Të burgosurit mposhtin koronavirusin - Gazeta Express
string(36) "te-burgosurit-mposhtin-koronavirusin"

Të burgosurit mposhtin koronavirusin

Gazeta Express

15/09/2020 14:38

Të gjithë të burgosurit që kanë qenë të infektuar me koronavirus tashmë janë shëruar. Katër prej të burgosurve që kanë qenë duke u trajtuar gjatë ditëve të fundit, pas ritestimeve kanë dalë negativë, raporton Express.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Florent Gashi.

Lexo Edhe:

“Që nga fillimi i pandemisë kemi pasur gjashtë të burgosur të infektuar me koronavirus. Katër nga të burgosurit kanë qenë duke u trajtuar deri këto ditët e fundit dhe tani janë zyrtarisht të shëruar. Në pjesën e të burgosurve nuk kemi më të infektuar”, ka thënë Gashi.

Ndërkohë, në trajtim janë tetë zyrtarë korrektues, e që sipas Gashit, gjendja e tyre po shkon drejt stabilizimit.

“Te stafi korrektues i kemi pasur 49 zyrtarë, aktualisht janë tetë të infektuar e që gjendja e tyre shëndetësore është duke shkuar drejt stabilizimit”, ka deklaruar Gashi për Express.

Ndryshe, që nga fillimi i pandemisë e deri tash në gjithë vendin janë konfirmuar rreth 15 mijë raste pozitive me këtë sëmundje, derisa janë regjistruar 600 raste të vdekjes, të cilët kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

“Numri total i rasteve pozitive është 14.692 raste nga 58.425 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 600 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 150 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 11.585 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.507”, thuhet në raportin e fundit të IKSHP-së për situatën epidemiologjike në vend. /Gazeta Express