Avokati dhe përfaqësuesi juridik i Federatës së Futbollit të Kosovës, Taulant Hodaj, ka njoftuar sot përfundimin e bashkëpunimit të tij me institucionin më të lartë të futbollit në Kosovë.
Në një komunikatë në llogarinë e tij në Facebook, Hodaj shprehu keqardhjen për këtë vendim, por njëkohësisht theksoi se ai erdhi si pasojë e praktikave të përsëritura të FFK-së, të cilat, sipas tij, kanë qenë në kundërshtim me parimet e tij profesionale.
Në veçanti, ai përmendi pengesat dhe qasjet e ndryshme të FFK-së lidhur me përfaqësimin e Kosovës në rastin e hapur në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) kundër Rumanisë. Sipas tij, kjo qasje mund të dëmtojë shanset e Kosovës për të fituar rastin dhe për të mbrojtur të drejtat e futbollistëve dhe ekipit kombëtar.
“Besoj se kjo qasje e FFK-së do të dëmtojë shanset e Kosovës për të fituar rastin dhe për të mbrojtur të drejtat dhe reputacionin e futbollistëve dhe ekipit kombëtar,” deklaroi Hodaj.
Pavarësisht largimit të tij nga FFK-ja, Hodaj theksoi se do të vazhdojë të jetë përkrah futbollistëve, klubeve dhe lojtarëve të Kombëtares së Kosovës në cilësinë e tij si avokat dhe ekspert ligjor.
“Kosova ka një potencial të jashtëzakonshëm në futboll – lojtarë të talentuar, klube të përkushtuara dhe një staf brenda FFK-së që punon me pasion. Ka qenë një privilegj dhe kënaqësi të bashkëpunoj me ta,” shtoi ai.
Në përfundim, Hodaj shprehu shpresën që Federata e Futbollit të Kosovës të vazhdojë të rritet dhe të forcojë kapacitetet e saj, në mënyrë që futbolli kosovar të arrijë sukseset që meriton në arenën ndërkombëtare.
Gjithçka që keni ëndërruar, por nuk keni mundur ta blini ose nuk keni pasur kohë për procedura të gjata,...