Duke injoruar Kombëtaren e Kosoës, të enjten mbrëma Albin Kurti nuk tregoi pikë respekti për shtetin të cilin e udhëheq. Si demagog, çfarë është, ai u kthye në origjinën politike, duke fyer shtet, himn e flamur.
Imer Mushkolaj
A e njihni ndonjë kryeministër normal i cili, në të njëjtën kohë kur luan futboll kombëtarja e shtetit të tij, shkon të përcjell ndeshjen e kombëtares së një shteti tjetër? A e njihni ndonjë udhëheqës normal të një populli, i cili injoron lojën e ekipit kombëtar dhe shfaqet në stadiumin e një tjetri shtet? Unë e njoh një dhe është kryeministër i vendit tim. Quhet Albin Kurti. Ai të enjten mbrëma zgjodhi të shkojë në Tiranë dhe ta shohë ndeshjen e Shqipërisë me Çekinë, e jo t’i përkrah djemtë e Kombëtares së Kosovës kundër Andorrës.
Kurti nuk është kryeministër i Shqipërisë, edhe pse mud të ketë dëshirë të jetë. Ai është kryeministër i Kosovës, i zgjedhur në një proces zgjedhor plebishitar. Por, ai duket të mos ndihet i tillë. Mbase mund të ndihet i paplotësuar dhe ka të tjera synime. Të enjten, ai tregoi se pozitën që mban e ka veç një vend pune, nuk e ndjen si përkatësi. Po të ishte ndryshe, do të udhëtonte drejt Andorrës, për t’i përkrahur futbollistët e shtetit të tij, të shtetit, i cili u krijua me shumë sakrificë, pavarësisht se Kurti nuk besonte në të, nuk besonte se ai mund të jetësohej.
Të enjten mbrëma ai do të duhej të ishte në stadiumin e principatës së Andorrës për t’iu dhënë mbështetje djemve që nën ngjyrat e flamurit kosovar dhanë më të mirën. Nën ngjyrat e flamurit, të cilin Kurti nuk e pranonte, e urrente. Nën tingujt e himnit kombëtar të cilin Kurti e kundërshtonte, nuk e respektonte.
Duhet të jesh fort arrogant dhe i papërgjegjshëm të injorosh kombëtaren e shtetit tënd, në favor të një kombëtareje tjetër. Duhet të jesh fort demagog që të bësh veprime të tilla me kaq lehtësi. Lehtësi të padurueshme.
Kurti shkoi në stadiumin në Tiranë, por nuk zuri vend aty ku logjikshëm do të duhej të ulej, pranë homologut të tij shqiptar, Edi Rama. Ai shkoi atje si njëfarë kaçaku nervoz e i acaruar me udhëheqësin e shtetit fqinj dhe u vendos diku në tribunë larg Ramës. Pamje e shëmtuar sa s’ka.
Të enjten mbrëma, Kurti fyeu shtetin që udhëheq. E kuptoj, në euforinë peseudopatriotike e pseudonacionaliste veprimi i Kurtit është parë si i duhur nga militantë e adhurues të tij. Por, shikuar në terma përgjegjësie politike, ai gaboi. Gaboi rëndë.
Pse duhet besuar dikush Kosovës shtet dhe kombëtares së saj, kur vetë kryeministri nuk i beson? Tjetër gjë janë fjalët e bukura, e tjera veprimet. Kurti njihet për demagogji.
* * *
Një fjalorin e shqipes, fjala “demagogji” shpjegohet si mashtrim i të tjerëve me fjalë të bukura e me premtime të rreme, për qëllime e për synime të caktuara, qëndrim me dy faqe, fjalë të bukura e të zbrazëta për të mbuluar e për të shtrembëruar të vërtetën. Askush më mirë se Kurti e gjen veten brenda këtij përkufizimi.
Mjafton t’i “thërrasim” pak kujtesës, për të na dalë përpara Albin Kurti i opozitës, ai i cili nuk besonte se shteti i Kosovës do të krijohej ndonjëherë. Kurti që proklamonte bashkimin me Shqipërinë si kartë për të fituar vota. Kurti, i cili kur erdhi në pushtet, u tjetërsua dhe mbeti pak nga opozitari që nuk bënte kompromise.
Si mund ta duash e ta respektosh një shtet tjetër, kur nuk e do dhe nuk e respekton së pari shtetin tënd? Si mund ta duash një kombëtare tjetër, kur së pari nuk e do dhe e nderon kombëtaren e shtetit tënd? Këtyre pyetjeve mund t’iu jep përgjigje veç Kurti, me demagogjinë dhe papërgjegjësinë e tij. Kurti i cili, si një kameleon politik, i ndërron ngjyrat sa herë që don të përfitojë diçka.
Të enjten mbrëma ai ka ekzaltuar militantët e tij, por kjo nuk është detyrë e një burrështetasi. Detyrë e tij është respektimi i Kombëtares së Kosovës, përkrahja e saj. Detyrë e tij është ndërtimi i shtetit të Kosovës. E shteti nuk ndërtohet duke e sabotuar përfaqësimin e tij. Shteti nuk ndërtohet duke e fyer.