Të burgosurit e propagandës - Gazeta Express
string(27) "te-burgosurit-e-propagandes"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

22/08/2025 15:20

Të burgosurit e propagandës

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

22/08/2025 15:20

Por e vërteta është një: as propaganda nuk i ruan kufijtë e Kosovës, as retorika nuk e garanton sigurinë tonë. Kufijtë e Kosovës i ruan NATO-ja. Dhe ky është realiteti që nuk ka propagandë që e mbulon.

Nga Doruntina Meha

Në Kosovë, realiteti prej kohësh nuk matet me fakte, por me propagandë. Nuk matet me të vërtetën, por me atë çfarë pushteti dëshiron që ne ta besojmë. Dhe sot, propaganda është bërë arma më e fortë e qeverisë në detyrë. Ajo është bërë instrument i pushtetit për të mbajtur njerëzit në iluzion, për t’i ndarë qytetarët në “patriotë” dhe “tradhtarë”, për t’i frikësuar partitë, për t’i heshtur zërat ndryshe.

Dhe kjo nuk është hera e parë që propaganda në Kosovë merr rol kyç. Por sot ajo është më e rrezikshme se kurrë, sepse nuk është vetëm makineri propagandistike është bërë mjet për të sunduar mendjen e njerëzve. Është bërë mënyra për ta zëvendësuar realitetin me iluzionin.

Të gjithë e dimë si ka lindur shteti i Kosovës. Ai nuk u ndërtua mbi retorikat boshe të Albin Kurtit dhe as mbi pankartat e Vetëvendosjes. U ndërtua mbi gjakun e deshmorve e ushtarëve të UÇK-së, mbi sakrificën e familjeve të tyre dhe mbi mbështetjen vendimtare të aleatëve ndërkombëtarë. Pa NATO-n, pa SHBA-të, pa BE-në, Kosova sot nuk do të ekzistonte. Dhe këtë e dinë të gjithë edhe ata që përditë përpiqen ta mohojnë. Por propaganda e pushtetit mundohet të na bindë ndryshe: sikur ne jemi të vetmja forcë që mbron këtë vend, sikur kufijtë i ruan fjalimi i kryeministrit e jo ushtarët e KFOR-it. Një mashtrim i rrezikshëm, sepse sa më shumë që besojmë në të, aq më të pambrojtur mbetemi.

E njëjta propagandë sot përdoret për serbët e Kosovës. Kur Vetëvendosje bllokoi certifikimin e Listës Serbe në KQZ, partitë e tjera në vend nuk e kundërshtuan hapur. Nuk guxuan të thonë: “Ligji është i qartë. Lista Serbe ekziston dhe funksionon derisa institucionet tona ta shpallin organizatë të ndaluar.” Përkundrazi, u strukën. Abstenuan. Heshtën. Sepse frika nga etiketa e pushtetit ishte më e madhe se forca e të vërtetës. Frika nga propaganda i ktheu partitë politike në spektatorë.

Por kjo është vetëm gjysma e filmit. Të gjithë e dinë se PZAP do ta certifikojë Listën Serbe, sepse nuk ka asnjë bazë ligjore për ta refuzuar. Madje, edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si dhe Ministria e Brendshme të dyja të udhëhequra nga ministra të qeverisë në detyre Kurti kanë dhënë paraprakisht dritën e gjelbër Listës Serbe në kontrollin që i bëhet para se dosja të shkojë në KQZ. Pra, shteti i ka hapur rrugën ligjërisht, ndërsa Vetëvendosje në KQZ bën teatër për sy të publikut. Dhe kur PZAP ta certifikojë, pushteti do ta kthejë pushkën nga vetë organet e shtetit. Do ta sulmojë PZAP-in, siç ka sulmuar gjykatat, prokurorinë e çdo institucion tjetër që nuk i shërben propagandës. Sepse për ta, nuk ka rëndësi sa dëmtohet shteti.

Por kjo hipokrizi bëhet edhe më e madhe kur kujtojmë një fakt: shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari, ka dalë në përgjime duke folur drejtpërdrejt me Milan Radojçiçin  njeriun më të kërkuar nga Prokuroria Speciale, ish-zëvendëskryetar i Listës Serbe. Ajo jo vetëm që ka komunikuar me të, por ka diskutuar çështje madhore shtetërore: përjashtimin e veteranëve të luftës nga paga minimale, si dhe përzgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Pra, në kohën kur Radojçiçi kërkohej nga drejtësia, ai ka pasur linjë të hapur me njerëzit më të fuqishëm të pushtetit. Sot, të njëjtët dalin e mbajnë ligjërata patriotike për “rrezikun e Listës Serbe”. Ky është mashtrimi më i madh i kësaj propagande: t’i qesin hi syve qytetarëve, ndërsa lidhjet e tyre me njerëzit e Listës Serbe tashmë janë të dokumentuara.

Nëse e shohim me kujdes, kjo është mënyra sesi qeveria ka ndërtuar kontrollin e saj. Nuk sundon me argumente, as me vizion, as me program. Sundon me propagandë. Dhe propagandën e ka shndërruar në burg ku ne të gjithë jemi mbyllur: partitë politike, që nuk guxojnë të kundërshtojnë; opinionistët, që e masin çdo fjalë nga frika e linçimit; qytetarët, që në rrjetet sociale përballen me një ushtri militantësh që nuk kritikojnë, por shajnë, nuk debatojnë, por sulmojnë. Është një klimë e helmuar që e ka ndryshuar tërësisht diskursin publik në Kosovë.

Dikur, parlamenti i Kosovës, me gjithë problemet e veta, kishte njerëz të ngritur, të shkolluar, që dinin të debatonin, që e respektonin kundërshtarin edhe në mes të kritikës më të ashpër. Sot, kemi një shumicë të përbërë nga deputetë pa profesion, pa përvojë, pa mendim të pavarur  njerëz që për herë të parë kanë hapur llogari bankare për të marrë rrogën e deputetit, njerëz që nuk i lidh asgjë me interesin publik, përveç servilizmit ndaj liderit të tyre. Ky degradim i përfaqësimit ka sjellë edhe degradimin e gjuhës: nga një komunikim politik normal, në sharje e ofendime të rrugës. Dhe kjo gjuhë ka rrjedhur në shoqëri, duke e bërë edhe qytetarin e thjeshtë pjesë të së njëjtës logjikë përçarëse e linçuese.

E gjithë kjo nuk është thjesht aksident i politikës. Është strategji e pushtetit. Sepse përderisa ne jemi të ndarë, të frikësuar, të lodhur nga linçimi, pushteti mbetet i paprekur. Përderisa ne i frikësohemi të vërtetës, pushteti e shpall të vërtetë propagandën e tij. Përderisa ne pranojmë të heshtim, propaganda bëhet realitet.

Por e vërteta është një: as propaganda nuk i ruan kufijtë e Kosovës, as retorika nuk e garanton sigurinë tonë. Kufijtë e Kosovës i ruan NATO-ja. Dhe ky është realiteti që nuk ka propagandë që e mbulon.