Administrata Tatimore ka nisur një aksion të ri për të verifikuar individët që kanë në pronësi automjete luksoze, por nuk justifikojnë burimin e të ardhurave për blerjen e tyre. Në këtë fazë të parë, qëllimi është informimi dhe jo ndëshkimi, bëri të ditur drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, në një intervistë për Klan News.
“Qëllimi ka qenë që të informojmë publikun në këtë fazë të parë, kush është i përfshirë të vetëkorrigjohet”, deklaroi Binaj.
Sipas tij, aktualisht nuk është vendosur një afat konkret për përfundimin e kësaj faze përgatitore, ndërsa theksoi se qytetarët kanë mundësinë të reagojnë vetë përpara se të nisin kontrollet e thelluara.
“Çdo njeri që e ka këtë lloj situate mund ta bëjë menjëherë, që në kohën kur ne ta mbyllim këtë proces të analizës dhe identifikimit dhe mbledhjes së informacioneve nga bankat dhe palë të treta, dhe të fillojmë kontrollet, këta mund ta kenë përmbushur këtë”, tha Binaj, duke nënvizuar se ky proces mund të zgjasë një deri në dy muaj.