Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare ka folur në konferencë për shtyp për shumë çështje që lidhen me klubin kuqezi.
E ndër temat e shumta, ish-drejtori sportiv i Lazios u ndal të fliste për dy futbollistët shqiptarë, Granit Xhaka dhe Ardon Jashari, të cilët kanë përfunduar në radar të “Rossoneri”, shkruan “Gazeta Express”.
Ish-futbollisti i njohur shqiptar nuk e ka përjashtuar mundësinë e transferimit të tyre në “San Siro” duke i përfshirë në listën e objektivave të Kuqezinjve.
“Pika e jonë fillestare është që mesfusha të jetë zona ku do të intervenojmë më së shumti. Kjo është ajo për të cilën kemi diskutuar me trajnerin në aspektin e profilit dhe të karakteristikave të lojtarëve për të cilët kemi nevojë”, deklaroi fillimisht Tare në konferencë për shtyp.
“Emrat që po i përmendni ju janë alternativa, janë lojtarë të mëdhenj, por në fund ne duhet ta bëjmë zgjedhjen e duhur në bazë të asaj që kemi nevojë. Ne besojmë se është e rëndësishme që ta rrisim cilësinë e përgjithshme në lojën e ekipit”, përfundoi Tare.
Bayer Leverkuseni po i kërkon 15 milionë euro për Xhakën, me të cilin Milani tashmë ka arritur marrëveshje për një kontratë trevjeçare me rrogë prej 4 milionë eurosh në vit.
Për momentin, shtatë herë kampioni evropian është ndalur me një ofertë prej 10 milionësh, por të cilën mund ta rrisë në tentimin e dytë.
Ndërkohë, për mesfushorin Jashari klubi i tij Club Brugge i kërkon 35 deri në 40 milionë euro, kurse Milani dje ka bërë ofertë prej 27 milionësh, plus 3 milionë të tjera nga bonuset.
Pas Luka Modricit, Igli Tare synon që ta kompletojë mesfushën me dyshen shqiptare.
Njëjtë si Xhaka, edhe Jashari dëshiron t’i bashkohet Milanit, por që të dy po shpresojnë që klubet ta gjejnë gjuhën e përbashkët. /Gazeta Express