Tarifat e reja të Trump ‘shkundin botën’ – Reagimet e bizneseve e shteteve, mediat e huaja përmendin vendimin e Kosovës - Gazeta Express
string(114) "tarifat-e-reja-te-trump-shkundin-boten-reagimet-e-bizneseve-e-shteteve-mediat-e-huaja-permendin-vendimin-e-kosoves"

Lajme

Gazeta Express

01/08/2025 20:53

Tarifat e reja të Trump ‘shkundin botën’ – Reagimet e bizneseve e shteteve, mediat e huaja përmendin vendimin e Kosovës

Lajme

Gazeta Express

01/08/2025 20:53

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, të enjten nënshkroi një urdhër duke vendos një ndryshim në tarifat për 66 vende, duke përfshirë këtu edhe Bashkimin Evropian, Tajvanin si dhe Ishujt Falkland. Ndaj këtij vendimi kanë reaguar edhe  partnerët tregtarë të SHBA-së, shkruan Gazeta Express.

Ky vendim ka shtuar edhe më shumë pasiguri për konsumatorët dhe bizneset që ende nuk e dinë saktësisht se çfarë do të ndodhë dhe kur.

Raportimi i mediave të huaja bën të ditur se lidhur me tarifat e reja ka pasur shqetësime edhe nga bizneset si kafenetë e restorantet, nga ku është thënë se këto tarifa mund të rrisin koston e kafesë dhe hamburgerëve,

Shoqata Kombëtare e Restoranteve në SHBA, e cila përfaqëson më shumë se 1 milion restorante dhe ofrues shërbimesh ushqimore, deklaroi të premten se tarifat mund të rrisin koston e produkteve të njohura në menu si kafeja dhe hamburgerët, si dhe përbërësve si erëzat, përcjell Gazeta Express.

Michelle Korsmo, drejtore ekzekutive e shoqatës, tha se restorantet funksionojnë me marzhe fitimi shumë të ulëta, kështu që tarifat do t’i detyrojnë shumë prej tyre të rrisin çmimet.

 “I kërkojmë administratës Trump të vazhdojë me marrëveshje tregtare të arsyeshme,” tha ajo në një deklaratë. “Ndërsa adresimi i deficitit tregtar është i rëndësishëm, produktet ushqimore dhe pijet nuk janë kontribues të mëdhenj në këto disbalanca.”

Në raportimin e WTOP përmendet edhe Kosova.

Aty theksohet se sot shteti i Kosovës i ka hequr tarifat për mallrat amerikane.

Kabineti i Qeverisë së Kosovës vendosi të premten të heqë tarifat tregtare për produktet amerikane të importuara në Kosovë.

“Jemi mirënjohës për marrëdhënien tonë të qëndrueshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” tha Kurti në një deklaratë në platformën X.

Po ashtu, aty thuhet edhe se mallrat e Kosovës kanë një tarifë prej 10% kur eksportohen në Shtetet e Bashkuara.

Në raportim përveç shqetësimeve të ngritura nga bizneset në Amerikë, si dhe rastit të Kosovës, njoftohet edhe për reagimet e shteteve të tjera.

Në mesin e tyre është edhe rasti i Hungarisë. Kryeministri i këtij veni, Viktor Orban ka kritikuar BE-në për dështimin në negocimin e një marrëveshjeje tregtare më të favorshme me SHBA-në

“Ata nuk e morën seriozisht që presidenti i SHBA-së do të riformësonte vërtet ekonominë botërore; menduan se ishte thjesht një sipërmarrës amerikan me gojë të madhe, që nuk do të realizonte as gjysmën e asaj që premtonte,” ka thënë Orbán.

Lideri hungarez, që është aleat i Trump-it, kritikoi gjithashtu presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për dhënien e “angazhimeve ndaj Amerikës që i tejkalojnë kompetencat e saj”, dhe u shpreh kundër marrëveshjeve të raportuara sipas të cilave kompanitë evropiane do të blejnë gaz natyror, naftë dhe lëndë djegëse bërthamore nga SHBA, si dhe do të bëjnë investime në shkallë të gjerë atje.

“Kjo është një marrëveshje ekonomike e tmerrshme,” tha Orbán. “Që nga shkurti kam thënë se duhet të marrim nismën, të ngrihemi për tregti plotësisht të lirë… por nuk duhet të presim si një lepur i ngrirë ose si një kafshë e magjepsur nga një gjarpër, vetëm për t’u sulmuar.”

Tutje, theksohet edhe se si Franca ende dëshiron të rinegociojë disa pjesë të marrëveshjes tregtare BE-SHBA

Franca po flet për mundësinë e rinegociimit të disa pjesëve të marrëveshjes për tarifat mes BE-së dhe SHBA-së, për ta bërë më të favorshme për prodhuesit evropianë.

“Kjo është vetëm një fazë dhe nuk do të ndalemi këtu,” ka thënë ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, të premten, në një intervistë për transmetuesin France Info.

“Ne duam lëshime të reja, garanci për verërat dhe pijet alkoolike, një rregullim, një ri-ekuilibrim në sektorin e shërbimeve, veçanërisht për shërbimet dixhitale.”

Ministri argumentoi se negociatorët evropianë nuk ishin mjaftueshëm të frikshëm për Trump-in.

“Evropa duhet të forcojë lojën e saj,” shtoi Barrot. “Nëse Evropa do të kishte qenë më e fortë, nëse Trump dhe negociatorët amerikanë do të kishin pasur frikë nga ne, pa dyshim do të kishim arritur rezultate më të mira.”

Kurse në Zvicër ka pasur kërkesa që disa kompani të përjashtohen nga tarifat.

Kompania farmaceutike zvicerane Roche ka thënë se barnat duhet të përjashtohen nga tarifat

Gjiganti farmaceutik zviceran Roche deklaroi se po punon për të siguruar që pacientët dhe klientët e saj në mbarë botën të kenë qasje në barnat dhe pajisjet diagnostike, në mes të luftës tregtare të Trump-it.

“Ne besojmë se barnat dhe pajisjet diagnostike duhet të përjashtohen nga tarifat, për të mbrojtur qasjen e pacientëve, zinxhirët e furnizimit dhe në fund të fundit inovacionin e ardhshëm,” thuhet në deklaratë. Megjithatë, kompania tha se është e përgatitur për zbatimin e mundshëm të tarifave. “Me kapacitete të përforcuara prodhuese në SHBA dhe masa proaktive si rregullimi i inventarëve dhe transferimi i teknologjisë, po punojmë për të siguruar qasje të pandërprerë në produktet tona.” /GazetaExpress