kushte të papërshtatshme, nxënësit do ta kenë një shkollë që i plotëson kushtet për rritjen dhe zhvillimin e tyre. Kurti po fliste kështu në komunën, në të cilën ish-kryetari Qëndron Kastrati kishte ndërmarrë reformë në arsim, por që me ardhjen në pushtet të Vetëvendosjes, Ministria e Arsimit kishte marrë vendim për të përjashtuar reformën e nisur nga ai.

Interesimi i mediave për ngjarjen në Kamenicë ishte i madh – jo aq për shkollën që po niste të ndërtohej, sa për të marrë përgjigje për një fotografi të Kurtit që shëmbëllente si luan, e të cilën kryetari i komunës e kishte vënë në zyrë.

Sidoqoftë, ngjarjet si kjo, në të cilat përurohet diçka ose nis të ndërtohet diçka, janë të rralla nën qeverisjen e Kurtit.

Për të mos i hyrë në hak, në fillim të dhjetorit të kaluar Kurti kishte përuruar edhe një urë 12-metërshe në Saradran të Istogut, për të cilin projekt ai, po ashtu, kishte zgjedhur fjalë të mëdha. Por, për më shumë se dy vjet qeverisje, ai po dështon t’i përmbush thuaja se të gjitha premtimet e dhëna sa i përket zgiidhjes së problemeve më të cilat ballafaqohen qytetarët. Megjithatë, me sukses po e përmbush një nga prioritetet, të cilin dikur thoshte se nuk e kishte lart në agjendë.

Në një intervistë për gazetën “Le Temps”, Kurti thoshte se të gjitha sondazhet tregojnë se shqetësimet kryesore të qytetarëve janë punësimi, ekonomia, drejtësia. Për dialogun thoshte se renditet i gjashti ose i shtati në mesin e prioriteteve të qytetarëve. “Sidoqoftë, unë jam i gatshëm të bëj një kompromis për ta vendosur dialogun në rendin e tretë ose të katërt të përparësive të mia”, theksonte ai.

Kështu edhe ka vepruar. Sot për qeverinë e tij duket se gjithçka është dialog, veçanërisht Zajednicë. Sot në Kosovë gjithçka ka mbetur nën hijen e procesit të negociatave, arritjes së marrëveshjes me Serbinë dhe, sidomos fatit të Zajednicës, të cilën Kurti e kundërshtonte fort sa ishte në opozitë.

* * *

Është vështirë të identifikosh përparime thelbësore në fushat kryesore, si shëndetësi, arsim dhe ekonomi. Zyrtarë të partisë në pushtet ende përmendin “20 vjeçarin” e kaluar, si sinonim të çdo të keqeje në vend, por e kanë vështirë të listojnë suksese të prekshme të qeverisë dhe përmbushje premtimesh.

Nëse merren si shembull rrugët regjionale në vend, asnjëra nga to nuk është përfunduar dhe në asnjërën nga to nuk është duke u punuar. Ndërkohë, prezantohen projekte megalomane si rrugë e tunele që lidhin Kosovën me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Ndërkohë, vazhdojnë eksperimentet në arsim e shëndetësi, pa përmirësuar asgjë strukturore që do të ndryshonte diçka për të mirë në këta sektorë.

Militantë të partisë vazhdojnë ta portretizojnë Albin Kurtin si luan, ndërkohë që mijëra vetë po braktisn vendin në kërkim të një jetë më të mirë. Paga minimale vazhdon të jetë e mjerë, ndërkohë që ministrat e kryeministri nuk i lëshojnë nga goja shifrat për rritje “fantastike” ekonomike. Rrallë e përmendin rritjen enorme të çmimeve, paralajmërimin për shtrenjtim të rrymës dhe krizën sociale, në të cilën qytetarët po zhyten çdo ditë e më shumë.

E mbytur në procesin e dialogut, paradoksalisht qeveria po gjen shpëtim në këtë prioritet që shpejt e shpejt zuri vend lart në listë. Tash sa muaj kryeministri pyetet vazhdimisht se çfarë do të ndodhë me Zajednicën dhe me njohjen reciproke, por pak ose aspak flet për projektet e premtuara – për mirëqenien e qytetarëve, zhvillimin ekonomik që nuk po ndodh, çerdhet e programin për banimin social, për arsimin e shëndetësinë që po vendnumërojnë.

Ironikisht sot Kurti po gjen shpëtim në procesin e dialogut që dikur e refuzonte, në Zajednicën për të cilën thoshte se do ta shkatërrojë shtetin.