Shkruan: Ditmir Bushati
Dje, Bashkimi Europian vendosi përfshirjen e Ukrainës dhe Moldavisë në regjimin e telefonisë celulare “roam like at home” (ta përdorësh celularin si në shtëpi).
Ky vendim me efekte të prekshme për qytetarët, do të zbatohet prej 1 Janarit të 2026-ës. Periudha e tranzicionit deri fillimin e vitit tjetër, do t’i shërbejë palëve për t’u siguruar se gjithçka lidhur me këtë politikë të tregut të brendshëm të BE-së do të zbatohet me korrektësi.
Kjo politikë, e cila gjeti zbatim për herë të parë brenda BE-së në vitin 2017, u lejon njerëzve që ta përdorin celularin (të flasin, të shkruajnë e të lundrojnë në internet) njëlloj si në vendin e tyre kudo në territorin e BE-së, sikundër në vendet që janë pjesë e Zonës Ekonomike Europiane (Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia) apo në Mbretërinë e Bashkuar.
Mirëpo vendimi i djeshëm i BE-së shkon përtej kësaj. Pasi për herë të parë u mundëson vendeve kandidate të BE-së (Ukrainës dhe Moldavisë) që të bashkohen me këtë pjesë të tregut të brendshëm të BE-së.
Për Ukrainën ky veprim nuk është krejt i papritur. Menjëherë pas shpërthimit të luftës në vitin 2022, operatorët e telefonisë celulare në BE, në bashkëpunim me ato ukrainase, arritën një marrëveshje që u lejonte ukrainasve në BE të përfitonin nga roaming falas ose nga kosto shumë të ulëta, ndërsa përdornin telefonat e tyre celularë.
Masa e mësipërme, ndoshta ka qenë më e lehtë për t’u marrë nga BE-ja, krahasuar me politikat e tjera të lidhura me Ukrainën, siç është heqja e barrierave tregtare për mallrat ukrainase apo përfshirja në politikën bujqësore, për shkak të peshës që zë bujqësia në ekonominë e Ukrainës dhe interesave të vendeve anëtarë të BE-së që përfitojnë subvencione.
Krahas vullnetit politik të BE-së për të përfshirë vendet kandidate si Ukraina dhe Moldavia në këtë politikë të tregut të brendshëm që ka lidhje me ofrimin e shërbimit të telefonisë celulare, mjedisi ligjor që rregullon marrëdhëniet e këtyre vendeve me BE-në është ndihmues.
Marrëveshjet e Asociimit në fuqi ndërmjet BE-së dhe këtyre dy vendeve parashikojnë atë që njihet si dispozita e “trajtimit të ndërsjellë të tregut të brendshëm” për një produkt ose shërbim siç është roaming.
Çka do të thotë se nëse Ukraina dhe Moldavia përputhin legjislacionin e tyre me atë të BE-së për një produkt ose shërbim, siç është rasti i roaming, dhe BE-ja është e kënaqur me zbatimin e standardeve, ato bëhen pjesë e tregut të brendshëm të BE-së në atë zonë specifike.
Edhe pse vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë një dispozitë të ngjashme në marrëveshjet e stabilizin asociimit me BE-në, sepse ato u nënshkruan shumë më herët krahasuar me fqinjët lindorë të BE-së, në planin politik, është e pashpjegueshme se përse BE-ja nuk ka ndërmarrë ende të njëjtën veprim për vendet tona. Për shkak të ndërveprimit njerëzor me vendet e BE-së, kjo do të përbënte një lehtësi të madhe për qytetarët e rajonit.
Në planin praktik, është krejt e mundshme, pasi gjashtë vendet e rajonit tonë kanë përqafuar tanimë një politikë “roam like home” midis tyre. Në dallim prej Ukrainës dhe Moldavisë, në Ballkanin Perëndimor nuk ka asnjë pjesë territori nën pushtim ku mund të vihet në pikëpyetje se cili është rrjeti i mbulimit të operatorëve celularë.
Gjithashtu, numri i qytetarëve dhe abonentëve i vendeve të rajonit tonë është më i vogël sesa i Ukrainës. Për pasojë, humbjet financiare të operatorëve celularë do të ishin më të vogla, ndërkohë që përfitimet praktike të qytetarëve të mëdha.
Prandaj, është koha që qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor të punojnë me ngulm bashkë me BE-në për t’u mundësuar qytetarëve tanë të njëjtat lehtësira si ukrainasve dhe moldavëve.