Të dashura me qira - Gazeta Express
string(18) "te-dashura-me-qira"

Arte

Gazeta Express

18/03/2026 21:57

Të dashura me qira

Arte

Gazeta Express

18/03/2026 21:57

Një dokumentar i ri hedh dritë mbi një fenomen të pazakontë dhe shqetësues: burra që paguajnë gra për të luajtur rolin e partnereve të tyre romantike.

Në qendër të tij është një britanik 27-vjeçar, i identifikuar vetëm si T, i cili thotë se gjatë tetë viteve të fundit ka shpenzuar rreth 50 mijë paund për të “marrë me qira” të dashura.

Regjisori Ben Zand, i njohur për dokumentarët e tij mbi botën e “incel”-ëve, QAnon-it dhe kulturën mashkullore toksike online, tregon se në fillim mendonte se filmi do të fliste për seksin, por në fund zbuloi diçka shumë më të errët.

Sipas Zand, T ishte krejtësisht i hapur për atë që kërkonte: një grua plotësisht të nënshtruar, mbi të cilën të kishte kontroll total. Ajo që e bën figurën e tij edhe më shqetësuese është fakti se ai nuk dukej se e kuptonte plotësisht sa fyese dhe problematike ishin bindjet që shprehte.

Në dokumentar, T shfaqet me zërin e modifikuar dhe me një maskë që fsheh fytyrën, por kjo nuk e zbut atmosferën kërcënuese që e rrethon. Megjithatë, kur flet pa kamerë dhe me zërin e tij të zakonshëm, ai tingëllon më njerëzor, madje edhe i brishtë. Në fillim, mund të ngjallë keqardhje: flet si një njeri i humbur, që i ngatërron ndjenjat me një marrëdhënie të paguar. Ai thotë se ndonjëherë u lidh emocionalisht me disa nga këto “të dashura me qira”, por ato u zhdukën papritur nga jeta e tij, pa shpjegime.

Ai pranon se një nga gjërat më të vështira në këto marrëdhënie të paguara është paqartësia: nuk e di kurrë nëse gruaja po luan rol, apo po e ndien vërtet atë që shfaq. Kjo, sipas tij, është një përvojë shpesh konfuze dhe stresuese.

T vlerëson se rreth 80 për qind e përvojave të tij kanë qenë online dhe vetëm 20 për qind në jetën reale. Ai ka provuar madje edhe një të dashur me inteligjencë artificiale, me shpresën se kjo do ta ndihmonte me vetminë dhe nevojën për shoqëri. Por, siç e pranon vetë, kërkonte edhe përbërësin seksual të një lidhjeje. Në rastin e “të dashurave me qira” në jetën reale, seksi ndonjëherë ishte pjesë e marrëveshjes dhe ndonjëherë jo, por ai thotë se marrëdhënie të tilla zakonisht zgjasnin pak.

Një të dashur online mund ta “marrësh” për një javë ose një muaj, ndërsa në jetën reale zakonisht bëhej fjalë për një ose dy ditë. Ata dilnin për drekë, shkonin në shtëpi, shikonin ndonjë film — aktivitete të zakonshme, por me një marrëveshje të qartë pas tyre. T thotë se ka përdorur edhe shërbime seksuale dhe e përshkruan këtë hierarki në mënyrën e tij: në majë qëndron partnerja e vërtetë, në fund punonjësja e seksit, për të cilën e di qartë se gjithçka bëhet për para, ndërsa në mes ndodhet “e dashura me qira”, ku iluzioni dhe paqartësia mbeten më të forta.

Por sa më shumë flet T, aq më qartë bëhet se ai nuk kërkon thjesht afërsi apo dashuri. Ajo që ai duket se dëshiron është një partnere pa autonomi, një grua që nuk kundërshton dhe nuk vendos kufij. Fillimisht kjo del në forma më të buta: ai e përshkruan të dashurën me qira si një lloj pushimi, ku gruaja është gjithmonë e buzëqeshur, gjithmonë në humor të mirë. Ai ankohet edhe për problemet me të dashurat online që jetojnë në SHBA apo Azi, sepse ndryshimi i orës bën që ato të mos i përgjigjen mjaftueshëm shpejt.

Në një moment vendimtar të dokumentarit, T thotë hapur se dëshiron një të dashur që të mos thotë kurrë “jo”. Më vonë, kur Zand i sjell përballë tri gra të vërteta për të kuptuar pse nuk arrin të krijojë një marrëdhënie normale, del më qartë mënyra se si ai e sheh një partnere. Ai thotë se pret që ato t’i përgjigjen menjëherë. Kur njëra prej grave e pyet çfarë ndodh nëse ajo është e zënë, ai përgjigjet se kjo mund të ndodhë vetëm “brenda arsyes” — për shembull, nëse po shkon në tualet ose po pi ujë. Kjo tregon një ide alarmante për partneritetin: gruaja lejohet të ketë nevoja vetëm minimale, pothuajse mekanike.

Kjo e bën portretin e T edhe më tronditës. Nga jashtë, ai mund të duket i sjellshëm, i turpshëm, madje i lënduar. Por nën këtë sipërfaqe shfaqet një nevojë patologjike për kontroll. Dhe këtu lind dilema më e madhe: a është thjesht një njeri i rrezikshëm, dominues dhe manipulues, apo një burrë që është zhytur aq thellë në botën virtuale dhe në iluzionet e saj, sa nuk di më të funksionojë në marrëdhënie reale? Në rastin e parë kemi të bëjmë me diçka të errët; në të dytin, me diçka njëkohësisht të errët dhe thellësisht të trishtë.

Zand tregon se një moment i vogël në film e përmbledh më së miri gjithë problemin. Kur T takon njërën nga tri gratë, ai e godet lehtë veten në kofshë dhe i bën shenjë që të ulet mbi gjurin e tij. Për regjisorin, ky veprim tregon se T po ndjek një “manual” mashkullor të mësuar në internet, një ide të shtrembëruar për atë që duhet të jetë një burrë tërheqës dhe dominues. Në fakt, nga tri gratë me të cilat flet, dy zgjedhin të ulen sa më larg tij që të jetë e mundur, edhe pse në të njëjtin divan.

Për Zand, i cili ka kaluar vite duke studiuar botën e ashtuquajtur “manosphere”, shumë prej bindjeve të T nuk janë të reja. Ajo që bie në sy është logjika mekanike me të cilën këta burra e shohin veten dhe marrëdhëniet: mendojnë se duhet të plotësosh disa kritere të matshme — gjatësinë, pamjen, të ardhurat — dhe pastaj të “fitosh” automatikisht akses te gratë. Vetë T thotë se nuk e kupton pse nuk po merr atë që mendon se meriton, pasi është gati 1.83 i gjatë, ka një punë të mirë dhe fiton mirë.

Sipas Zand, problemi sot është se këto ide forcohen në forume online, në Reddit apo Discord, ku burra me të njëjtat pasiguri e bindin njëri-tjetrin se marrëdhëniet funksionojnë si një formulë matematikore. Mjafton të kesh parametrat e duhur dhe gjithçka do të zhbllokohet. Ky mentalitet, thotë ai, i ngjan shumë logjikës së lojërave: plotëso kushtet dhe shpërblehesh. Por në këtë proces mungojnë marrëdhëniet reale, ku bindjet përballen me jetën dhe korrigjohen.

Vitin e kaluar, për herë të parë, T pati një të dashur të vërtetë. Kur pyetet se çfarë kishte ndryshe kjo lidhje nga marrëdhëniet e paguara, ai përmend diçka të papritur: fakti që kur del me një njeri real, hyn edhe në jetën e tij. Partnerja kishte familje, miq, një nip të vogël, dhe ai merrte prej saj video apo momente të zakonshme familjare — diçka që një e dashur me qira nuk do ta bënte kurrë. Ajo e la, pikërisht sepse e konsideroi tepër kontrollues.

Në fund të dokumentarit, T thotë se ka vendosur të mos marrë më me qira të dashura. Ai beson se përvoja me një partnere të vërtetë ndoshta nisi t’ia ndryshonte këndvështrimin, por pranon se pjesëmarrja në dokumentar ishte ajo që i dha forcën për ta ndërmarrë këtë hap.

Edhe Zand mendon se fakti që T pranoi të përballej me veten përmes filmit është një shenjë se ai mund të ndryshojë. Sipas tij, shumë prej burrave që takon në këto botë të errëta online e dinë, në një farë mënyre, se kanë një problem — dhe ndoshta pikërisht kjo vetëdije është pika e vetme prej nga mund të nisë ndryshimi. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement