Mbrëmë u dha repriza e fundit për këtë sezone e shfaqjes ‘Të Bardhët’ në Teatrin Oda. Shfaqja me regji të Besim Ugzmajli dhe autor Steven Leigh Morris u dha premierë muajin e kaluar, më 24 maj.
Sinopsis:
“Luis është i bardhë dhe në dekadat e fundit, nën udhëheqjen e tij i ka shërbyer prodhimit të dramave kryesisht nga dramaturgë të bardhë britanikë, evropianë e amerikanë, duke mos e konsideruar faktin se teatri i tij ndodhet në një lagje afro-amerikane dhe është ndërtuar mbi rrënojat e Black Wall Street, një masakër racore e para më shumë se një shekulli, nga barbarë të bardhë kundër një lagjeje afro-amerikane në lulëzim.”
Ngjarja në tërësi
Hapja e skenës së parë me engjëjt e vdekjes të cilët e paralajmërojnë personazhin kyç për fundin e tij (Shpëtim Selmani) rrëfen për një trajtim serioz të dramës. Zakonisht ndodh të shohim shfaqje satirike që marrinë formë gjatë zhvillimit të ngjarjes por që nisin me kaq skenë të pastër artistike dhe përmbajtësore, shohim rrallë. Regjisori, aktori i cili mbanë dramën në shpatulla edhe në shfaqjen ‘Mbreti Lir’ edhe në këtë shfaqje, përpëlitët nga fillimi për të arritur në një fund të kënaqshëm, një fund për të cilin ai punon kaq fort, por a e dëshiron në të vërtetë ai këtë fund? Në njërën nga pyetjet që i bëhen është pikërisht edhe kjo: Nga çka ke frikë? Mbreti Lir, Luisi i shfaqjes ka frikë nga vdekja dhe jo nga vdekja si akt por nga varri që dërgon të panjohurën në kureshtje nëse mëkatet e këtushme do të barten tutje dhe do të kthehen kundër tij.
Dy personazhet tjera Priscilla (Verona Koxha) dhe Doug (Bujar Ahmeti) mbrojnë stoikisht kërkesën e autorit për transformim të herë pas hershem, për kombinim të së resë me të vjetrën, për ta kompletuar personazhin kryesor të dramës. Shfaqja transformohet akt pas akti, lëviz në kohë, në ide, rikthehet serish, dhe në momentin që publiku pret një dinamik ripërseritëse, ngjarja i kthehet një realiteti vendor. Kalimi nga skenat e shfaqjes, nga tematikat që trajton, në një ngjarje të vendit ose pjesa e shqiptarizimit të shfaqjes (sepse ngjarja është e largët në kohë dhe nuk zhvillohet në Kosovë) është ndër kapërcimet më autentike, qoftë në transformimin e personazheve, qoftë në gjuhën , dialogun e tyre etj, shto faktin që kjo skenë është e gjatë aq sa të mos bëhet bajat.
‘To kill a Mockingbird’
Një nga kërkesat e aktores e cili është thirrur ta luaj Priscilla-n përkon me idetë moderniste në lidhje me termat që përdoren për t’ju referuar personit. Në parim duket thirrje e çuditshme, në fakt kjo kërkesë do të dukej e çuditshme dhe qesharake në një kohë të largët, por jo sot. Përjashtim bëjnë disa vende, në mesin e tyre edhe ne. Ama nuk është vetëm kaq, ‘Të bardhët’ është kryekëput dramë e cila përpiqet dhe arrin të vë në pah diskriminimet në baza racore dhe përtej kësaj të ngre në diskutim çështjen mbi mëshirën, mëkatin, pushtetin dhe jetesën. Në librin personifikues të Harper Lee, ne nuk e shohim veç një padrejtësi ndaj një njeriu me ngjyrë, ne shohim një krim të pafalshëm i cili kamuflohet duke u thirrur në baza racore. Prandaj kur e lexojmë ‘mund t’i vrasësh të gjithë zogjtë nëse mundesh por është mëkat ta vrasësh zogun përqeshës’ ne nuk ndalemi tek jetesa e pabarabartë e njerëzve, ne hulumtojmë mbi ‘mëshirën’ e mëkatarëve mbi të pafajshmit. Personazhi i Luis, ka në dorë të ruaj neutralitetin, mbase edhe arrin nganjëherë në format e veta, në përpjekjet komike të tij, e megjithatë një formim i tij, një histori e tërë e vendit që e ka rritur, e rikthen si pa dashje në gjenezë.
Brenda tekstit
Duke len anash lojën e aktorëve, përqendrohemi tek teksti dhe përshtatja e shfaqjes. E kemi personazhin e Luis i cili ndër të tjera, revoltohet herë pas here për termat e tepruar sipas tij, për një kujdes të shtuar i cili duket sikur do ta varros artin e vërtetë, artin e letërsisë madje i cili nga gjykimet fillon e ngulfatet duke i humbur origjinaliteti. Kemi personazhin e Priscille e cila ndihet e ofenduar gjatë gjithë kohës, qoftë në referimin ndaj saj, qoftë edhe kur kryqëzohet që ka studiuar dhe ka formim në teatër, ofendime këto të cilat i kamuflon lehtë me një paraqitje në rrjete sociale. Pastaj është Doug, që në skenë është personazhi i dashur, i len pas dore për shkak të përçmimit ndaj intelektit që i mungon e megjithatë me disa teori të cilat i qëndrojnë. Tek personazhi i tij mund lehtë ta shohim herë pas here Idiotin e Dostojevskit.
Mbreti ‘Lir’ merr formë në shfaqje, marrinë formë provat e herë pas hershme, ama thuajse shumica e debateve jashtë provave kanë në thumb diskriminimin. Madje kur këto diskutime bëhen duke u munduar të mos bëhen është pikërisht kjo që shfaqjen e bënë të veçantë.
…
‘Të Bardhët’ është dramë kundër diskriminimeve, është dramë e cila trajton nostalgjinë dhe profesionalizmin e teatrit me dëshirat e kushtëzuara të botës moderne të teknologjisë. Kjo është një dramë e cila luan me personazhin edhe jashtë skenës, duke e parë personazhin e Luis, ne nuk e shohim veç një trajtesë të një aktori, ne shohim individin nga shumë perspektiva. Dëshirën e (pa)vetëdijshme për ta ruajtur mënyrën e rritjes dhe formimit të tij si njeri, shohim lakminë dhe egoizmin e herëpashershëm që ta shtyj ne breg shfaqjen e cila meritat më të mëdha do t’i jap atij, shohim një artist i cili në fund të fundit po, do të gjykoj për ngjyrën e lëkurës edhe ta mat mençurinë e tjetrit.
‘Të Bardhët’ është një shfaqje që nuk përfundon, fundi në skenë është i pashmangshëm, jashtë teatrit, vazhdon të jetë një dramë e cila nuk humbet brumin, transformohet, merr pamje tjetër, mbase edhe sofistikohet por nuk përfundon asnjëherë.
…
Shpëtim Selmani, u gjend në habitat në këtë shfaqje, nuk ka një aktor që do ta perfeksiononte rolin e Luis me mjeshtëri më të madhe. Çdo detaj i personazhit të shfaqjes ndihej si në shtëpi tek Selmani, është sikur ky rol u krijua për të.
Verona Koxha dhe Bujar Ahmeti, janë dy aktorët që e përmbushin shfaqjen dhe puna e tyre në skenë është intensive e megjithatë ata mbajnë njeri tjetrin, japin tek personazhi tjetër poashtu dhe nuk len hapësira boshe.
Me një regji perfekte, aktorë të jashtëzakonshëm, tekst fenomenal dhe skenografi përtej artistikes, shfaqja ‘Të bardhët’ është ndër shfaqjet më të mira të sjella viteve të fundit në teatrot e Kosovës.
Autor: Steven Leigh Morris, Regjia: Besim Ugzmajli
Aktorët: Shpëtim Selmani, Verona Koxha, Bujar Ahmeti
/GazetaExpress